Hekurudhat zhdukin 53 milionë eurot e Brukselit

1091
Sigal

Në Shqipëri treni akoma vazhdon të na njoftojë me sirenën e tij të frikshme se i ka ngelur ende pak jetë. Ai vërtet ka ardhur duke u stërlodhur dhe duke u ngadalësuar përgjatë këtyre dy dekadave të fundit, por nëpër rrugën e hekurt, lokomotiva vazhdon të tërheqë ato pak vagonë të ndryshkur që i kanë mbetur. Sidoqoftë, nuk është aspak çudi të ndeshesh me njerëz që trenin e njohin vetëm nëpërmjet televizorit, apo me disa të tjerë që fjalën “tren” e sinonimizojnë me mërzinë, me lodhjen, apo qoftë edhe me vdekjen. Sot zgjodhëm të udhëtojmë nga Durrësi drejt qytetit të Elbasanit me tren, ku do të përpiqemi të gjejmë gjurmët e tij të harruara ndër vite, për t`ju rrëfyer lavdinë e dikurshme dhe hekurishten e sotme. Mes një shiu të lehtë, ne lamë stacionin e boshatisur hekurudhor të Durrësit në heshtjen e tij dhe filluam të ecnim drejt një treni të vetmuar, ku piktorët e rrugës kishin çliruar fantazinë e tyre. Mbishkrimet patetike zinin vend keqas mbi ndryshkun që sundonte kudo. Dukej se gjarpri i madh i vagonëve kishte humbur me vite, duke harruar veç ata dy vagonë si kujtim të fundit të një tradite që dergjet në agoni. Por, sa ngjitëm shkallët e hekurta, menjëherë u ndeshëm me një panoramë të rëndë, të frikshme dhe të rrezikshme. E njoh gropën ku është rrëzuar sistemi hekurudhor dhe nuk prisja të më shfaqej pamja e një treni europian, por realisht përballja me atë ambient, ku ndotja ishte ulur këmbëkryq, ishte për tu vajtuar. Megjithatë, bileta e lirë i kishte zënë sytë një grupi të vogël udhëtaresh, të cilëve tanimë nuk i bënte më përshtypje kjo gjendje mjeruese. Zura vend në njërën prej ndenjëseve të rrjepura, ku përballë u njoha me xhaxha Pandin, një zotëri rreth të pesëdhjetave që udhëtonte shpesh me tren drejt Elbasanit. Së bashku me dy fatorinot dhe policin, bëheshim gjithsej tetë udhëtarë që sot nuk do t’i linim të udhëtonin të vetëm ata dy vagonë 120 vendësh. Në pjesën e përparme të vagonit të parë ishin ulur dy romë të cilët duhet të ishin muzikantë nga instrumentet që mbanin nëpër duar. Dukej se ata ishin miqësuar shumë me policin, që në tren përngjante me një njeri të padobishëm që nuk e justifikon rrogën që merr. Ora po shënonte 7:20 kur nga lëkundjet që po rëndoheshin, treni filloi të nisej. Ai lëvizte zhurmshëm në udhën e hekurt, duke çarë përmes lagjeve të ngritura ilegalisht përreth trasesë. Edhe pse është e ndaluar të ndërtohet në perimetrin prej 25 metrash të territorit që i përket hekurudhës, asgjë nuk i ka penguar ata njerëz të ndërtojnë brenda saj. Disa fëmijë kishin ndezur një zjarr në afërsi të shinave dhe luanin të patrembur, teksa treni vazhdonte rrugën pa u ndalur! Më tutje edhe disa të tjerë.

Grupmosha të ndryshme, që duhet të jenë banorët të cilët kanë urbanizuar vijën e hekurudhës, qarkullonin pa kurrfarë problemi, si të verbuar, duke harruar pasojat fatale që mund t’i vinë nga treni. “Nuk venë mend këta edhe sikur të japë shpirt e gjithë lagjja mbi shina. Para disa ditësh treni e masakroi një grua, ende nuk e kanë mësuar?!”-foli plot nerva xhaxha Pandi, i cili thithte pa ndalur një cigare të rëndë, ku tymi zhdukej sakaq mes xhamave të thyer. Edhe pse shpejtësia e trenit nuk i kaloi 40km/h, ai ishte i pamëshirshëm ndaj kalimtarëve të papërgjegjshëm. Ndoshta, prandaj ata e urrejnë aq shumë sa nuk i kanë lënë xham pa thyer. Gurët ata nuk i kursyen as për ne. “Këta nuk janë njerëz!  S’po bën shumë kohë kur një të moshuar i nxorën syrin. Bëni kujdes!”-na u drejtua polici që më në fund u kujtua të fliste diçka. Frika ndaj gurëve, ndaj dalies nga shinat, apo ndaj përplasjes me ndonjë automjet, na shoqëroi përgjatë të gjithë udhëtimit. Në kryqëzimet e rrugëve automobilistike me hekurudhën, automjetet qarkullojnë sikur treni është inekzistent. Mungesa  e trarëve që paralizojnë qarkullimin automobilistik bëhet edhe më e theksuar për shkak të krijimit të rrugëve të reja, duke i hapur kështu rrugën e madhe aksidenteve që po përgjakin shinat e trenit. Atë ditë dukej sikur retë do të vazhdonin të shtrydheshin gjatë. Shiu dhe era përziheshin bashkë dhe përmes dritareve të mbyllura me xhama të thyer, i bashkoheshin udhëtimit tonë të frikshëm. Brenda në vagon më dukej sikur po udhëtoja me një kamionçinë të hapur ku shiu binte dhunshëm. E habitshme që sindikata e transportit hekurudhor  ka mbyllur gojën prej vitesh  dhe e verbuar raporton arritje për sa i përket këtij sektori. Duke parë këtë gjendje katastrofike, kushdo mund të pyesë:
-Në çfarë u shndërruan 53 milion euro të akorduara nga Brukseli për rimëkëmbjen e hekurudhës?! Edhe 1.2 milion euro të vëna në dispozicion nga “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim” nuk duken kurrkund. Sikurse edhe fondet që ka dhënë qeveria ndër vite, janë zhdukur bashkë me ato qindra kilometra hekurudhë që dikur zhurmonin. Hajdutët e palodhur të skrapit kanë zhveshur udhën e trenit prej vitesh, duke zhvatur pjesët metalike. Sinjalistika e vjedhur tashmë detyron marshinistin të komandojë lokomotivën duke sfiduar rrezikun. “I rrëmbyen more bir! Sa herë që dëmtohet hekurudha dëmtohet edhe zemra ime!”- tha një udhëtar plak që kishte punuar vite me radhë për ndërtimin e saj. Një moment po mendoja sikur hekurudha të ishte modernizuar dhe treni elektrik të përshkonte të gjitha rrugët e hekurta te shtrira mbi Shqipëri. Sikur kjo vijë e hekurt të lidhej me hekurudhat ndërkombëtare, si me Maqedoninë, me Kosovën, apo me Malin e Zi. Kështu do të mund të shkurtonim rrugët dhe do të pastronim disi asfaltin e përgjakur. Ndoshta do të arrinim të kuronim më së miri mjedisin nga ndotja dhe do të mund të ndjeheshim më komod si edhe më të pasur në portofol. Të gjithë e duam këtë ndryshim që na mungon prej vitesh. Çuditërisht, ajo që të bën më shumë përshtypje është se kurrë nuk është folur për arritje sa i përket këtij sektori. Edhe pse është folur së tepërmi për një sistem të modernizuar, askush nuk ka mundur ti ndezë dritën jeshile trenit. Tentativat datojnë që nga viti 2003 kur qeveria “Nano” nënshkroi një marrëveshje me kompaninë“General Electric” për të sjellë trenin bashkëkohor që do të lidhte kryeqytetin- aeroportin- Durrësin. Marrëveshje kjo që i mori shqiptarëve nga xhepat e tyre 10 milionë USD dhe nuk u zbatua kurrë. Edhe projekti për një linjë hekurudhore ndërkombëtare që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë dhe do të restaurohej ajo me Malin e Zi, ngeli thjeshtë në fantazinë  e qeverisë” Berisha” që asnjëherë nuk doli nga sirtari. Po ashtu, rilindja e trenit po ngel veç e shkruar në disa rreshta për qeverinë aktuale, e cila shfaqi objektiva të forta mbushur plot optimizëm përgjatë vitit që lamë pas, mbi rikthimin e traditës së udhëtimit me tren. Brenda këtyre vagonëve të boshatisur vazhdojnë të flenë prej vitesh premtimet boshe të së gjitha qeverive. Vazhdojnë të flenë ato dhjetëra studime, projekte dhe plane që shërbyen thjeshtë për ti zënë gojën shqiptarëve.
Ndoshta institucioneve përkatëse u ka ardhur koha për të rishikuar edhe njëherë ofertat e çekëve, estonezëve, sllovenëve apo italianëve mbi dhënien me koncesion, përderisa nuk po shfaqin vetë forcën e duhur për ta menaxhuar.
Një melodi fizarmonike më shkëputi nga këto mendime të rënda që më kishin pushtuar të gjithin me dhimbjet e tyre. Ato tinguj mbase ishin e vetmja gjë e bukur në atë tren të skaduar dhe tani që ai sa vinte dhe po i afrohej stacionit të Elbasanit, po më vinte keq që do t’i humbisja. Pas tre orësh udhëtim, kur ora shënonte 10:30, dola i drobitur nga vagoni dhe u nisa drejt stacionit që i përngjante një gërmadhe të zbrazët. Ndërkaq, treni, si një breshkë e vjetër, po lëvizte drejt qytetit të Librazhdit nëpër rrugën e hekurt. Tek sa shihja atë panoramë të shkretuar,  brenda mendjes sime dikush thërriste i rebeluar: “Ky nuk është treni që do të na çojë drejt Bashkimit Europian, ky është treni që do të vazhdojë të zvarritet dhimbshëm për të na treguar se dikush mendon ende për pensionistin, për të papunin, për të varfrin, për të braktisurin, apo qoftë edhe për të ndershmin. Ai do vazhdojë të na njoftojë akoma me sirenën e tij të frikshme se ende shpreson që të mos ngelë thjeshtë një nostalgji e bukur për shqiptarin e vjetër dhe një ëndërr e braktisur për shqiptarin e ri. Sirena po bie! E dëgjoni?!

Andrea Danglli