Fasonistët: Ligji i ri i TVSH-së, pa udhëzimet, rrezikon kontratat e 2015-s

744
Sigal

Heqja e statusit si “i përjashtuar nga tvsh” për nënkontraktorët, rikthim në ligjin e mëparshëm

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) i ka kërkuar qeverisë që të plotësojë me aktet e nevojshme nënligjore, zbatimin e ligjit të ri të TVSH-së.

Më 1 janar 2015 nënkontratorët e fasonëve përfshihen në pagesën e TVSH, sipas ndryshimeve të reja, veprim ky që sipas shoqatës së fasonistëve rrezikon të çojë në ndërprerjen e marrëdhënieve me nënkontraktorët brenda sektorit fason. Sipas fasonistëve, pasojat për rrjedhim janë: mbyllje të plota ose të pjesshme të ndërmarrjeve nënkontraktore, pra falimentim biznesesh dhe rritje të papunësisë; më pak kontrata në sasi të sektorit fason si rezultat i mungesës së bashkëpunimit brenda sektorit, pra më pak eksporte; ulje të konkurrueshmërisë në tregun ndërkombëtar, si rezultat i mungesës së fleksibilitetit brenda sektorit.

“Ligji i ri për TVSH ka një ndryshim shumë të rëndësishëm për sektorin e rregjimit të përpunimit aktiv (fason). Ky ndryshim ka të bëjë me marrëdhëniet me nënkontraktorët. Ai konsiston në heqjen e statusit si ” i përjashtuar nga tvsh” për nënkontraktorët, të cilët me këtë status nuk e faturonin TVSH për shërbimin dhe gjithashtu nuk rimbursonin TVSH për blerjet. Ky ndryshim nuk është gjë tjetër, por rikthim në ligjin e mëparshëm”, thuhet në njoftimin e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve.

Pavarësisht këtyre objeksioneve të anëtarëve të DHKPV, Ministria e Financave i ka miratuar tashmë ndryshimet, sipas të cilave (Neni 25/6*)

 “1. Kryerja nga nënkontraktorët e furnizimit të shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare, të destinuara për t’u rieksportuar për personat e tatueshem të autorizuar mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacione nën regjimin e përpunimit aktiv, është furnizim i përjashtuar.

2. Ministria e Financave përcakton me udhëzim dokumentacionin e nevojshëm, për zbatimin e përjashtimit”.

Rreziku i ndryshimeve pa udhëzimet përkatëse

Sipas ndryshimeve të mësipërme, duke filluar nga 1 Janar 2015, sektori i regjimit të përpunimit aktiv do të ndodhet përballë disa të panjohurave, që vijnë edhe nga mungesa e akteve nënligjore. Edhe pse tanimë është koha e lidhjes së kontratave me nënkontraktorët, subjektet e DHKPV në fushën e veshjeve dhe këpucëve e kanë të vështirë të lidhin kontrata afatgjata, duke mos njohur asnjë dokumentacion plotësues, urdhër, udhëzim etj., të cilat vijojnë të mungojnë.

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, i kërkon me urgjencë autoriteteve publike, sidomos atyre të DPT, të bëjnë gati aktet nënligjore (udhëzimin përkatës) dhe të sigurojnë në mënyrën sa më të shpejtë të mundshme njohjen e sipërmarrjes me këtë akt. Mungesa e tij dëmton subjektet dhe ka krijuar një paqartësi edhe për investitorët e huaj.

DHKPV shpreson dhe mirëpret angazhimin e autoriteteve publike për këtë domosdoshmëri në funksionimin normal të sipërmarrjes në fushën e veshjeve dhe këpucëve.