Energjitika, 292 mln euro borxh, 13 mijë punësime provizore

329
Sigal

Kompanitë e energjetikës i kanë borxh buxhetit, 292 mln euro

 

Borxhi i tyre ndaj arkës së shtetit është rritur prej pamundësisë që ato kanë pasur kryesisht për të shlyer kreditë që kanë marrë me garancinë e qeverisë

Kompanitë publike të energjetikës e kanë përkeqësuar gjendjen e tyre debitore ndaj qeverisë. Sipas një analize të posaçme që ka publikuar Ministria e Financave deri në fund të vitit 2020, borxhi që kompanitë publike i kishin buxhetit të shtetit, arriti në 36 miliardë lekë, ose 292 milionë euro. Borxhi i tyre ndaj arkës së shtetit është rritur prej pamundësisë që ato kanë pasur kryesisht për të shlyer kreditë që kanë marrë me garancinë e qeverisë.

Borxhet afatgjata të OST dhe OSHEE janë hua nga donatorë (koncesionare), të nënshkruara nga KESH dhe transferuar tek OST/OSHEE pas procesit të ndarjes në 2004, dhe nën-hua.

Ministria e Financave sqaron se, shlyerja e plotë e kësteve që prej vitit 2017, ka qenë sfiduese për të gjitha kompanitë, përfshi dhe detyrimet e vetë KESH-it. Shumat që i detyrohen kompanitë e energjetikës  qeverisë në formën e kredive, është dyfishuar nga 2017 në 2020, duke arritur mbi 30 miliardë lekë. Me gjendjen aktuale të likuiditetit vjetor të kompanive lind nevoja e ristrukturimit të borxheve afatgjata bazuar në rregulla të qarta korrektimi në rast se vonesat e ripagesave përsëriten, analizon Ministria e Financave.

Nga totali i detyrimeve ndaj buxhetit prej rreth 36 miliardë lekësh, 5.6 miliardë lekë ishin detyrime për taksa të papaguara dhe rreth 30 miliardë lekë ishin kredi, që buxhetit i shtetit i pagoi në vend të kompanive.

Ministria e Financave thotë se, trajtimi i detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë ka qenë një proces sfidues për shkak të nivelit të lartë të detyrimeve të trashëguara dhe akumulimit të detyrimeve të reja.

Procesi i konsolidimit të detyrimeve të mbartura është menaxhuar përmes një marrëveshje ristrukturimi afatgjatë mes kompanive. Si rezultat i zbatimit të reformës në sektor, janë akumuluar dhe disa detyrime te reja mes kompanive (rreth 4 miliardë lekë gjatë 2017-2010).

Detyrimet e prapambetura nga njësitë e tjera publike, veçanërisht ndërmarrjet e ujit, mbeten problem për shkak të mekanizmit të dobët të ekzekutimit të pagesave. Për rrjedhojë, procesi i reduktimit të detyrimeve të prapambetura dhe parashikueshmëria e të ardhurave janë penguar, duke krijuar vështirësi për likuiditetin dhe planet e investimit në sektor.

Ministria e Financave shprehet se, marrja e masave për të ndaluar akumulimin e borxheve të reja është një parakusht i rëndësishëm për reduktimin e përgjithshëm të detyrimeve prapambetura në sektor.