Dr.Robert Maliqi/ Si ka ndryshuar çmimi i ndikimit në infrastrukturë

762
Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri, që kërkohet të kryhet ose vlera në lekë e çmimit të shitjes për metër katror të investimit të ri. Klasifikimi, si investim i ri përcaktohet në
përputhje me legjislacionin në fuqi për dhënien e lejes së ndërtimit.
Niveli i taksës, është si vijon:
1. Në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 8 për qind të çmimit të shitjes për metër katror. Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve në udhëzimin e Këshillit te Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
2. Në rastin e ndërtimeve të ndryshme, niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe për Bashkinë e Tiranës është 4 për qind e saj.
3. Për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aeroporteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto projekte, taksa e ndikimit ne infrastrukturë te ndërtimeve të reja është 0, 1 për qind e vlerës së investimit, por jo me pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit.
4. Për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit.
Detyrimi për pagesën e taksës i takon investitorit. E ardhura nga taksa, për çdo rast mblidhet nga organi që lëshon lejen e ndërtimit dhe arkëtohet, për çdo rast, për llogari të bashkisë, që mbulon territorin ku do të bëhet investimi. Nëse objekti, për të cilin do të bëhet investimi, shtrihet në territorin e më shumë se një bashkie ose kur objekti ndikon në infrastrukturën e një bashkie tjetër, të ardhurat nga taksa ndahen proporcionalisht ndërmjet tyre, në përputhje me raportet përkatëse të shtrirjes së objektit dhe të ndikimit të investimit në infrastrukturën e secilës bashki.’ Taksa paguhet brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit për miratimin e lejes për punime dhe lëshimit të autorizimit të pagesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit te Territorit. Në rast se kërkuesi nuk kryen pagesën brenda 5 ditëve pune nga njoftimi për detyrimin ndaj shtetit, sipas ligjit, atëherë për çdo ditë vonesë i llogaritet kamatë 0,2 për qind në ditë e shumës që duhet të paguajë, deri ne 30 ditë pune. Nëse në përfundim të këtij afati kërkuesi ende nuk ka paguar detyrimin, Kryetari i Bashkisë vendos masa të tjera te përshtatshme, deri në revokimin e vetë lejes së miratuar. Për kategoritë ku niveli i taksës aplikohet mbi vlerën e investimit, në përfundim të punimeve të kryera sipas lejes së miratuar, bëhet kontrolli i pagesave me situatën përfundimtare të objektit të ndërtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit dhe nëse ka diferenca mes vlerës së investimit, sipas situatës përfundimtare dhe preventivit, njoftohet subjekti për vlerën e diferencës që është i detyruar të shlyejë. Mos shlyerja e këtij detyrimi përbën shkak për pezullimin e procedurave të pajisjes me leje përdorimi të subjektit.
Struktura e ngarkuar për përllogaritjen dhe lëshimin e autorizimit për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit te Territorit dhe të ardhurat arkëtohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.
Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Taksa paguhet nga personi, që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Baza e taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit, pronësia e së cilës transferohet. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror të bazës së taksës. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij. Baza e taksës për kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e tjera të paluajtshme është vlera e shitjes së tyre. Niveli i taksës caktohet në përqindje dhe niveli tregues i taksës është 2 për qind. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij. Përjashtohen nga pagimi i taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme:
a) Enti Kombëtar i Banesave, Ministria e Financave dhe organet e qeverisjes qendrore e vendore;
b) Personat, të cilët janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat vetjake, në mbështetje të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 ”Për tatimin mbi të ardhurat”;
c) Subjektet që dhurojnë pasuri të paluajtshme kur përfitues të drejtpërdrejtë janë:
I. Institucionet dhe entet shtetërore e publike, qendrore e vendore II. Fetare ose organizatat jofitimprurëse, kur dhurimi lidhet me atë pjesë të veprimtarisë së tyre pa qëllim fitimi. Në këto raste dhuruesi, pasi ka marrë vërtetimin nga Këshilli Bashkiak ose Komunał për përjashtimin nga taksa bën regjistrimin e pasurisë së paluajtshme të dhuruar. Në çastin e regjistrimit, dhuruesi paguan pjesën që i takon agjentit të taksave.
I.e. Taksa e tabelës
Taksa e tabelës aplikohet për të gjithë subjektet, të cilët vendosin emërtimin e subjektit në pamjen ballore të njësisë, ku zhvillojnë veprimtarinë, në hapësira të tjera publike ose private, qofshin këto të lëvizshme ose te palëvizshme dhe që shërbejnë për qëllime reklamimi. Tabelë për qëllime identifikimi është tabela, brenda ose jashtë territorit ku zhvillon aktivitet biznesi dhe që nuk përdoren për të reklamuar aktivitetin e të tretëve. Në të tilla tabela vendoset emri dhe/ose iloji i aktivitetit të kompanisë ose jashtë territorit ku zhvillohet aktiviteti në formën e përmasat e tabelave te sinjalistikës për orientim. Taksa e tabelës paguhet për çdo njësi ku subjekti zhvillon aktivitetin nga muaji korrent që regjistrohet pranë QKR. Në kategorinë e tabelës për qëllime reklamimi (të lëvizshme dhe te palëvizshme) kuptojmë të gjithë tabelat të vendosura në pamje jo ballore, të vendosura në tarraca, elozhe,ballkone, te vendosura në pjesë te rrugës, shtylla etj që kanë përmbajtje reklamimi për vete ose të tretë. Në kategorinë e tabelave në funksion apo ekspozime të ndryshme të hapura do të kuptojmë të gjithë ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme etj, që kanë si qëllim reklamimi për vete ose për të tretët.
l.f Taksa e përkohshme në infrastrukturën arsimore
Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Mënyra e pagesës është si më poshtë:
Detyrimi për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore është vjetor. Kjo taksë do të aplikohet për një periudhë 7 – vjeçare: “Për kategorinë I “Familjarët”, detyrimi paguhet në 12 këste të barabarta, për çdo muaj përkatësisht me shumën 150 lekë për çdo familje. Ky detyrim do të evidentohet në faturën e konsumit të ujit. Likuidimi i kësaj pagese do të kryhet njëkohësisht me pagesën e konsumit të ujit. Për kategoritë II “Biznesi”, detyrimi paguhet brenda datës 20 Prill. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 30 Prill është 30 ditë pas lindjes së detyrimit. Për subjektet e regjistruara rishtas detyrimi tatimor do të llogaritet për çdo njësi, ku subjekti kryen aktivitet nga muaji korrik i regjistrimit pranë QKR. Nëse subjekti taksapagues pushon veprimtarinë gjatë vitit, detyrimi tatimor llogaritet duke shumëzuar taksën për vitin e plotë kalendarik me numrin e muajve të plotë gjatë të cilëve veprimtaria është kryer (përfshirë muajin korrik, për të cilin është bërë kërkesa) dhe duke e pjesëtuar atë me 12 muajt e vitit kalendarik fiskal.
Sigal