Dr. Vladimir Mici: Pse u privatizua ARMO, dhe përgjegjësia e ish-ministrit Ruli

820
Në këtë rast mund ti falen tërë komisionit të privatizimit, por jo z Genc Ruli.Përse?

Së pari. Burimet e parave të privatizimit. Cilët ishin e shkuara dhe e ardhmja e kësaj kompanie. Nga gjeneruan paratë për privatizim?!. 

Së dyti. Është e kuptueshme që një kompani për të kryer një blerje mund të marrë edhe kredi, por marrja e kredisë duhet të justifikohet nga struktura e kapitalit të shoqërisë, e vlerësuar nëpërmjet pasqyrave financiare të konsoliduara. Cila ka qenë struktura e kapitalit aktual, si ka qenë ajo në të kaluarën dhe nëse me këtë vihet re një huamarrje mbi vlerën reale, po burimet e investimit të ardhshëm si do të siguroheshin. Si do të rikuperonte ajo kapital për të investuar brenda tre vjetërve 250 milion euro?

Së treti. Nëse variant më optimal i qeverisë nuk do të realizohej ashtu si nuk u realizua në fakt, si do të procedohej me këtë të mungesa në buxhetin e shtetit. Pra sa ishte ky risk. Kush do ta paguante këtë risk. Sa ishte vlera maksimale e humbjes nga ky transaksion dhe sa ishte shansi i projektuar. Apo duhet të rrisnim tatimet? Apo duhet ta paguanin punonjësit???

Së katërti; Në llogaritjet e ekspertit Ruli duhet të futej në lojë dominoja që do të sillte firma ndaj kontraktorëve, bankave, punonjësve dhe tatimeve në rastin më të keq dhe si do të dilej apo parandalohej kolapsi i firmës, nëse ky version parashikohej. Sa i ka rezultuar NPV -ja e kësaj vendimmarrje qeverisë në marrjen e vendimit për privatizimin e kësaj pasurie. Privatizimi është para së gjithash një vendim financiar dhe jo një domosdoshmëri. Vënia e domosdoshmërisë sepse thotë dhoma amerikane (krejt e papërgjegjshme, do ta sqarojmë në një shkrim tjetër), përpara vendimeve ekonomike dhe financiare quhet thjesht vjedhje e pasurisë publike në bashkëpunim. Apo që në fillim është menduar shkatërrimi i përpunimit të naftës në Shqipëri, që të përfitonin “ aksionerët” e “Panama papers” për të ulur kostot e pastrimit të parave. Rishitja e aksioneve të ARMO-s ndaj një kompanie tjetër, nuk është gjë tjetër veçse një pastrim i mëtejshëm parash, në kushtet kur blerësi i parë nuk mund të shtynte më aktivitetin.(kujtoni daljet publike të stafit dhe punonjësve, që protestonin kundër bllokimit tatimor). 

Blerësi i ri si çdo blerës tjetër deklaroi se do të shlyej çdo detyrim, ndonëse në skemë, bankave u kishte dalë boja dhe ishin dukshëm të ekspozuar në transaksione të dyshimta, qëllimi i së cilave ishte vjedhja, pastrimi dhe përfitimi në kurriz të kësaj shoqërie dhe shtetit. Në momentin e blerjes, borxhet kishin progresuar dhe bankat nuk mund të mbulonin dot më aktivitetin e pistë të huadhënies, sepse tashmë kompania ishte e ngopur me huadhënie , ndonëse nuk gjeneronte fitim , por humbje dhe analiza e çdo kredie sugjeronte bllokimin e kredidhënies dhe kalimin në politika shtrënguese. Nuk është çudi që periudha para dhe pas shitjes të jetë e shoqëruar me huadhënie afatshkurtër për ti shpëtuar mbikëqyrjes bankare. Shitja e përshpejtuar e aksioneve në kapërcyellin e ndërrimit të pushteteve është kryer nga ministri në largim z Florian Mima dhe kalimi i aksioneve në drejtim të azerëve, në kushtet e faktit të kryer. Këta aksionere sipas ministrit të ekonomisë së asaj kohe si dhe ish zv ministrit të ekonomisë z Eno Bozdo mernin përsipër shlyerjen e të gjitha detyrimeve, ndaj bankave , punonjësve dhe furnitorëve (por paratë ku ishin?). Këto jo vetëm që nuk u shlyhen, por qeveria e re e ndodhur përballë fakteve që punonjësit nuk kishin marrë 4 paga mujore, dhe ndërkohë në fillim të gushtit Raiffesen bank dhe X Bank kishin lëvruar kredi të reja duke dyfishuar borxhet ndaj ARMO-s fliste për një skenar underground, që bankat makute kishin zhvilluar me pronarët e vjetër dhe të rinj të ARMO-s. Nga na tjetër Albetrol dhe Bankers Petroleum ishin në pozita tejet të vështira për sa i përket borxheve për faturat e papaguara nga ARMO. Në këtë sfond aksioneri i dytë kryesor i ARMO –sha Ministria e Ekonomisë, sillej krejt e papërgjegjshme duke mos u prononcuar për rritjen e pandalshme të borxheve edhe në kushtet e aksionarit të ri. 


Ajo që vihet re në këtë periudhë është lirimi i borxheve ndaj Bankers, saqë Bankers deklaron në 2014 se nuk ka probleme me borxhet që i ka ARMO, ndërkohë, politika të pakontrolluara në paga dhe me punësimet vijonin. Borxhet rriteshin, pagat e titullarëve kalonin mbi 2.5 milijon të reja. Po kështu edhe paga e të ashtuquajturve azer. Në një moment të caktuar me gjithë momerandumin me kompaninë Albetrol për shlyerjen e borxheve ato asnjëherë nuk u shlyhen dhe filluan të vëreheshin mos pagesa të pagës së punonjësve të ishte konstante. Nga një analizë e thjeshte e fakteve rezulton se azerët nuk përfaqësonin bankën por një grusht njerëzish të caktuar, aktiviteti i të cilëve është mjaft i dyshimtë. Pikërisht kur borxhet e kompanisë ishin marrë dhe këta persona kishin tërhequr një pjesë të kapitalit të investuar dorazi tek investitori i parë, shihet rokada e shpejtë e administratorëve të shoqërisë. Edhe administratori i fundit është zhdukur nga Shqipëria. Po kështu aksionari privat është zhdukur, duke i ngelur shtetit zotërues i 15%, që s’merr asnjë lloj përgjegjësie, për këtë situate Të mos thuash se kjo kompani nuk është parë nga të dy krahët politik kjo duket qesharake sepse ecuria e ARMO-s është bërë pjesë e debatit në komision e veprimtarisë prodhuese, ku PS përfaqësohej nga z E Shalsi, që në kohën që PD ishte maxhorancë. Kjo nënkuptonte se ndryshimi i pronarëve nga qeveria në ardhje të të gjithë praktikës, duhej objekt monitorimi dhe të ndalohej thellimi i situatës duke parandaluar vjedhjen e pasurisë kombëtare e përfaqësuar nga puna e papaguar e punonjësve, detyrimeve për sigurime shoqërore e shëndetësore, TVSH, Akciza dhe të lehtësohej pagimi i kostove të kapitalit duke ulur huamarrjen, ndalimin e shpërndarjes së dividentit, kontrollin e pagave të stafit drejtues dhe kufizimin e politikave që çonin në hollimin e kapitalit.



 Mbledhjet me zv ministrin Ilir Bejtja me punonjësit ishin një show televiziv, që të ngjallte krupën për nga mënyra e trajtimit dhe zgjidhjeve. Atje duhej prokuroria, duke ngritur akuzën për zhvatje dhe jo ledhatim dhe dhënie të pagave gradualisht, që pastaj të fillonte sërish i njëjti avaz. Ky i ngjan një premiere të një skenari ogurzi. Të lexosh komunikimet midis aksionareve është një batërdi ku papërgjegjshmëria e ministrisë ekonomisë është e tmerrshme, nëpërmjet përfaqësuesit të aksionerit të vetëm të përfaqësuar me prokurë nga Ministri i Ekonomisë. Ai nuk mbron asnjë interes, as atë të vetin , jo më të punonjësve. Ajo ka 15% të aksioneve, ka edhe aksionet e punonjësve, ka administruar ato dhe nuk ua ka dhënë atyre. Pra punonjësit nuk janë mbrojtur por shitur. Punonjësit kanë humbur vendin e punës, sepse ua ka shitur qeveria. Kjo padyshim ka çuar në situatën aktuale me të vërtetë qesharake. Punonjësit e kombinatit të naftës në Ballsh vijon të mos marrin pagat, punonjësit e TEC-it Ballsh nuk marrin prej 9 muajsh pagat. Ujësjellësi i Ballshit që furnizohet nga Kapitali i ARMO-s ( stacioni i pompimit plus transporti) vijon me shpërdorime të ujit. Punonjësit e Rafinerisë ne Fier (po kapital i ARMO sha) punon me kapacitet të plotë dhe marrin pagat (përjashto muajin e fundit) me zarf. E gjithë kjo nën hundën e qeverisë aktuale e cila ka organe tatimore, që kontrollojnë çdo rrahje pulsi të kësaj rafinerie, ka postblloqe policie rrugore, që kontrollon autobotet me naftë dhe bitum që hyjnë e dalin nga uzinat, një sistem elektronik ku pasqyrohen blerjet dhe shitjet nga kjo kompani, një institucion që merret me derdhjet e pagesave per sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, dhe që lidhet me pagesat e përkohshme të punonjësve të paaftë përkohësisht për punë apo me aftësi të kufizuar për punë, me punonjës që mbushin moshën e daljes në pension, të cilët përballen me mosderdhjen e detyrimeve nga kjo kompani dhe masakrim të punonjësve. Revolta në mes të qytetit të Fierit dhe degradimi i saj është një sinjal që qeveria gënjen, mashtron , ka mashtruar si gjithnjë dhe është tregues që ajo s’merr përgjegjësitë e saj. Duhet kuptuar se pa paguar çdo qindarkë ndaj punonjësve të naftës, ajo naftë do të djegë dhe përcëllojë çdo qeveri. Në çdo anë të botës qeveritë bien dhe ngrihen si ato trajtojnë burimet natyrore dhe si trajtojnë shtetasit e vet. Por ajo që është më çudi, kompania e naftës nuk paguan dot punonjësit e vet. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend të botës. Kjo hyn në çuditë shqiptare dhe është e denjë për çmimin Guinness.
Sigal