Fiskalizimi, bizneset bëhen lëmsh me faturat elektronike. Tatimet nuk japin më blloqe, rrezikojnë aktivitetet

444
Sigal

Fiskalizimi, bizneset bëhen “lëmsh” me faturat

100 mijë subjekte do përfshihen në faturimin elektronik

Ekspertët dhe kontabilistët shprehin shqetësimin se kur sistemi shfaqi probleme me funksiononim, a do të arrijë ai të përballojë ngarkesën, kur të përfshihen të gjitha subjektet në shtator?!

Faza e dytë e fiskalizimit, që nisi në 1 korrik, për transaksionet pa para në dorë midis taksapaguesve (B2B), po shoqërohet me shumë problematika. Pezullimi i gjobave deri në fund të vitit, ka bërë që shumë subjekte të lëshojnë fatura të pafiskalizuara, me pretendimin që nuk ka gjoba.

“Gjithë faturat që më erdhën sot nga biznese të mëdha, ishin të gjitha me sistemin e vjetër, pra me fatura nga blloku i TVSH-së, meqë u miratua heqja e gjobave deri në fund të vitit”, thotë një kontabilist. Shumë subjekte po faturojnë me blloqet e vjetra, duke e vendosur datën e transaksionit para korrikut. Teksa shumë biznese, nga 34 mijë subjektet që duhet të përfshiheshin në fazën e dytë, nuk e kanë kryer ende fiskalizimin, subjektet që kanë filluar ta zbatojnë atë, janë të paqarta nëse duhet të pranojnë faturat me blloqe, pasi tremben se nuk do t’u njihen si shpenzime të zbritshme, apo nuk do u njihet TVSh e rimbursueshme. Subjektet ende nuk e dinë se si do të procedohet për transaksionet mes bizneseve të fiskalizuara dhe të pafisklazuara për B2B, apo si do të bëhet deklarimi i librave të shitjes e blerjes për korrikun.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, pohoi dje, në Komisionin e Ekonomisë se, bizneset e pafiskalizuara nuk do gjobiten për përdorimin e blloqeve tatimore. “Mosaplikimi i gjobave do të lidhet me faktin që, të gjitha bizneset që nuk janë fiskalizuar, do të vazhdojnë të përdorin blloqet tatimore, deri në momentin e fiskalizmit. Nga drejtoria e tatimeve, do të bëhet një njoftim se si do të funksionojnë bizneset, që nuk janë fiskalizuar ende”, tha ajo.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha për ‘Monitor’ se, problemi nuk është falja e gjobave nëpërmjet miratimit të aktit normativ, por pranimi i faturave të blerësve, a do t’u njihet atyre TVSH-ja, a do t’u zbriten shpenzimet. “Ligji i qarkullimit të faturave, përcakton se nëse ajo nuk është e fiskalizuar, nuk njihet si shpenzim i zbritshëm, nëse nuk është fiskalizuar. A do të konsiderohet kjo procedurë, që përcaktohet në këtë ligj dhe jo te ligji “Për procedurat tatimore”. Sipas ligjit për TVSH-në a do të njihet në këtë rast TVSH-ja e kreditueshme te atyre faturave që duhet të ishin fiskalizuar dhe nuk janë të tilla. Edhe kjo nuk sqarohet nga tatimet, por vetëm thonë janë hequr penalitet, ndërkohë këto procedura nuk lidhen drejpërdrejt me penalitetet.

Mendoj se bizneset në fazën B2B që kanë probleme me fiskalizimin, si p.sh rezulton që nuk janë regjistruar nuk kanë zgjidhje tjetër vecse të lëshojnë fatura me sistemin e vjetër, derisa të regjistrohen. Problemi është te bizneset blerëse. A duhet t’i pranojnë këto fatura? Prandaj është e domosdoshme një sqarim nga drejtoria e tatimeve, që për këto fatura nuk do të ketë penalitete dhe do njihen si shpenzime të zbritshme”, thekson Dhamo.

100 mijë subjekte do përfshihen në fiskalizim

Ekspertët fiskalë kishin kërkuar që të lihej më shumë kohë për fiskalizimin dhe ai të mos fillonte njëherësh, por të testohej me sektorë të ndryshëm, në mënyrë që të bëheshin më të qarta problematikat. Ndërsa për heqjen e gjobave, ndërkohë që fiskalizimi filloi zbatimin, ata paralajmëruan se është masë e pamenduar fare dhe e pastudiuar, veç do rrisë evazionin, do keqësoje edukimin e tatimpaguesve, do ndëshkojë në një etapë të dytë me mijëra biznese.

Dhoma e tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, në një përgjigje drejtuar Ministrisë së Financave argumentonte se: “Ashtu siç kanë vepruar shumë vende evropiane, periudha e testimit të platformës të faturës elektronike do të duhet domosdoshmërisht të shtyhet. Është shumë e rëndësishme, jo vetë që të mos aplikohen penalitete, por të evidentohen problemet dhe të mbështeten sipërmarrjet, në përballimin e kostove për kualifikimin e stafit, që do të aplikojë në platformën e faturave elektronike.

Adoptimi i programeve të reja kompjuterike, mirëmbajtja e sistemit, kostot dhe periudha e trajnimit të stafit brenda kompanisë, ashtu edhe vetë testimi i platformës së faturës elektronike, forcon bindjen tek sipërmarrja nevojën për shtyrjen e afateve ligjore për zbatimin e kësaj reforme, përtej vitit 2021”, thuhet në mendimin e Dhomës.

Drejtoria e tatimeve ka bërë të ditur se deri tani 22 mijë subjekte janë pajisur me certifikatë elektronike, që është hapi i parë për fillimin e procesit të fiskalizimit, pasi mundëson kryerjen e nënshkrimit elektronik. Bizneset ankohen ndërkohë dhe në vonesa në marrjen e certifikatës elektronike.

Nga 1 shtatori fillon dhe faza e tretë dhe e fundit e fiskalizimit për transaskionet në cash mes bizneseve dhe konsumatorëve, ku do të përfshihen gjithë bizneset e vogla, përveç ambulantëve. Zv.ministrja e financave Vasilika Vjero, tha në Komisionin e Ekonomisë se, janë më shumë se 100 mijë tatimpagues që do të hyjnë në procesin e fiskalizimit, sipas afateve kohore të përcaktuar në ligj. Ajo shtoi se nuk do të ketë më shtyrje. “Nga 1 janari 2022 do të fillojë të funksionojë çdo gjë sipas legjislacionit, nuk do të jetë në fuqi heqja e gjobave”.

Ekspertët dhe kontabilistët shprehin shqetësimin se, kur sistemi shfaqi probleme me funksioninim, a do të arrijë ai të përballojë ngarkesën, kur të përfshihen të gjitha subjektet në shtator?!

Bizneset nuk po lëshojnë fatura të fiskalizuara për import-eksport

 Tatimet nuk japin më blloqe, rrezikohet bllokimi aktiviteteve 

Nga 1 korriku 2021 nisi fiskalizimi për 34 mijë biznese që bëjnë transaksione mes tyre, pa para në dorë. Një javë pas nisjes të procesit, bizneset janë të paqarta për procedurën që duhet të zbatojnë në lëshimin e faturave elektronike, kur duhet të ndërveprojnë me biznese të pafiskalizuara. Problematika më e mprehtë aktuale sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo, është mosnjohja e TVSH-së dhe shpenzimeve të zbritshme për blerësin, i cili është i detyruar të pranojë edhe fatura tatimore të lëshuara nga blloqet.

Shqetësime të tjera me të cilat po përballen këto ditë bizneset, sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo, janë që nga mosbërja e faturës së eksportit, importet dhe për pagesat me bankë. “Probleme janë krijuar edhe për fiskalizmin e faturave në rastet kur pagesa bëhet me bankë, kush do ta paguajë klientin në kohë, pasi siç shprehen bizneset nëse pagesa nuk bëhet në kohë nuk shfaqet në platformë”.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo ngre si shqetësim edhe për kompanitë e certifikuara për programet software, ku disa prej tyre nuk janë në gjendje të hartojnë faturën në formatin e duhur dhe për të përcjellë të dhëna në formatin e duhur.

“Shumë kompani të certifikuara për zgjedhjet software nuk janë të certifikuara për të gjitha transaksionit dhe kjo po krijon probleme te biznesi, pasi nuk di si të veprojë. P.sh një program i blerë nga biznesi nga kompanitë e certifikuara nuk është në gjendje të nxjerrë fatura shoqëruese, ose të eksportit. Në këtë rast është përgjegjësi e drejtorisë të tatimeve që ka publikuar një listë me kompanitë e certifikuara që nuk janë në gjendje të kryejnë të gjitha shërbimet e fiskalizmit. Pra në këtë rast administrata tatimore duhet të ndante llojet e kompanive të certifikuara, në ato për faturat elektronike, ato për nxjerrjen e faturave me pagesa në dorë, për faturat me kasa etj.”.

Bizneset që punojnë me programet e kontabilitetit janë të detyruara të bëjnë përditësimin e tyre që të realizohet ndërlidhja me zgjedhjet softëare. Sotiraq Dhamo thotë se ata që do të vazhdojnë të qëndrojnë me të njëjtin program mund të riskojnë të mos bëjnë pasqyrat financiare deri në këtë periudhë, pasi zbatimi i këtyre ndryshimeve në mes të vit sjell këto probleme. “Disa kompani duhet të ndryshojnë komplet programin, ndërsa disa kompani të tjera mund të punojnë me programin aktual deri në 30 qershor, ta mbyllin atë dhe t’i çelësh nga para (i njëjti program, por me funksionalitete të ndryshme) dhe kjo do të sjellë që viti të ndahet në dy pjesë”, tha Dhamo.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në total parashikon që procesi i fiskalizimit të zbatohet për mbi 100 mijë biznese. Në fazën e dytë sipas të dhënave të tatimeve do të përfshihen 34 mijë biznese. Nga 1 shtatori fiskalizimi do të zbatohet për biznesin e vogël për transaksionet me para në dorë.

As fiskalizim, as blloqe, bizneset rrezikojnë bllokimin e aktivitetit 

Kontabilisti Arman Mala thotë se një tjetër problem që është shfaqur, lidhet me blloqet e faturave. Bizneset që kanë nisur procesin e fiskalizimit, pra që janë në fazën që kanë aplikuar për certifkatën digjitale por nuk u është miratuara akoma, po paraqiten në Tatime për të tërhequr blloqe. Por, nga tatimet nuk u jepen më blloqe, me argumentin se janë në proces të fiskalizimit. Kjo, thotë Mala, është më e rëndë sesa gjoba që do falin, pasi bizneset rrezikojnë bllokimin e aktivitetit.

Edhe subjekte të tjera ankohen se, prej një jave, Drejtoritë Rajonale nuk kanë në magazina blloqe TVSH-je, ndërkohë që nuk është ndaluar përdorimi i tyre!