Drejtori i Kadastrës në Sarandë, iku nga “gropa” me 11 milionë euro fatura të “mangëta”

1540
Sigal

KLSH dorëzoi raportin në qeveri e kallëzimin në prokurori  për 2312  prona me “letra të zeza”

Drejtori i Kadastrës në Sarandë , iku nga “gropa” 11 milionë euro fatura të “mangëta”

Edhe në falsifikim-vjedhjet e pronave të Sarandës, është “dora e zezë” e deputetit Alket Hyseni. Më 25 maj 2020,  KLSH-ja dorëzoi raportin në qeveri e kallëzimin në prokurori, ndërsa më 20 korrik, drejtori Kola dha dorëheqjen se gjoja do merrej me fushatën e PS-së si kryetar i saj në Sarandë; por në fakt, ai u detyrua t’ia mbathte, mbasi KLSH-ja i kishte lënë afat, që brenda 30 shtatorit 2020, të mblidhte milionat e munguara, nga pronarët e objekteve dhe të bllokonte ndërtimet e certifikuara me falsitete, mes tyre 117 objekte në  Butrint e në 4 zona arkeologjike

Më 20 korrik 2020, Drejtori i Kadastrës-Sarandë, Adrian Kola, dha dorëheqjen nga detyra, me këtë sqarim: “Si kryetar i PS-së, do angazhohem për përgatitjen e fushatës së zgjedhjeve 2021”.

Mirëpo versionin: “Largim për fushatë partie”, e rrëzon raporti i KLSH,-së datë 25 maj 2020, sipas të cilit, janë kostatuar abuzime të rënda në regjistrime pronash, mbivendosje, legalizime ndërtimesh e pagesa ligjore në vlera të mëdha, tipik si në Kadastrën-Vlorë.

Bëhet fjalë, për batërdinë me dosjet e pronave, nga 1 korrik 2017, deri më 31.12.2019  në ALUIZNI -Sarandë; dhe gjatë periudhës 15.03.2018 e deri më 31.12.2019, në Hipoteka-Sarandë.

Në 14 muajt e fundit, Kadastra-Sarandë është drejtuar nga Adrian Kola; ndërsa 3 muaj para tij, nga Romiona Pulaj, prej 5 vitesh juriste në këtë institucion, caktuar nga deputeti Alket Hyseni më 27 shkurt 2019, kur ish-drejtori Armand Hysi, u gjend i vdekur në zyrë nga “atak kardiak”, pak minuta pas komunikimit me një qeveritar nga Tirana.

Pa u hetuar kallëzimi penal i KLSH-së, për abuzimet në këtë kadastër; nuk mund të thuhet, se çfarë “zarari” ka bërë me pronat; edhe drejtor “zari” Adrian Kola i deputetit Alket Hyseni; por disa nga faktet në Raport-Vendimin Nr. 43, datë 22.05.2020, janë këto:

Nga 3130 leje legalizimi të dhëna në Sarandë; 2035 janë dhënë pa patur në dosje aplikuese, faturat e pagesave ligjore për parcelat ndërtimore; me pasojë 135,327,500 lekë të reja pa TVSH për buxhetin e shtetit, të cilat duheshin paguar nga përfituesit e lejeve.

Për 2312 objekte, janë dhënë leje legalizimi e certifikata, pa u bërë pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë; duke mos arkëtuar me vetëdije në shtetit, 804,249,039 lekë të reja pa TVSH, të cilat duheshin paguar paraprakisht nga pronarët e objekteve dhe ndërtuesit informalë.

Në 25 legalizime, parcelat e zëna (2.1 ha) “Arë, e Pyll” dhe ndërtime nën linjat e transmetimit energjetik, duke shkelur ligjin, me falsifikim të zërit “Kadastra”, llojit e statusit të sipërfaqeve.

Në 148 raste, janë bërë legalizime në rërë, buzë rrugëve (1-2 metër distancë), brenda zonave arkeologjike e mbi depot e ujësjellësit, lejuar nga drejtori Sh. Lulo, kunat i deputetit Alekt Hyseni.

Në 105 raste, vendimet e AMTP për toka bujqësore, janë pajisur me certifikata nga Kadastra-Sarandë; me tapi format letër dore e të dhëna të padukshme: pa plan-vendosje, pa emra komune, me data e sipërfaqe të korigjuara, pa emra komisionerësh e firma në formë rrethi.

Në 47 raste, janë legalizuar e hipotekuar në zonën “Parku Butrint”; duke bërë ndryshime (falsifikime) të Zërave Kadastralë, në bashkëpunim mes ndërtuesit, juristit dhe regjistruesit

Për 2928 dosje aplikimi pronash është kërkuar plotësim dokumentacioni; por në zyrat e Kadastrës-Sarandë, këto dosje nuk ekzistojnë (janë zhdukur).

Për 62 objekte informale në zona historike, arkeologjike e turistike; nuk janë ndjekur procedurat ligjore, për përjashtimin nga legalizimi, por janë pranuar pa miratim nga instituconet.

Në 20 raste, janë pranuar vetë-deklarime e dosje për legalizim, pa u shoqëruar me dokumente konkrete ligjore bashkie, qarku e urbanistike, por vetëm me deklaratën personale të ndërtuesit.

Në 70 raste, në proces-verbalet e verifikimit të objekteve; janë dhënë leje e certifikata pronësie, pa shënuar kufijtë e pasurive (gen-plan-zëri kadastral), por vetëm emrat e poseduesve.

Ka edhe shumë fakte të tjera, me emra ndërtuesish e zyrtarësh kadastre, që kanë firmosur këtë batërdi më pronat në Sarandë; të mbrojtur e lejuar dhe me bashkëpunimin e drejtorit Kola.

Por shkaku që e ka detyruar të dorëzojë çelësat, nuk është “angazhimi për zgjedhjet 2021 si kryetar i PS-Sarandë”; por raporti i KLSH-së, ku i është dhënë ky ultimatum:

– Brenda periudhës 30 qershor-30 shtator 2020, të arkëtojë në shtet 11 milionë Eurot që nuk u janë marrë pronarëve të objekteve; dhe të kryejë procedurat e bllokim-ç’regjistrimit të 2312 pasurive në Rajonin-Sarandë, të legalizuara e hipotekuara  me “letra të zeza”. Kaq për sot./Pamfleti