EPCA: Duam më shumë vëmendje nga Qeveria, realizuam 4.5 miliardë lekë eksporte në 2018-n

552
Sigal

Industria e bimëve mjekësore të Shqipërisë prezanton Masterplanin Kombëtar të Punësimit

Kryetari i Shoqatës së Kultivuesve, Prodhuesve dhe Eksportuesve Esencave dhe të Bimëve Mjekësore të Shqipërisë, Xhavit Hysenaj kërkoi dje më shumë vëmendje për industrinë e bimëve mjekësore, që kanë potencial të lartë zhvillimi në drejtim të eksporteve dhe punësimit.

Hysenaj u shpreh se në vitin 2018 “industria jonë, për herë të parë pas viteve 1990, realizoi më shumë se 4,5 miliardë lekë eksporte, si dhe industrializimin e industrisë së bimëve mjekësore dhe aromatike. Kompani të veçanta, anëtare të EPCA, arritën edhe mbi 500 milionë lekë eksporte në vit, duke ndihmuar në mënyrë domethënëse ekonominë dhe familjet shqiptare, si dhe buxhetin e shtetit për taksat që paguajnë sipas ligjit. Ne gjykojmë se arritjet e vitit që kaluam ishin domethënëse, por nuk tregojnë mundësitë reale të kësaj industrie në Shqipëri”, deklaroi kryetari i EPCA, i cili më tej shtoi “Kjo ka qenë arsyeja që, për një kohë të gjatë, në bashkëpunim me stafin akademik të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe kapacitetet intelektuale të shoqatës sonë, nxitëm dhe realizuam një studim të thelluar për të vlerësuar kapacitet optimale të kësaj industrie për të shumëfishuar numrin e të punësuarve dhe katërfishuar eksportet, sigurisht pa kërkuar asnjë
financim nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.”

Masterplani Kombëtar i Punësimit

Industria e bimëve mjekësore ka prezantuar Master Planin Kombëtar të Punësimit,

“Në 4 kolonat e mbështetjes së masterplanit që janë:
(a) Eksportet e BAM Natyrale (të egra) mund të arrijnë deri në 110 milionë Euro në vit!

(b) Eksportet nga rehabilitimi i Blloqeve të degraduara me BAM mund të arrijnë deri në 30 milionë Euro në vit!

(c) Eksportet nga Blloqet e kultivuara me BAM dhe shtimi i tyre bazuar në një material gjenetik mbjellës, i kontrolluar nga institucionet përgjegjëse me parametra optimale, përcaktuar nga Industria mund të arrije deri 43 mln euro në vit.
Eksportet nga përpunimi i thelluar në vajra esencialë, nga BAM mund të arrijnë deri në 18 milionë Euro në vit!
Bazuar në këto rrugë konkrete, besojmë se brenda 8 -10 viteve:
a) Mund të arrihen 200 milionë Euro eksporte nga 45 milionë në 2018-n,
b) Mund te sigurohen 43 000 vende pune me kohë të plotë nga 12 500 që janë sot.
c) Shtesa e fondeve në buxhet nga shteti do të jetë shumë e limituar.
Masterplani është një studim konkret, i bazuar në resurset tona njerëzore dhe natyrore, por edhe në përvojën që kemi fituar në rreth 3 dekada që menaxhojmë këtë industri.
Për këtë qëllim kërkojmë:

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural


– Të përfshijë këtë industri në projektet e Bashkimit Evropian dhe ato të qeverisë Shqiptare për të financuar kompanitë tona nëpërmjet programit kombëtar dhe atij të BE. Pasi ne i kemi aftësitë dhe strukturat reale për të thithur këto fonde.

– Të na përfshijë në diskutimet strategjike në ato raste ku bëhen politika për industrinë tonë.

– Të krijojë mbështetjen e duhur ligjore dhe financiare për ofrimin e fermerëve të një materiali gjenetik brenda parametrave optimale sipas kërkesave të industrisë, të cilat lidhen ngushtësisht me tregjet botërore të BAM, duke bashkëpunuar me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit

– Të ndërhyjë me ndryshimet e nevojshme të legjislacionit të vjetër për mirëmbajtjen, marrjen në përdorim dhe shfrytëzimin e blloqeve me Bimë Aromatike Mjekësore natyrale.

– Të shkurtohen dhe të ndryshohen procedurat e lejeve të vjeljes dhe të bëhen konkretisht të realizueshme. Sot duhet një mal me dokumente si dhe 6-18 muaj kohë për të marrë një leje vjelje, e cila çon në vjeljen pa leje dhe informale.

Qeveria Shqiptare
Kërkojmë me këmbëngulje vëmendjen e qeverisë dhe të institucioneve të saj në mbështetje të zbatimit të këtij masterplani, i cili duhet të përfshijë të gjithë aktorët e mësipërm dhe gjithashtu kontributin e kërkimit shkencor nga Universiteti Bujqësor. Produktet dhe esencat e industrisë sonë eksportohen në gjithë globin, nga shtetet e Bashkimit Evropian, në Australi e USA e deri në Kanada, Indi dhe Kinë. Mbi 65% e sherbelës që hyn në SHBA është e markës “Made in Albania“, ndërsa industria sot shënon jo vetëm investitorë shqiptare, por edhe një numër të konsiderueshëm investitorësh të huaj amerikanë, turq, gjermanë edhe italianë. Ne gjykojmë se koha nuk pret dhe se burokracitë nga pushteti lokal dhe segmente të veçanta në kundërshtim edhe me ligjet ekzistuese, po e dëmtojnë dhe nuk po e lejojnë të ecë përpara kjo industri.