Gjykata Administrative e Apelit “mbytet” nga çështjet, çdo gjyqtar ka nga 70 dosje në muaj. Rekomandimi i KLSH: Të shtohen organikat në gjyqësor

575
Sigal

Vonesat dhe procedurat e tejzgjatura për krijimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, në kuadër të reformës në drejtësi ka shkaktuar probleme për sa i përket mbarëvajtjes së punës në gjykatat e Shqipërisë. Rasti më i ri është ai i Gjykatës Administrative të Apelit, e cila për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, po has një mbingarkesë të madhe me dosjet e çështjeve. Ky fakt u konstatua në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas së cilit mungesa e burimeve njerëzore ka bërë që volumi i dosjeve për çdo gjyqtar të jetë shumë i lartë. Kjo sipas KLSH ka ardhur si efekt i mosplotësimit të shtesës organike të strukturës që ka mbetur peng i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. “Sistemi i Drejtësisë është ende në proces reformimi, në pritje të krijimit të institucioneve ligjore të reja , sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, si rrjedhim Gjykata Administrative Apelit-Tiranë është në përshtatshmëri të veprimtarisë së saj me frymën e reformës në drejtësi. Pikërisht moskrijimi i Këshillit te Lartë te Gjyqësorit (KLGJ) ka sjellë mosplotësimin e shtesës organike të strukturës me nëpunës civilë gjyqësore dhe me punonjës së strukturës administrative, e cila është domosdoshmëri absolute, për kushtet dhe natyrën e punës në GJAA-Tiranë. Konkretisht, si pasojë e fluksit të regjistruar të çështjeve administrative për gjykim si dhe të gjykuara deri në momentin e hartimit të këtij materiali, u konstatua ngarkesë voluminoze së punës së gjyqtarëve (70 dosje në muaj), rrjedhimisht është i nevojshëm dhe i domosdoshëm shtimi i organikës me sekretarë gjyqësor”- thuhet në raportin e KLSH. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë ka kërkuar në mënyrë shkresore rritje të organikës së saj por që nuk është miratuar, duke bërë që volume i dosjeve të jetë i papërballueshëm.

Rekomandimi i KLSH

Kontrolli i lartë i shtetit ka rekomanduar që Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe me Ministrinë e Drejtësisë, të gjejë mundësinë e dhënies së fondeve buxhetore për shtimin e strukturës organike me sekretarë gjyqësore dhe punonjës së strukturës administrative, në mënyrë që të sigurohet pavarësia e gjyqësorit, dhe t’i jepet zgjidhje mbingarkesës së çështjeve e mungesës së burimeve njerëzore.