Ekonomia, Ahmetaj: Berisha na vuri para një shkëmbi e pas na la 1 gropë

704
Sigal

TIRANE – “Kishim para një shkëmb, dhe mbrapa një gropë”. Kushtu e ka përshkruar ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj situatën e vështirë ekonomike që gjeti qeveria nga paraardhësit e saj. Në analizën e 300 ditëve qeverisje për Ministrinë e Ekonomisë, kreu i këtij institucioni Arben Ahmetaj tha se ish-qeveria Berisha e la ekonominë në një stad të vështirë, por shtoi se sot ka një diferencë të madhe mes “asaj që gjetëm dhe asaj që kemi përpara”. “Qëllimi ynë është trajtimi i sipërmarrjes si aset. Duhet të jemi akoma më këmbëngulës dhe kërkues për atë që kjo ministri duhet të bëjë në favor të politikave ekonomike dhe zhvillimit ekonomik. Paketa për biznesin fason ishte me rëndësi. Kemi 3500 vende të reja pune në këtë industri në sajë të kësaj paketë që kjo qeveri hartoi në sajë të komunikimit më biznesin fason. Detyra jonë është që të lehtësojmë terrenin ekonomik në favor të sipërmarrjes. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik e gjithë qeveria nuk duhet thjeshtë të bëjë 8 orë punë në ditë, por të garantojë mirëqenie për qytetarët shqiptarë”, tha ministri Ahmetaj. Duke u ndalur tek motorët e zhvillimit ekonomik të vendit, ministri Ahmetaj tha se sektori i ndërtimit dhe remitancat që më parë ishin gjeneratorët e ekonomisë, tani nuk janë më të tillë. Sipas ministrit Ahmetaj tashmë vëmendja duhet të përqendrohet tek prodhimi vendas, manifaktura e turizmi. “Gjeneratorët e dikurshëm të ekonomisë nuk janë më të tillë, për shembull siç ishte sektori i ndërtimit, apo të ardhurat nga remitancat. Duhet të punojmë për të promovuar gjeneratorët e rinj të ekonomisë. Ata janë prodhimi vendas, drejtimi me sytë nga importi, në manifakturë, në bujqësi, turizmi. Kemi nënshkruar marrëveshje me një nga kompanitë më të rëndësishme të industrisë mekanike italiane. Vendi ynë i ka të gjitha mundësitë të krijojë hapësirë për investime të huaja. Duhet të integrohemi në tregun rajonal dhe atë europian. Duhet të rritim konkurrencën. Nuk duhet të ketë rregulla shtrënguese ndaj biznesit por lehtësuese. 300 ditët e ardhshme të qeverisjes do të jenë “300 ditëshi i derregulimit” të atyre rregullave që në të kaluarën janë kthyer në burim korrupsioni. Kjo situatë duhet të ndryshojë, ato rregulla nuk duhet të ekzistojnë më”, vijoi ministri. Ndërkaq, ministri Ahmetaj u ndal edhe tek prioritetet e dikasterit që ai drejton në 300 ditët e ardhshme të qeverisjes. “Investimet publike janë pjesë e prioriteteve të kësaj ministrie. Gjithë investimet në burimet e brendshme janë investuar, janë në terren në qendrat urbane të Shqipërisë. Shkurti ka qenë muaji i fundit i rënies së të gjitha shifrave të statistikave, pasi më pas nisi rritja. Ekonomia shqiptare ka filluar të reagojë ndaj përpjekjeve tona. Investimet e huaja kapën shifrën 1 mld dollarë, por qëllimi i kësaj ministrie është që kjo shifër te rritet. Modeli i ri ekonomik bazohet në punësim, manifakturë, prodhim, turizëm, etj”, u shpreh ministri Ahmetaj.