Edi Rama: Marrëveshje për pikën dalëse të gazit në Fier

Firmoset marrëveshja, për ndërtimin e pikës fillestare dalëse të gazit, në Fier

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit, në stacionin e Gazsjellësit TransAdriatik, në Fier. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky investim do ta kthejë Shqipërinë në eksportuese  neto të energjisë, dhe do t’i hapë rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Sigal

“Ky investim do ta kthejë Shqipërinë në eksportuese  neto të energjisë dhe për ta bërë atë një hapësirë burimesh të ndryshme të prodhimit të energjisë, duke futur edhe një komponent tjetër në jetën ekonomike të vendit të munguar, siç është gazi. Është çështje vullneti e këmbëngulje, pune e durim për të përmbushur një vizion i cili nuk është më një dëshirë, apo aspiratë e mbështetur në një ëndërr, por horizont i arritshëm mbi baza të vendosura. Procesi i nisur i ndërveprimit për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane, është tregues kuptimplotë i faktit se TAP nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por burim i zhvillimit ekonomik e social transformues i vendit, për dekadat e ardhshme.  Ky investim i ri strategjik i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor, ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier – Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës e me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjigandi “Exxon Mobile”.

Pika e daljes së gazit në Fier është një pikë kthese për gazifikimin e Shqipërisë, që përforcon rolin e TAP në Ballkan.