ERE vendos sot për çmimin e ri të energjisë elektrike më 2015

702
Sigal

TIRANE- Sot duhet të marrin fund spekulimet lidhur me masën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, për t’i hapur rrugë, ndoshta, betejës në fushën politike lidhur me ndryshimin e mundshëm.

Enti Rregullator i Energjisë ka planifikuar në Hotel Tirana seancën dëgjimore me tre operatorët kryesorë, pas aplikimeve që të tre ata kanë dorëzuar lidhur me tarifat për vitin e ardhshëm.

Dje ERE ka publikuar tabelat e konsoliduara, sipas kërkesave të KESH, OST dhe OSHEE, me çmimin final që mund të rezultojë, në rast se do të miratohen 100% kërkesat e tyre. Në rast se komisionerët e ERE-s bien dakord me kërkesat e ndërmarrjeve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, tanimë të treja në pronësi të shtetit shqiptar, çmimi përfundimtar për konsumatorët familjarë do të ishte vetëm me një tarifë, 11.08 lekë për kilovatorë, si për ata që konsumojnë më pak se 300 kWh në muaj, ashtu edhe për konsum më të lartë se kaq.

Për bizneset që furnizohen me tension të ulët, si familjarët, çmimi do të ishte i diferencuar, nga 9.56 lekë për furrat e bukës, deri tek 15.36 lekë për tregtinë e shërbimet, gjithnjë vetëm me një tarifë. Institucionet shtetërore do të paguanin më shtrenjtë se të gjithë konsumin e energjisë elektrike, me 17.59 lekë për një kilovatorë.

Kërkesat e të tre operatorëve kanë qenë në rritje, pas një periudhe trevjeçare “moratoriumi”, gjatë së cilës nuk ka patur ndryshim çmimi. Kështu, KESH ka kërkuar të mos ndryshohet tarifa për prodhimin e energjisë (1 lek për kilovatorë), por rritje 51.8 për qind të tarifës së shitjes me shumicë, nga 2.2 në 3.34 lekë. OST gjithashtu ka kërkuar 12.8 për qind rritje çmimi për shërbimin e vet, duke kaluar nga 0.65, në 0.73 lekë.
Së fundi, shitësi me pakicë OSHEE ka kërkuar 38% më shumë për tarifën e shërbimit të shpërndarjes dhe kështu çmimi mesatar fundor do të rezultonte me 29.3 për qind rritje.

Kërkesat pasqyrojnë një situatë shumë të vështirë, madje prag kolapsi, për gjithë sektorin elektroenergjetik shqiptar, me një mal borxhesh të ndërsjellta dhe kredi të rënda nga brenda e jashtë vendit. Opozita po bën presion politik kundër rritjes së çmimit që, në fakt nuk vendoset nga Ekzekutivi, por nga Enti Rregullator, që është një institucion i pavarur parlamentar, që gjykon në rrugë teknike dhe jo politike. Nga ana tjetër, marrëveshjet me FMN dhe Bankën Botërore kanë qenë të kushtëzuara me rritjen e arkëtimeve dhe pagesën e detyrimeve, për çka qeveria ka vënë në lëvizje edhe ndëshkime deri në burgim për debitorët.