Hapën  356 mijë llogari bankare vitin e kaluar, por u mbyllen dyfishi

232
Sigal

 

Individët dhe bizneset hapën rreth 356 mijë llogari të reja bankare gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të raportit të përgjegjësisë sociale për vitin 2020, të Shoqatës Shqiptare të Bankave, vitin e kaluar bankat tregtare, investuan gjithashtu, rreth 7.5 milionë lekë në produkte, me qëllim përmirësimin e përfshirjes financiare.

Pandemia e bëri më të prekshme se kurrë nevojën për të lëvizur më shpejt në dixhitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve bankare në distancë, por parakushti kryesor për këtë proces ngelet rritja e aksesit të publikut në këto shërbime.

Mbështetur në informacionet e Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar kishte rreth 2.96 milionë llogari bankare aktive. Pavarësisht se bankat raportojnë hapjen e 356 mijë llogarive të reja bankare, numri total i tyre, sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar u pakësua me rreth 28 mijë. Rënia ishte veçanërisht e theksuar në segmentin e individëve. Kjo rënie mund të lidhet me ecurinë negative të punësimit vitin e kaluar, që ka çuar në mbylljen e shumë llogarive rrjedhëse të lidhura me pagat.

Por, nga ana tjetër, statistikat nuk ofrojnë një informacion shumë të qartë mbi numrin e individëve dhe subjekteve që kanë të paktën një llogari bankare aktive. Një e dhënë e tillë do të hidhte më shumë dritë mbi shkallën reale të aksesit të shqiptarëve në shërbimet bankare.

Strategjia Kombëtare e Pagesave Me Vlerë të Vogël, e vitit 2018, vinte në dukje se më pak se 40% e shqiptarëve në moshë madhore, kishin një llogari bankare. Vlerësohet se kjo përqindje është sidomos e ulët në zonat rurale, ku edhe prania e njësive të shërbimeve bankare është e pakët. Për ekonomitë me të ardhura mbi mesataren, shkalla e zotërimit të një llogarie bankare është më e lartë se 70%.

Depërtimi relativisht i ulët i shërbimeve bankare është një nga arsyet kryesore pse Shqipëria ka një shkallë të lartë të përdorimit të parasë fizike në transkasionet ekonomike. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë ka treguar se 96% e pagesave të konsumatorëve kryhen në para cash. Megjithëse pandemia dha një ndikim pozitiv në drejtim të rritjes të përdorimit të kanaleve elektronike të pagesave, fakti që vetëm një pakicë e individëve kanë llogari bankare kufizon mundësitë e përfshirjes më të gjerë financiare dhe modernizimit të pagesave.