Eurostat: Shqipëria dhe Kosova, të fundit për turizëm

447
Sigal

Eurostat: Shqipëria dhe Kosova, të fundit në rajon për turizëm

Turizmi është një nga sektorët prioritarë ku po mbështetet ekonomia e vendit, por krahasuar me rajonin Shqipëria, së bashku me Kosovën, po tërheqin më pak turistë se vendet e rajonit. Eurostat ka publikuar sot të dhënat turistët që kanë vizituar vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Për t’i bërë shifrat e krahasueshme Eurostat ka përllogaritur numrin e tyre për 1000 banorë rezidentë. Ndonëse kanë pasur përmirësim që prej 2012-s, të dhënat tregojnë se turistët në Shqipëri dhe Kosovë ishin shumë më të pakët në numër se në vendet e tjera të rajonit. Sipas Eurostat në 2017-n Shqipëria u vizitua nga 100 turistë për 1000 banorë, ndërsa Kosova diçka më shumë. Në rajon për numrin më të lartë të turistëve kryeson Mali i Zi, i cili vit pas viti po tërheq më shumë turistë, duke kaluar dhe mesataren e BE-së. Për 2017-n numri i turistëve për 1000 banorë ishte 1200. Ndonëse nuk kanë det, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina kanë tërhequr më shumë turistë se Shqipëria në 2017-n. Maqedoninë e vizituan mesatarisht 300 vizitorë për 1000 banorë, ndërsa Bosnjën mbi 200 turistë/1000 banorë. Të ndjekur nga Serbia me rreth 200 turistë për 1000 banorë. Në një prezantim për turizmin në rajon në Samitin Adriatiko-Jonian të zhvilluar në Budva pak javë më parë, dr. Sanja Cizmar, nga Kroacia, konsulente për hotelerinë dhe destinacionet, tha se sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria dhe Serbia kanë indeks të ulët të intensitetit të turizmit, i matur si numri i netëve të të huajve për banor. Për Kroacinë, ky tregues është 20.3, për Greqinë 8.5, për Malin e Zi 6, për Italinë është 3.5 dhe në fund janë Shqipëria me 1.1 dhe Serbia me 0.5. Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.8. “Rajoni ka diversitet të madh dhe burime të bollshme”, tha ajo. “Turizmi është një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, megjithatë ai ka një sezonalitet të madh dhe një shpërndarje të pabarabartë sipas rajoneve”. Sipas Këshillit Botëror të Turizmit, më konkurrues në rajon janë Italia, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia dhe në fund janë Shqipëria dhe Bosnja, sipas raportit të fundit, i vitit 2017. “Sezonaliteti është tipar edhe në Evropë. 53% e mbërritjeve në Evropë janë në 4 muaj”, tha ajo. Por, në rajon, ky tregues është më i lartë. Në Shqipëri shifra është 77% dhe i referohet vetëm të huajve. Në Kroaci është më e lartë, me 85%, pasi 60% të shtretërve janë akomodime private që operojnë vetëm dy deri në tre muaj në vit. Ndërsa Italia, Sllovenia, Serbia kanë përqindje të ngjashme me Evropën, sepse kanë produkte bazë të tjera./Monitor