Energjia, familjarët do paguajnë me këste. 80 % ulje për kamatëvonesat

810
Sigal

ERE: Në 5 dhjetor vendimi për çmimin

 Enti Rregullator i Energjisë më 5 Dhjetor pritet të bëjë publik vendimin që ka marrë përballë kërkesave të tre operatorëve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Pas seancave dëgjimore me Korporatën Elektro-energjetike Shqiptare, Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ERE në një seancë zyrtare të hapur për mediat mëngjesin e 5 Dhjetorit, do të japë vendimin e saj.

OSHEE ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike ndaj konsumatorëve familjarë me 5 lek/kwh, pra nga 7 lek/kwh që është sot kërkon që çmimi të jetë në 12 lek/kwh.

KESH ka depozituar kërkesën pranë ERE-s duke kërkuar që çmimi të rritet nga 2.2 lekë/kwh, në 3.4 lekë/kwh për energjinë e shitur tek OSHEE.

Ndërsa OST nga 0,65 lekë/kwh që transmeton sot energjinë në transmetim, kërkon të bëhet 0,71 lek/kw, dhe kjo tarifë që i faturohet OSHEE-së.

Nga data 1 janar 2015, heqja e fashës 300 kwh/muaj pritet të ndryshojë çmimin e energjisë, që sot është 7.7 lek/kwh, por se sa do të jetë ky ndryshim, i mbetet vendimit që duhet të merret nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Vetë kryeministri Rama u shpreh nga qyteti i Fierit se çmimi do të jetë i mesatarizuar.

 Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE-së: Ja kushtet lehtësuese për debitorët familjarë

Sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE, të gjitha familjet shqiptare, të cilat kanë fatura të pashlyera të energjisë elektrike dhe janë prej vitesh debitore, do të kenë ulje deri në 80 % të kamatëvonesave, nëse i shlyejnë këto fatura të prapambetura deri më 1 Mars të vitit 2015. Sipas vendimit, familjet në nevojë do të kenë mundësinë t’i shlyejnë pagesat e prapambetura me anë të kësteve deri në 2 500 lekë në muaj, ndërsa për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës sociale kësti mujor i pagesës nuk mund të jetë më i vogël se 1,000 lekë në muaj. Por nga ana tjetër, për biznesin nuk do të ketë asnjë tolerim përballë faturave të pashlyera të energjisë elektrike. Ndërsa bëhet me dije se këto vendime, hyjnë në fuqi që në datën 1 të këtij muaji.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE-së

Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE-së bëri me dije dje se mori në shqyrtim propozimin e ardhur nga Shoqëria OSHEE sh.a, lidhur me kushtet lehtësuese që do të zbatohen ndaj konsumatorëve familjarë të cilët ekzekutojnë detyrimet e prapambetura nga vitet e kaluara, duke u bazuar sipas saj, në nivelin e të ardhurave mesatare të familjeve shqiptare.

Vendimet e marra janë:

1. Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatë vonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi.

2. Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, Shoqëria nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.

3. Shoqëria do të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2,500 lekë në muaj.

4. Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1,000 lekë në muaj.

5. Për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal + kamatë vonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në nivelin prej 80 %. Ky kriter do të aplikohet, edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatëvonesa. Kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 Mars 2015.

6. Kushtet e mësipërme nuk do të aplikohen nëse konsumatorët familjarë, nuk respektojnë detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shoqërinë OSHEE sh.a. Në këtë rast, ndaj këtyre konsumatorëve do të aplikohen detyrimet e parashikuara në kontratën e furnizimit, përfshirë edhe përllogaritjen e kamatë vonesës.

Basha propozon: Të falen kamatëvonesat për energjinë

 Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha deklaroi dje se tërheqja e qeverisë dhe pranimi i kërkesës së opozitës për shlyerjen e detyrimeve me këste të përballueshme, ishte lëvizje e detyruar nga protesta e qytetarëve. Basha përsërit kërkesën për faljen e kamatvonesave mbi faturat abuzive, pezullimin e pagesave për faturat e ankimuara dhe trajtimin e shpejtë të ankesave të qytetarëve. “Protesta e fuqishme e qytetarëve kundër arbitraritetit të qeverisë, e detyroi Edi Ramën të kthehet nga kursi i tij i marrë, i ndëshkimit kolektiv, i burgosjes së qytetarëve për shkak të pamundësisë për të shlyer faturat e larta dhe abuzive të energjisë elektrike. Edi Rama nuk u la qytetarëve asnjë alternativë tjetër përpos qelisë së burgut, asnjë mundësi, nuk hapi asnjë vend pune, nuk krijoi asnjë mundësi për familjet që mezi ushqejnë fëmijët. Ne, opozita, Partia Demokratike kërkuam në mënyrë të përsëritur, që qeveria të aplikonte një sistem ku t’u jepte mundësi qytetarëve të shlyenin detyrimet e tyre me këste të përballueshme. Kërkuam shansin që detyrimet e ligjshme të paguheshin me këste të përballueshme dhe të arsyeshme. Por, Edi Rama insistoi në kursin e tij të marrë, duke u shtrënguar qytetarëve të vendit lakun në fyt. Dhe teksa tundte kërbacin mbi qytetarët e pamundur, vetë ai, Edi Rama, solli në krye të OSHEE-së, hajdutë të pashembullt të energjisë, persona më precedentë penalë, militantë të verbër pa asnjë arsimim, të zhytur në abuzime e korrupsion, te cilët nëpërmjet abuzimit me mbifaturim apo vendosjes se faturave aforfe, sollën mundësi reale mospagimi nga qytetarët. Tërheqja që bëri sot Edi Rama nga kursi i tij i marrë është një lëvizje e detyruar nga bashkimi i zërit të qytetarëve në protestën e madhe popullore të 22 nëntorit. Nuk është një zgjedhje e tij, të jemi të qartë. Prandaj, kjo është një fitore e qytetarëve. Por deri tani, zgjidhja e plotë dhe përfundimtare është ende larg” u shpreh Basha nga foltorja e PD-së.

Propozimi i Partisë Demokratike

-Për faljen e të gjithë kamatvonesave të debitorëve të energjisë elektrike të akumuluara ndër vite, si pasojë e abuzimit me faturën e energjisë elektrike nga ana e shtetit.

-Pezullimin e pagesës së faturave, për të gjithe rastet për të cilat ka një ankimim si mbifaturim, pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit të këtyre faturave dhe mosnderprerjen e energjisë për qytetarët.

-Ngritjen e një sistemi verifikimi të shpejtë për të gjitha ankesat e akumuluara për këtë çështje, për t’i kthyer përgjigje në kohë qytetarëve dhe për të shmangur në kohë pagesat dhe akumulimin e faturave abuzive dhe kamatvonesave.

box

Replikon Rama: I përgjumën për 8 vjet me përralla, tani u qajnë hallin për faturat

 

Pak pasi kreu i opozitës Lulzim Basha i kërkoi Qeverisë faljen e kamatëvonesave të akumuluara nga qytetarët në faturat e papaguara të energjisë elektrike, ka reaguar Kryeministri Rama. “Tamam t’i vrasësh natën e t’i qash ditën njerëzit e shkretë”, replikon Rama në Twitter. Duke iu referuar marrëdhënies së demokratëve me qytetarët, kreu i Qeverisë shton: “i vunë në gjumë njerëzit 8 vjet me përralla e tani që doli dita u qajnë hallin për faturat!”.