Hetim “Sulltanëve” të 200 koncesioneve në Shqipëri

342
Sigal

VOA/  BE nuk mund të pranojë vende me risk të lartë financiar sikurse është Shqipëria ku 200 PPP rrisin borxhin me 91.4%. Qeveria nuk i konsideron borxhe, por këto janë realisht borxhe afatgjata dhe të fshehta, që dalin nga rritja e taksave ndaj qytetarve. Modeli i Spanjës dhe Anglisë nuk lejon më shumë se 2 % të PBB, ndërsa në Shqipëria del se ka 5 herë më shumë detyrime për të majmur klientelën e ministrave

 

 

Qeveria nuk i konsideron si borxhe, por këto janë realisht borxhe afatgjata, që dalin nga financat publike, duhet një kujdes i madh për të menaxhuar këto kontrata PPP

Në Tiranë, Organizata Monitoruese “Open Data Albania” publikoi një studim, sipas të cilit, detyrimet e buxhetit të shtetit ndaj koncensioneve dhe PPP-ve, kanë shkuar 11.4 për qind kundrejt GDP-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Ky nivel që ka arritur Shqipëria me detyrimet kontigjente është 5 herë më i lartë, se sa vendi evropian më shumë i përfshirë në to.

“Open Data” thotë se, kjo shënon një shkallë risku shumë të lartë dhe një mbingarkesë borxhesh afatgjata, që rëndojnë financat publike të Shqipërisë.

Shqipëria ka mbi 200 koncensione në tërësi, por studimi i “Open Data Albania” ka vëzhguar vetëm 15 koncensione, me mbështetje buxhetore deri në 30 vitet e ardhshme.

Studimi zbuloi një risk të lartë që vjen nga kontratat dhe marrëveshjet koncensionare si, dhe Partneritetet Publik – Privat, thotë Aranita Brahaj, drejtuese e organizatës hulumtuese “Open Data Albania”.

“Ne kemi 11.4 për qind detyrime të mbartura (kontingjente) nga PPP dhe koncensione dhe PPP kundrejt GDP të vitit 2020. Vendi i dytë me këtë shkallë risku është me 2.4 për qind. Pra, ne jemi 5 fish më shumë se vendi më guximtar në Evropë” – tha zonja Brahaj.

Vendi i dytë në këtë renditje të detyrimeve kontigjente prej PPP-ve dhe koncensioneve në Evropë, është Portugalia me 2.4 për qind.

Spanja dhe Britania, që përmenden shpesh gjatë fjalimeve në Tiranë se, kanë eksperimentuar me PPP-të, nuk kanë guxuar asnjëherë të kapin nivelin 2 për qind të detyrimeve me koncensione dhe PPP kundrejt GDP-së, ndërsa Shqipëria del se ka 5 herë më shumë detyrime më shumë se ato vende.

Por borxhet janë borxhe dhe mbeten aty, sado që të shtrihen në vite, thotë zonja Brahaj. Qeveria e merr detyrimin, por nuk vlerëson gjithë kohë-shtrirjen e tij, duke e parë vetëm një ose 3 vjetët e para, që ka bërë llogaritë.

“Qeveria nuk i konsideron si borxhe, por këto janë realisht borxhe afatgjata, që dalin nga financat publike, duhet një kujdes i madh për të menaxhuar këto kontrata PPP dhe koncensione, që vijnë e rëndohen me ndryshime e rinovime kontratash, si dhe për shkak të arbitrazhit” – thotë drejtuesja e “Open Data Albania”.

Studimi thekson se procesi PPP e koncensione, e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve me risk shumë të lartë, sa i takon financave publike, i cili mund të ndihet në vitet dhe dekadat e ardhshme, sepse disa prej tyre, kanë efekt deri në vitin 2040-43. Disa prej tyre shtohen me anekse, që rëndojnë edhe më shumë financat.

Vlerësimi i riskut nga detyrimet kontigjente ka qenë edhe një detyrë e FMN-së prej shumë kohësh në raportet vjetore që bën për Shqipërinë.

Ekspertët e “Open Data” pohojnë se edhe në të gjithë progres raportet e viteve të fundit Shqipërisë i është kërkuar nga BE të bëjë një vlerësim të saktë të zonave të riskut si, koncensionet dhe PPP-të.

Shqipëria nuk e ka bërë se mban ende një metodë llogaritje të vitit 1995, kur duhet bërë me standardin e ri kontabël, një metodë e vitit 2010.

Ndaj BE ka të drejtë, pohojnë ata, kur heziton të bëjë pjesë të vetën, vende me ngarkesë të tillë borxhesh dhe me risk të lartë financiar.

“Borxhi publik ka arritur në nivelin rreth 80 për qind me vështirësitë që ka kaluar së fundmi qeveria dhe shteti shqiptar. Po të shtojmë edhe këtë 11.4 për qind, i cili na rezulton si borxh i fshehur ose si borxh i llogarive kombëtare, detyrim kontigjent, ne do të na shkonte borxhi në nivlin 90 për qind. Pra, jemi vërtet në një zonë shumë të lartë risku, për më tepër ne ende nuk kemi nisur ta pranojmë dhe ta llogarisim në nivele zyrtare këtë lloj ngarkese të financës publike për shkak të këtyre detyrimeve” – thotë zonja Brahaj.

“Open Data Albania” theksoi se një nga nismat e rëndësishme të parlamentit të ri duhet të jetë miratimi i standardit të ri kontabël dhe zbatimi i metodës së re të llogaritjes së borxheve, që kërkon BE-ja dhe FMN-ja dhe fshirja e metodës së vitit 1995, sepse kështu rritet profesionalizmi dhe transparenca mbi përdorimin e financave publike dhe marrin fund fshehjet e borxheve prapa standardeve të vjetra.

Studiuesit pohojnë se, është paradoksale, standartet e reja të fiskalizimit dhe kontabilitetit i zbatojnë aktualisht çdo biznes i vogël e i madh, madje edhe shoqatat e organizatat jofitmiprurëse, por jo nga qeveria, e cila mban për vete një standard të 3 dekadave më parë, duke shkaktuar mungesë transparence e vetkontrolli, dhe nivel të lartë keqmenaxhimi.