FMN: Bëni kujdes me projektet e PPP-ve

838
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë edhe një herë theksin tek projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP) dhe kujdesin që duhet të tregojë qeveria në lidhje me zbatimin dhe monitorimin e tyre. Në një takim me ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, zv. Drejtori Ekzekutiv i FMN Tao Zhang shprehu gatishmërinë për dhënien e konsulencës ndaj qeverisë shqiptare. “Kapacitetet implementuese janë shumë të rëndësishme për PPP dhe FMN është e gatshme të punojë me qeverinë shqiptare, në mbështetje të angazhimit të sektorit privat dhe kontrollin e risqeve potenciale” është shprehur Zhang. Mes të tjerave ai nënvizoi edhe bashkëpunimin që FMN pati me qeverinë shqiptare në programin që u mbyll vitin e kaluar dhe ku u arritën një sërë objektivash të vendosura. Ministri Ahmetaj nga ana tjetër do të bënte një “paradë” të arritjeve në disa reforma kyçe ku mes të tjerave ajo në energji apo ligji për menaxhimin e financave vendore. Sipas kreut të Financave qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në vazhdimin e konsolidimit fiskal, uljen e borxhit publik dhe avancimin e reformave strukturore në ekonomi. “Ne jemi të bindur se pa vazhdim të reformave, nuk ka vazhdim të rritjes ekonomike për vendin. Ne kemi nisur një reformë të re në sektorin e ujit, ndërsa po vazhdojmë të thellojmë reformën në klimën e biznesit, tashmë më derregullimin dhe digjitalizimin e shërbimeve për sipërmarrjen dhe qytetarët, duke iu kursyer atyre kohë dhe para, përmes lehtësimit të procedurave, gjë që kemi bindjen se do të reflektohet edhe në raportin Doing Business”, tha Ahmetaj.
Sigal