Elona Shehu (Shahini)/ Modeli i ri ekonomik dhe sfidat e zhvillimit të bujqësisë

1237
Sigal

*Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

 Bujqësia konsiderohet si sektori me potencialin më të lartë të rritjes ekonomike. Shifrat zyrtare tregojnë se veçanërisht dy vitet e fundit roli i saj ka qenë kritik në rritjen ekonomike, duke shmangur rënien e vendit në recesion.

Për këto arsye edheBankae Shqipërisë ka bërë në më shumë se një rast thirrje për mbështetje më të fortë të këtij sektori. Gjatë një takimi me fermerë dhe agro-përpunues në Lushnjë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani tha: “Bujqësia duhet të jetë në themel të modelit të ri ekonomik që i nevojitet vendit”. Gjithashtu në këtë mbledhje janë përmendur edhe potenciali i ulët që ka kreditimi i bujqësisë për shkak të disa problemeve që shfaqen siç janë parcelizimi i tokave bujqësore dhe mungesa e certifikatave të pronësisë dhe të produkteve bujqësore. Të gjitha këto janë të vërteta por ka ardhur koha që edhe ekonomia shqiptare të ketë shtyllat kryesore të saj në bazë të së cilave do të organizohen edhe gjithë sektorët e tjerë dytësorë-ndihmës e plotësues. Si shembull duhen marrë ekonomitë me të cilat kufizohemi dhe që këto struktura të nevojshme i kanë krijuar vite më parë. Kështu, nëse ekonomia greke mbështetet në tri sektorë bujqësi, turizëm dhe transport civil detar ka ardhur koha që edhe në ekonominë Shqiptare të përcaktohen sektorët kryesorë.

Para viteve ‘90 ekonomia shqiptare mbështetej në dy shtylla kryesore, në industrinë nxjerrëse e përpunuese dhe në bujqësi. Në këto dy sektorë ishin të përqendruar pjesa më e madhe e kapitaleve monetare e njerëzore. Mjafton të themi se popullsia fshatare zinte më shumë se 60% të popullsisë së vendit dhe se prej bujqësisë siguroheshin mbi 80% të nevojave të vendit për produkte bujqësore e blegtorale. Mbi këto dy sektorë ishin mbështetur të gjithë sektorët e tjerë si ai i transportit, ndërtimit, shërbimeve etj. Në vetë sektorin bujqësor kishim një strukturë të diferencuar midis prodhimit të bimëve të arave, frutikulturës dhe blegtorisë ku gjithsecila i nënshtrohej detyrës që ishte shndërruar në parim të sigurimit të bukës në vend.

Tashmë kur kemi rreth 23 vite ekonomi në tranzicion struktura e ekonomisë në kuadër të GDP është përcaktuar në mënyrë spontane. Kjo strukturë është e diktuar thjesht nga çifti treg–prodhim. Kështu kanë ndryshuar peshat specifike të sektorëve e degëve në prodhimin e brendshëm bruto. Ndryshimi i raporteve të brendshme ka sjellë për pasojë edhe ndryshimin e një sërë sektorëve e treguesve të tjerë të lidhur me ambientin e brendshëm dhe me atë ndërkombëtar. Ka sjellë ndryshime të dukshme në raportet import-eksport si në total ashtu edhe sipas degëve  ku diferencat më të ndjeshme janë në bujqësi.

Për shkak të reformave të ndërmarra nga qeveria për këtë sektor vëmë re që pasha e bujqësisë në PBB ka pësuar një rritje të lehtë në vitin 2010. Konkretisht po përmend shifra për sektorë kryesorë të ekonomisë si shërbime dhe Industri duke i krahasuar me bujqësinë. Në tabelën e mëposhtme shohim luhatjet që kanë pësuar këto sektor për kontributin e dhënë në PBB nga viti 1996-2013-ën.

Tabela1: Të ardhurat e sektorëve në raport me PPB-në 1996-2013 në %

Sektorët 1996 2006 2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013
Shërbimet 49.2 55 57.2 54.3 59.6 60.1 60.3 60.5 67.2
Industria 9.9 11.1 9.3 11 10.3 11.8 15.6 19.1 15.3
Bujqësia 36.1 22.1 18.9 20.8 19.6 21.1 20.9 20.4 17.5

Ndryshimet themelore strukturore i ka pasur sektori i bujqësisë. Nëse bimët e arave dhe në këtë grup drithërat kapnin peshën kryesore së bashku me eterovajoret sot ato kanë kaluar në shkallë të dytë dhe si prioritare kanë dalë perimet. Është fuqizuar dukshëm sektori frutikulturës, ai i vreshtarisë dhe i olivikulturës. Pa dyshim zhvillimin më të madh e ka arritur blegtoria i cili është sektori më i zhvilluar jo vetëm si sektor i bujqësisë por edhe në raport me të gjithë sektorët e tjerë.

Në një ekonomi të hapur dhe të vogël si ekonomia shqiptare nuk ka vend koncepti pavarësi. Sot prodhimin sa dhe çfarë e vendos tregu.

Gruri dhe mielli i grurit që nevojitet për plotësimin e nevojave të konsumatorit shqiptar në qytet është 100% importi. Çmimi i drithit në Shqipëri do të përcaktohet gjithnjë nga çmimi i importit dhe duhet hequr një herë e mirë dorë nga mendimi se mund të përcaktohet nga prodhimi i vendit.. Kjo sepse në Shqipëri edhe në vitin më të mirë të prodhimit të drithërave në 1967 atëherë kur u deklarua se u sigurua buka në vend nuk kishte ndodhur kështu. Edhe atë vit Shqipëria importoi nga jashtë vendit me mijëra tonë grurë. Këtu duhet mbajtur mirë parasysh se në sigurimin e bukës në vend përfshihej në prodhimin e drithërave për bukë jo vetëm gruri por edhe misri i cili kapte thuajse gjysmën e sasisë së prodhimit total. Në vitin 2005 u prodhuan mbi 511 mijë tonë drithëra prej të cilave 260 mijë tonë kanë qenë grurë. Prodhimi i grurit është ulur në vite, kështu nëse në vitin 2000 u prodhuan 341 mijë ton në 2005 u prodhuan vetëm 260 mijë ton, dhe sot thuajse është në të njëjtën sasi. Sot nuk konsumohet më bukë misri masive si para viteve 1990 por konsumohet bukë gruri. Nevojat e sotme për grurë në bazë të popullsisë janë rreth 558 mijë tonë grurë. Sigurohen në vend 260 mijë tonë dhe importohen rreth 300 mijë tonë. Rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare dha një ndikim të fortë në zhvillimet e çmimeve të konsumit në vend. Me këto raporte fermerët shqiptarë shesin shumë pakë drithë. Thuajse e gjithë sasia që nevojitet për konsum në qytete sigurohet nga importi.

Me prodhimin shqiptar asnjëherë nuk kanë për tu plotësuar nevojat e popullit me drith. Ne gjithmonë në këtë zë do të jemi të varur nga importi. Sot jemi në ekonominë e tregut dhe fermerët do të kultivojnë atë prodhim prej të cilit nxjerrin më shumë fitim.

Ekonomia shqiptare është bërë sot pjesë e ekonomisë globale. Është kjo arsye që fshatarët sot shikojnë si më shumë fitim prurës prodhimin e perimeve, të pemëtarisë, vreshtarisë, bimëve medicinal, etj.. Në këto kushte problemi shtrohet se çfarë masa dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajë Qeveria dhe sistemi bankar ndaj ekonomisë bujqësore. Por çfarë ndodh sot?!

-Sektori i bujqësisë ka ritmet më të ulëta të rritjes ekonomike, kjo ngase është edhe sektori më i pa mbështetur i ekonomisë, pavarësisht se vitin e fundit fondet e akorduara nga buxheti për këtë sektor janë më të larta rreth 1.9 miliard lekë më shumë. Prandaj na lind e drejta të themi se pa prodhim bujqësor, pa industri agro-ushqimore nuk mund të kemi stabilizim të ekonomisë, inflacionit dhe punësimit. Mbështetja e bujqësisë bëhet vetëm nëpërmjet kreditimit direkt eficente dhe jo prej granteve të ndryshme në formë ndihmash apo subvencionesh.

-Në Ministrinë e Bujqësisë nuk ka një Drejtori të mekanikës bujqësore në një kohë që dihet se pa parkun e mekanikës bujqësore nuk ka bujqësi. Me një ekonomi të copëtuar kërkohet një park tepër i madh i mekanikës dhe ofiçina servisi mundësitë për realizimin e të cilave janë të vogla.

– Shteti duhet për llogari të fermerëve duhet të marri risk. I takon të propozojë krijimin e Bankës Shtetërore Agrare të nivelit të dytë në mënyrë që edhe bujqësia shqiptare, edhe turizmi të kenë forcën e saj mbështetëse financiare.

-Fermerët shqiptarë duhen stimuluar me kredi të buta afatgjatë për inputet bujqësore.

-Synimi i tregtimit të jetë në radhë të parë tregu vendas sepse fermerët shqiptarë kanë humbur tregun e vendit duke ua lënë prodhuesve e tregtarëve të huaj. Në këtë pikë është detyrë e qeverisë që të ndërtojë dhe stimulojë tregje të prodhimeve bujqësore e blegtorale si në shumë rrethe të vendit.

-Krijimi i kooperativave dhe shoqatave të fermerëve krahas atyre ekzistuese në fushën e minikredive apo të ujitjes. Nuk është normale që në ekonominë tonë të ketë një numër të konsiderueshëm fermash me një sipërfaqe toke tepër të vogël dhe të copëtuar. Kjo situatë pengon kultivimin në masë të gjerë të kulturave bujqësore, ngushton mundësinë e futjes së proceseve të mekanizuara, pengon procesin e përqendrim specializimit, krijon mundësi të pakta për ujitje, plehërim, për grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale. Është kjo arsye që një nga zgjidhjet optimale për fuqizimin e saj të mbetet krediti shtetëror dhe donacionet e ndryshme.

-Të stabilizohet tregu i tokës dhe është pikërisht qeveria ajo që do ta bëjë këtë. Stabilizimi i tregut të tokës ndjell dhe stimulon kapitalinvendasdhe atë të huaj të investojë në këtë sektor kaq të rëndësishëm.