Flet zv.ministri i Financave: Procesi nuk shtyhet, implementimi më 1 janar 2020

629
Sigal

Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë vijon procesi i konsultimit me grupet e interesit. Pak ditë më parë, ministrja Denaj njoftoj se diskutimet do të shtyheshin deri në mesin e muajit shtator.

Në një intervistë, Elton Haxhi, zëvendësministër, tha se po reflektojnë në projektligj komentet që po vijnë nga grupet e interesit. Për sa u përket kostove, ai pret që të ulen me rritjen e numrit të operatorëve që do të ofrojnë produktet fiskale.

Ndonëse shumë nga palët e interesit kanë artikuluar si shqetësim kryesor kohën e shkurtër për implementimin e kësaj platforme, Ministria ka për synim kryesor implementimin në 1 janar 2020.

 

Flet Elton Haxhi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë

 

Aktualisht Ministria është në proces konsultimi për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorit”. Si po ecën ky proces?

Ky ishte konsultimi i katërt që bëmë, e kemi nisur me shoqatat e kontabilitetit dhe auditimit, pasi janë profesionistë që ofrojnë shërbimet e konsulencës për të gjithë bizneset, apo për shumicën e tyre, në mënyrë që të merrnim komentet nga pjesa e profesionit që është e angazhuar me disa procese të fiskalizimit, apo të përgatitjes së librave kontabël.

Pastaj kemi bërë takimin e dytë me rëndësi të veçantë, me kompani apo shoqata që përfaqësojnë sektorin e Teknologjisë së Informacionit, për arsyen se janë kompanitë e këtij sektori që do të adresojnë produktet e fiskalizimit ose softuerët të cilët do të shërbejnë për fiskalizimin e faturave, qoftë me para në dorë apo pa para në dorë. Këta janë të rëndësishëm, pasi janë ata që duhet të nxjerrin në fillim produktet, të nxjerrin softuerët të cilët do të komunikojnë me sistemin qendror të faturimit, në mënyrë që bizneset t’i marrin këta softuerë dhe t’i fusin në përdorim për nevojat e biznesit të tyre.

Gjatë takimit me shoqatat e kontabilitetit morëm disa komente të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë, në lidhje me disa detaje të vogla të projektligjit. Në përgjithësi është mirëpritur ligji nga të gjitha palët, si një hap pozitiv në luftën kundër informalitetit edhe në aspektin e dixhitalizimit dhe të lehtësimit të transmetimit të informacionit nga biznesi tek administrata tatimore dhe më tej te përpunimi i informacionit në mënyrë elektronike nga administrata tatimore që do të adresojë edhe efikasitetin qoftë në kontrollin tatimor, edhe në menaxhimin e riskut nga administratat tatimore.

Komentet kanë qenë për adresimin e disa çështjeve specifike, në aspektin e lëshimit të faturës, skrapi, detaje periferike, që nuk përbëjnë një problematikë të vazhdueshme, të cilat mund t’i adresojmë qoftë në projektligj, por edhe në aktet nënligjore. Kryesisht është diskutuar limiti i arkës. Çështjet do të adresohen gjatë konsultimeve dhe ne jemi të gatshëm të reflektojmë çështje apo problematika që do të dalin gjatë këtyre tryezave.

Deri më tani do ta vlerësoja shumë pozitiv procesin e konsultimit. Sot kishim shoqatat e biznesit, të cilat përfaqësonin biznesin e madh dhe të vogël dhe morëm komente nga të dy këto grupe të mëdha. Të premten patëm këshillin tatimor, ku marrin pjesë edhe shoqatat e biznesit, së bashku me përfaqësues nga Tatimet dhe Financat. Kryesisht lind nevoja që të dalim sa më parë edhe me aktet nënligjore, por pa u definuar mirë ligji, mendojmë që nxjerrja e këtyre akteve do të ishte e përkohshme. Plani është që ligji të hyjë në miratim brenda muajit tetor, në mënyrë që nëntor – dhjetor të lihet për implementim.

Një nga shqetësimet, i artikuluar edhe nga biznesi, është koha e shpejtë e implementimit të kësaj platforme. A mendoni që biznesi ka mundësi që të përshtatet kaq shpejt me këtë sistem të ri?

Synimi ynë është që projektligji të hyjë në fuqi në janar. Ne planifikojmë që në tetor të miratohet ligji, ndërsa në nëntor-dhjetor të bëjmë certifikimin e produkteve, pajisjeve dhe softuerëve fiskalë. Mendoj se dy muaj kohë janë mjaftueshëm për certifikim, pasi kodet janë shpallur tashmë, janë bërë publike së bashku me specifikimet teknike. Edhe nga takimi që patëm me shoqëritë e zhvillimit të softuerëve pamë që kishte mjaft interes.

Kompanitë e softuerëve besoj se kanë kohën e nevojshme që të përditësojnë pajisjet e tyre ekzistuese. Dy muaj janë mjaftueshëm për t’i certifikuar. Ato mund të fillojnë testimin që në muajin shtator, pasi platforma është gati, dhe në nëntor – dhjetor ato mund të marrin certifikimet e softuerëve që kanë kaluar fazat e testimit. Për të gjithë taksapaguesit do të jetë mundësia që të zgjedhin atë produkt që u përshtatet biznesit të tyre. Shumica do të përditësojnë pajisjet që kanë.

Një nga hezitimet e biznesit është mbulimi me internet, por edhe ku ka mbulim, furnizim nuk është i vazhdueshëm. Përfaqësues të AKEP pohuan gjatë takimit se ka zona pa mbulim me rrjet. Si do të veprohet?

Në projektligj janë përcaktuar përjashtimet dhe trajtimi ndryshe i atyre zonave ku verifikohet që nuk ka mbulim me internet, me AKEP-in dhe me kompanitë e telekomunikacionit po diskutojmë çështjet specifike. Në projektligj janë përcaktuar disa deklarime që duhet të bëjë biznesi dhe ndër to është edhe përcaktimi i ofruesit të shërbimit të internetit. Kjo është kërkuar për vetë arsyen e monitorimit të funksionimit të internetit. Projektligji parashikon edhe mosmbulim fare me internet dhe për atë zonë gjeografike do të funksionojnë rregulla të veçanta. Projektligji parashikon edhe rastet e përkohshme të mungesës së internetit, e cila do të verifikohen nëpërmjet ofruesit të internetit.

Projektligji parashikon një procedurë të caktuar për lëshimin e kuponit tatimor dhe faturën tatimore, në momentin e parë që lidhet me internetin do të kryhet transmetimi i të gjitha transaksioneve që janë kryer gjatë kohës për internet.

Keni bërë një vlerësim sa do të jenë kostot që do t’i shtohen biznesit nga implementimi i këtij sistemi?

Për çështjet e internetit, sistemi nuk kërkon shpejtësi jashtë normales, e cila ofrohet në vendin tonë, pra në këtë aspekt nuk besoj se do të ketë nevojë për ndryshime në shpejtësi apo në kapacitet. Çdo lidhje ekzistuese besoj se përballon funksionimin e sistemit.

Në lidhje me kostot e tjera e kemi deklaruar se ajo që mund të parashikojmë ne është firma dixhitale, e cila është një kërkesë e këtij projektligji për t’u pajisur, por jo vetëm, pasi ajo do të përdoret edhe për çështje të tjera siç janë transmetimi elektronik i të dhënave apo të autentifikimit nga e-albania, por edhe nga shërbime të tjera elektronike që ofrohen në Shqipëri.

Për firmën dixhitale është diskutuar me AKSHIN për të ulur në maksimum kostot e saj. Për momentin përllogaritet që të jetë diku te 4000-4500 lekë në vit, që është më pak se sa mirëmbajtja e kasave fiskale. Për çështjet e softuerëve mendojmë që hapja e tregut, nga tri kompani të autorizuara që kishin të drejtën të ofronin pajisje fiskale në një numër më të madh, do të ndikojnë pozitivisht te kostot.

Me sa pashë, interesi ishte i madh nga ana e kompanive që operojnë në ICT, ndaj mendoj se do të rritet oferta e këtyre pajisjeve fiskale. Teknologjia është e tillë që jo domosdoshmërisht duhet një pajisje fiskale, pra mund të jetë një smartphone, tablet apo PC, që mund të kryejë funksionin e pajisjes fiskale.

Një biznes i thjeshtë mund të përdorë thjesht një smartphone ku do të instalojë një softuer të certifikuar nga AKSHI, që komunikon të gjithë të dhënat siç janë specifikimet teknike. Liberalizimi i harduerit dhe i operatorëve që do të ofrojnë këtë softuer, besoj se do të ulë kostot. Bizneset e reja do të kenë kosto shumë më të ulëta.

Mendoni se është diçka avangardë për t’u zbatuar në Shqipëri, duke pasur parasysh nivelin e njohurive në zonat jashtë Tiranës?

Kompanitë që kanë ofruar pajisjet fiskale nuk janë të përjashtuara nga gjithë ky proces. Besoj se do t’u përgjigjen të gjitha niveleve të njohurive që kanë individët. Ne nuk mund të parashikojmë se si do të reagojnë ofruesit e këtyre shërbimeve në këtë fazë, duke qenë se është një kod i hapur (opencode). Produktet do të jenë mundësisht falas. Do ketë thjesht një shërbim në rast defektesh.

Është thënë se do të nisë testimi në shtator. Dhe në tetor do të nisë një projekt pilot me disa biznese. Si do të përzgjidhen këto biznese dhe çfarë sektorësh?

Çdo biznes do të ketë mundësi ta testojë vetë. Do të hapet mundësia që çdo biznes të testojë, për të parë nëse bën për të apo, por nuk është se ne do të zgjedhim bizneset dha të pilotojmë. Megjithatë mund të konsiderojmë edhe një gjë të organizuar për nga administrata tatimore në bashkëpunim me AKSHIN, për momentin nuk është se ka ndonjë plan që ne të përzgjedhim bizneset.

Sa janë gjasat që të shtyhet implementimi?

Ne kemi target që ta implementojmë më 1 janar të 2020. Procesi i konsultimeve do të shërbejë edhe për këtë qëllim, por ne nuk mbështesim një shtyrje të implementimit për momentin. Ministria e Financave i qëndron implementimit në këtë datë. Nëse gjërat shkojnë ashtu siç janë planifikuar, pra nëse në tetor Parlamenti e miraton këtë ligj, dhe nëse kompanitë që do të ofrojnë softuerët do të jenë gati në tetor që të certifikojnë produktet e tyre, implementimi do të bëhet sipas afateve që janë përcaktuar.

Ne do të punojmë në informimin, sensibilizim, trajnimin dhe transferimin e njohurive nëpërmjet qendrave të informimit për këtë projekt.

Edhe kompanitë që do të angazhohen në këtë proces do të jenë pjesë e transferimit të këtyre njohurive për të dhënë informacionin e nevojshëm, që të ndihmojmë kontaktet midis tyre, për të qenë gati në 1 janar. Implementimi me faza nuk është mënyra e duhur për të filluar këtë proces, pasi do të ketë dy sisteme të ndryshime, edhe transmetim dhe kryqëzimi i informacionit është një implementim që nuk do të shërbente askujt.

Një nga qëllimet kryesore është ulja e informalitetit. Një nga shqetësimet e biznesit të vogël është kthimi në të kundërt. E keni një vlerësim si do të ndikojë në uljen e informalitetit i gjithë ky proces?

Ky është një hap cilësor në transferimin e informacionit në kohë reale që do të thotë se monitorimi është shumë herë më i mirë. Puna në terren duhet të vazhdojë nga ana e administratës tatimore edhe pas fillimit të sistemit. Në aspektin e transmetimit të informacionit është element i shtuar i kontrollit tatimor.

Lufta do të jetë e kombinuar ndryshe midis inspektimit në terren dhe në distancë. Monitorimi në distancë do të jetë më i mirë, si për analizën e riskut, për kryqëzimin e informacionit, për adresimin e problematikës me NIPT-et pasive. Me implantimin e këtij sistemi NIPT-et pasive nuk do të mund të hyjnë dot në transaksione, as nuk do të blejnë, as nuk do të shesin. Shumë çështje të tjera që do të zgjidhen edhe me implementimin e transaksioneve b2b, e-invoice dhe transmetimin e të dhënave të likuidimit të faturave nëpërmjet bizneseve nga sistemi bankar. monitor