Dr. Bujar Leskaj/ Zbatim rigoroz të ligjit, e dhënie fund të mosndëshkueshmërisë

855
Sigal

Analizë e KLSH-së, mbështetur mbi INTOSAINT, realizuar në bashkëpunim me forumet akademike dhe Universitare

 Analiza vjetore e Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvillohet jo pa qëllim në mjediset e një prej universiteteve publike të vendit, me tradita dhe cilësi mësimdhënieje, që mban emrin e themeluesit dhe burrit më të madh të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Mjedisi akademik gjeneron ide, përqasje dhe metodika pune shumë me vlere për auditimin suprem kombëtar. Falënderoj Profesoratin e Universitetit qe na pranoi ne mjediset e tij dhe se bashku me shumë studentë të tij, është pjesë integrale e analizës sonë.

 Kjo përben risinë e parë të përqasjes sonë për të njohur më mirë punën që kemi kryer gjatë vitit të kaluar, edhe si një pjesë përbërëse e standardeve të INTOSAI-t(ISSAI 1, Deklarata e Limës-Neni 12, Opinioni i Ekspertit dhe e Drejta për Konsultim: bashkëpunimi me ambientet akademike). Risinë e dytë e përbën fakti që po e kryejmë këtë analizë në frymën e kërkesave të integritetit dhe Programit të Vetëvlerësimit “Into SAINT” të Gjykatës Holandeze të Auditimit, program i cili po zbatohet gjerësisht këto dy vitet e fundit nga dhjetëra institucione supreme të auditimit (SAI) në Europë dhe në të gjithë botën, për të matur rezultatet e punës së tyre, me grilën e integritetit të përcaktuar nga Gjykata Holandeze e Auditimit, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së vetë institucionit. Ne, si auditues supremë publik, kemi një përgjegjësi të madhe përpara qytetarëve, Kuvendit dhe Kushtetutës. Jo thjesht të deklarojmë arritjet, por duhet të shikojmë thellë brenda vetes sonë, për të zbuluar mangësitë dhe dobësitë që kemi, për t’i shmangur ato në të ardhmen dhe përmirësuar në vijimësi performancën tonë. Kur përmirësojmë punën tonë, jemi të ndërgjegjshëm se rritet kontributi ndaj një çështjeje themelore për fatet e demokracisë tek ne: MIRËQEVERISJA. Qeverisja përmirësohet kur luftohet me efektshmëri korrupsioni. Perceptimi i qytetarëve dhe përfundimet e sondazheve, vrojtimeve dhe studimeve të partnerëve tanë ndërkombëtar, tregojnë se korrupsioni është ende mjaft i përhapur dhe galopant në Shqipëri. Në këto kushte, asnjë institucion publik nuk duhet të mburret, por të ndihet përgjegjës për këtë situatë. Korrupsioni është një ndërtim gjigand pa leje, që legalizohet kur si institucionet qeveritare, dhe ato të pavarura, punojnë vakët, tregohen indiferentë dhe nuk punojmë në sistem, me partnerët tanë të natyrshëm, për ta luftuar atë. Është me këtë përgjegjësi dhe këndvështrim që e zhvillojmë analizën vjetore të KLSH për vitin 2014. Për të nxjerrë përgjegjësitë tona, na ndihmojnë shumë, dhe këtu qëndron risia e tretë e kësaj analize, këndvështrimi, gjykimet dhe këshillat e partnerëve tanë të shoqërisë civile. Eksperienca, dijet, sinqeriteti dhe pavarësia e plotë e mendimit të shumë personaliteteve të shoqërisë civile, një pjesë e të cilëve janë edhe sot këtu me ne, dhe i falënderojmë, përbejnë pasqyrën më profesionale, ku mund të shikohemi për çfarë kemi arritur, ku i kemi dobësitë dhe si mund të përmirësohemi në të ardhmen. Kjo është edhe një nga arsyet që po e zhvillojmë këtë analizë vjetore pa politikanë dhe mesazhet e tyre, me gjithë respektin që kemi për ta. Sikurse e ka theksuar Prof. Dr. Omer Stringa: “Mirëqeverisja e institucioneve publike kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim strategjik të aktorëve kryesore. Zbatimi i sistemeve të vlerësimit të performancës së secilit aktor në mirëqeverisjen publike, identifikimi paraprak dhe dakordësia mbi treguesit ku bazohet matja e performancës së institucioneve është e një rëndësie parësorë në nxitjen e institucioneve që të përqendrojnë energjitë dhe resurset e tyre në përmbushjen me efikasitet të objektivave afatgjate”.

 Përqasja “IntoSAINT”

 Kontributi ne rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së administrimit të fondeve publike, nuk mund të realizohet nga KLSH, pa qenë një institucion model në kërkimin e llogarisë brenda stafit të tij. Nga ana tjetër, për institucionet publike në botën demokratike, dhënia e llogarisë dhe transparenca nuk mund dhe nuk duhet të jenë agjitprop! Ja përse kjo analizë zhvillohet në frymën e kërkesave të integritetit dhe Programit të Vetëvlerësimit “IntoSAINT” të Gjykatës Holandeze të Auditimit, i njohur dhe i pranuar që nga viti 2011 nga organizata jonë INTOSAI. Auditimi i integritetit, si për institucionin e SAI-t, ashtu dhe për institucionet që auditon, është një sfidë e rëndësishme dhe thelbësore e të gjitha SAI-ve sot në botë. Integriteti nuk është një koncept i thjeshtë për t’u përcaktuar. Shumë përkufizime mbivendosen dhe përcaktime të dallueshme përdoren. Integriteti i referohet virtytit, moskorruptimit dhe gjendjes se të qënurit i papërlyer. Nga viti 2012, kur ne, si KLSH, u njohëm me programin IntoSAINT, e vendosem zbatimin e tij në qendër të vëmendjes sonë. Periudha deri në fund të vitit 2013 ishte për ne, periudhë e njohjes më të thelluar të Programit dhe të vlerave të tij. Si SAI ndajmë plotësisht opinionin e Nismës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI), se “Sjellja etike e SAI-t dhe e punonjësve të tij përbën gurin e themelit për një funksionim të mirë të SAI-t. Që një SAI të udhëheqë sipas shembullit dhe të sjellë vlera dhe dobi tek qytetarët, nuk mjafton vetëm që të miratojë  kodin e duhur të etikës, por gjithashtu të vendosë zbatimin me rigorozitet të tij dhe të ketë një kuadër rregullator, i cili t’i detyrojë punonjësit të zbatojnë etikën në praktikë”. Bazuar në këto kërkesa dhe punë paraprake të komunitetit të INTOSAI-t, gjatë vitit 2013, si KLSH u pranuam anëtar i Task Forcës së Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) “Për Auditimin dhe Etikën”.  KLSH, nëpërmjet anëtarësimit dhe pjesëmarrjes aktive në këtë strukturë, synon instalimin dhe funksionimin e një infrastrukture efektive etike në institucion, por, nga ana tjetër, si SAI do të ndërmarrim misione auditimi mbi rregullshmërinë dhe efiçiencën e Etikes dhe Integritetit në institucionet publike, duke punuar që lufta kundër korrupsionit dhe politikat për instalimin e një sistemi efektiv të integritetit, të jenë pjesë e menaxhimit të institucioneve publike. Në Kongresin e fundit të INTOSAI-t, INCOSAI XXI, mbajtur në Pekin në 21-26 Tetor 2013, Gjykata Holandeze e Auditimit raportoi për përhapjen e metodës IntoSAINT në shumë SAI në botë. Kongresi konkludoi se një bazë e fortë solide është krijuar, mbi të cilën INTOSAI mund të ndërtojë mekanizmin e duhur për t’i mundësuar SAI-t të udhëheqin sipas shembullit, për te realizuar integritetin e plote. Ne një linjë me rekomandimet e Kongresit, gjatë vitit 2015, KLSH do të ndërmarrë një auditim vetëvlerësimi të integritetit, duke përdorur programin IntoSAINT. Jemi te ndërgjegjshëm për problematikat e integritetit në KLSH dhe se ngelet shumë punë për të realizuar integritetin e plotë në institucion. Gjatë këtyre tre viteve, 2012-2014, jemi përpjekur me mbikëqyrje dhe monitorim, që në institucion të mos rezultojnë incidente të karakterit korruptiv apo shkelje ndaj integritetit. Nxitja e integritetit ka qenë në fokus të veprimtarisë menaxhuese.  Sipas këshillave dhe orientimeve te personalitetit te auditimit suprem evropian, Prof. Dr. Recai Akyel, President i Gjykatës së Llogarive të Turqisë, kemi zbatuar në praktikë filozofinë e menaxhimit  “Tone at the top”, duke promovuar integritetin nën parimin e “udhëheqjes nëpërmjet shembullit”. Gjate vitit 2014, kemi synuar që të arrihet një ekuilibër midis parandalimit të shkeljeve dhe marrjes së masave ndëshkimore nga njëra anë, dhe inkurajimit të vlerave te integritetit, nga ana tjetër. Në lidhje me masat ndëshkimore veprimtaria institucionale është përqendruar në drejtim të zbulimit, hetimit dhe ndëshkimit të shkeljeve. Dua te theksoj me force se gjatë tre viteve të fundit, në KLSH është çrrënjosur praktika e mos ndëshkueshmërisë dhe për çdo shkelje të integritetit, të zbuluar dhe hetuar, janë ndërmarrë masa ndëshkimore deri në ndjekje penale për ish-auditues. Kjo praktike është ndjekur rigorozisht, pasi mosndëshkueshmëria sjell dëme të pariparueshme për institucionin e KLSH-së dhe humbjen e kredibilitetit institucional në përgjithësi dhe të besimit të publikut në veçanti. Nëse një shkelje e integritetit kalon pa u ndëshkuar, kjo sjell automatikisht demotivimin e anëtarëve të tjerë me moral të shëndetshëm të stafit të KLSH-së. Me synim instalimin dhe zhvillimin më tej të një kulture të re organizative, gjatë dy viteve 2013 dhe 2014, kemi nxjerrë udhëzime lidhur me Komunikimin e drejtpërdrejtë për përmirësimin e punës audituese dhe rritjen e zbatimit të standardeve INTOSAI. Kam kërkuar, në mënyrë periodike, takim të drejtpërdrejtë me audituesit, për t’i nxitur ata të luajnë rolin e “bilbil-fryrë sit(ëistle-bloëer)”, për të dhënë mendime për përmirësimin e strukturave dhe të komunikimit vertikal të dyanshëm të menaxhimit me audituesit. Në nëntor të vitit 2014, krijuam një strukture te veçantë, Sektorin e Etikes dhe Integritetit, pjesë e Drejtorisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Etikes. Brenda këtij sektori, krijuam Komisionin e integritetit, i cili ka përgjegjësi si strategjike dhe menaxheriale, duke qene njësia kryesore për monitorimin e zbatimit të kërkesave të kodit etik. Mbi përvojën e këtyre tre viteve të fundit, bazuar në kërkesat e ISSAI 30, si dhe në gjetjet e Grupit të Punës për Rishikimin e ISSAI 30, të kryesuar nga NIK-u polak, si dhe ne eksperiencën me Kodin Etik te GAO-s amerikane, institucion te cilin do te kem nderin ta vizitoj në shkurt të këtij viti,  do të hartojmë gjate këtij viti një dokument të ri të Kodit Etik për KLSH, i cili do të reflektojë praktikat më të mira të fushës. Jemi te ndërgjegjshëm për rrugën e gjatë dhe të vështirë që na pret përpara, kur behet fjalë për sfidën e sigurimit të integritetit të plotë të institucionit. Nuk mund dhe nuk duhet të kënaqemi me sa kemi bërë.

  1. Rezultatet e Punës

Për vitin 2014,  KLSH ka kryer 160 auditime, nga 153 auditime te vitit 2013, ose 4.8  për qind më shumë. Për vitin 2014, KLSH ka zbuluar dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në nivelin 11.2 miliard lekë(ose rreth 80 milion euro), duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin në Buxhet të 98.9 përqind të tyre. Dëmi ekonomik i zbuluar në të tri vitet 2012, 2013 dhe 2014, është rreth 3.8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar në tre vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku.

Treguesi i efiçiencës së institucionit është 38 lekë, të zbuluar si dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe kërkuar për arkëtim, për çdo lek të harxhuar nga KLSH gjatë vitit 2014, gjë që dëshmon për dobinë e lartë të aktivitetit auditues. Krahasuar në vite, mesatarja e treguesit të efiçiencës së institucionit për tre vitet 2012-2014 është 2.6 herë më e lartë se mesatarja e tre viteve 2009-2011.

KLSH, gjatë vitit 2014, ka propozuar disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore.

Së pari, me synim promovimin e qëndrueshmërisë dhe kredibilitetit të financave publike, si dhe vlerësimin e planifikimit dhe performancës fiskale, të projeksioneve makroekonomike dhe parashikimeve buxhetore, kemi rekomanduar krijimin e një Këshilli Fiskal me statusin e një autoriteti të pavarur ndaj qeverise, i cili i raporton Kuvendit, për të kryer oponenca të politikave fiskale, pa ndikime të politikës dhe që të jenë thellësisht teknike dhe të pavarura.

Së dyti, duke pasur parasysh situatën e brishtë makroekonomike të vendit, në optikën e uljes së nivelit të borxhit publik, si dhe trajektoren e borxhit publik ndaj PBB gjate viteve të fundit,  kemi rekomanduar që Ministria e Financave të hartojë një kuadër rregullator fiskal, i cili të synojë reduktimin e nivelit të borxhit publik në një periudhë të përcaktuar kohore dhe sigurimin e një qëndrueshmërie afatgjatë të borxhit publik. Kemi përsëritur për të tretin vit radhazi rekomandimin qe Ministria e Financës të paraqesë në Kuvend një nismë ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së, në nivelin tavan 60 %, dhe arritjen e këtij niveli në terma afatgjatë.

Se treti, me synim arritjen e pritshmërive në planifikimin e buxhetimit të integruar dhe efiçient të shpenzimeve publike, rritjen e përgjegjshmërisë ne nivel menaxherial, përmirësimin dhe rritjen e transparencës së raportimit financiar të qeverisë, forcimin e kontrollit të brendshëm në sektorin publik dhe mbikëqyrjen efektive parlamentare, institucioni ka rekomanduar që gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e KLSH-së të jenë pjesë përbërëse dhe të skedulohen në Planin e Veprimit dhe në aktivitetet kryesore, në kuadrin e implementimit të strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020.

Se katërti, kemi kërkuar përcaktimin në Ligjin Organik të Buxhetit të përdorimit të të ardhurave nga privatizimi, 50 përqind për uljen e borxhit publik dhe 20 përqind për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Po ashtu, kemi rekomanduar:

1. Hartimin e një ligji që të trajtojë në mënyrë të plotë rastet e përgjegjësive materiale të të punësuarve në sektorin publik, me qëllim parandalimin e dukurive që nxisin dëmtimin e fondeve dhe aseteve publike;

2. Kemi kërkuar saktësinë e evidentimit të shpenzimeve kapitale me financim të huaj;

3. Kemi kërkuar qe te jete Kuvendi ai qe te përcaktojë përdorimin e Fondit te Kontingjencës,

4. Si dhe sa herë që përdoret Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, kjo të bëhet me miratimin paraprak të Ministrit të Financave, për të shmangur prekjen e tij pa kriter, sa herë që kjo kërkohet nga dikastere të veçanta;

5. Kemi rekomanduar krijimin e një Komiteti Auditimi, në varësi të dyfishtë nga Kryeministri dhe Ministri i Financave, i cili do të siguronte një nivel pavarësie të strukturës shumë të rëndësishme të auditimit të brendshëm, etj.

Duke zbatuar objektivin tonë strategjik të përmirësimit të qeverisjes, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike dhe dëmtimin e pronës publike, kemi bërë 41 kallëzime penale ndaj 149 punonjësve, përgjithësisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administratës. Sfidat tona kryesore në përmbushjen e misionit tonë kushtetues janë dy: modernizimi i KLSH dhe rritja e kontributit ne mirëqeverisje, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit. Modernizimi i institucionit mund të realizohet i plotë vetëm duke respektuar rigorozisht, në punën tonë, standardet ndërkombëtare të fushës, standardet e INTOSAI-t. Për këtë kishim nevojë për një ligj themeltar të ri, të cilin na e kishin rekomanduar fuqimisht dhe në vijimësi progres-raportet e Bashkimit Evropian, që nga viti 2008 e deri në vitin 2013. Në bashkëpunim me DG-Budget dhe SIGMA, paraqitem që në nëntor 2012 draft-ligjin e ri. Gjate vitit 2014, veçoj dialogun në Parlament dhe seancat maratonë në Komisionet e Kuvendit, ku evidentoj bashkëpunimin me deputetet e Komisionit të Ekonomisë. Kuvendi miratoi ligjin në nëntor 2014, ligj që u kthye nga Presidenti i Republikës për korrigjim në nenin 23. Brenda janarit 2015, ky ligj do te miratohet përfundimisht dhe dekretohet.  Ky ligj shënon shkëputjen përfundimtare të KLSH-së nga kontrollet e tipit inspektim financiar, i mundëson institucionit dhënien e opinionit për pasqyrat financiare të enteve të audituara  dhe realizon profilizimin e tij si një institucion modern evropian i auditimit suprem publik, i cili e bazon tërësisht aktivitetin e tij në standardet e INTOSAI-t dhe moton e kësaj organizate “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”). Sipas z. Robert Gielisse, këshilltar kryesor i drejtorit të përgjithshëm të DG-Budget, “Strategjia e re e Zgjerimit e Bashkimit Evropian e vendos ne vijën e parë Qeverisjen Ekonomike. KLSH, si Auditues i Jashtëm publik, është gur themeltar i përmirësimit të qeverisjes ekonomike në vendin tuaj dhe ligji i ri, po të miratohet tërësisht në përputhje me standardet INTOSAI, ia mundëson KLSH këtë rol”(nga fjala e tij në Konferencën e III-të Shkencore të KLSH).  Viti 2014 ishte viti i përfundimit te procedurës së përzgjedhjes së partnereve të KLSH në Projektin e Binjakëzimit“Për forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm”, në kuadër të asistencës së BE për Shqipërinë, nëpërmjet Instrumentit të Parazgjerimit, IPA 2013, me vlerë 2.11 milionë euro, pas një aplikimi dyvjeçar nga institucioni ynë. Partneret e KLSH në projekt janë përzgjedhur Zyra Kombëtare e Auditimit(NIK) e Polonisë dhe SAI i Kroacisë, të dyja këto institucione të auditimit suprem, shumë të zhvilluara dhe me përvojë të madhe pune e bashkëpunimi. Projekti për KLSH është ndër 7 projektet e  përzgjedhur nga BE në vitet 2013 dhe 2014, për t’u implementuar në mënyrë të decentralizuar nga institucionet e shtetit shqiptar. Zbatimi i tij nis në maj të vitit 2015, për një periudhë dyvjeçare deri në maj 2017. Projekti i binjakëzimit do ta ndihmoje KLSH, jo vetëm të rris kapacitetet e tij auditues, por edhe do të shërbejë si një mjet i fuqishëm për arritjen e objektivave themelore te Strategjisë së zhvillimit të institucionit 2013-2017.

 Drejtimet Strategjike të realizuara

 Gjatë vitit 2014, kemi orientuar dhe më shumë punën në përmbushjen e drejtimit të dytë strategjik të INTOSAI dhe EUROSAI, zbatimit të standardeve profesionale ISSAI, i cili përmbahet dhe ne Strategjinë e KLSH 2013-2017. Institucioni ka forcuar kapaciteteve audituese, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm kualifikimi, kryerjes se trajnimeve të thelluara dhe gërshetimit të ngritjes arsimore me veprimtarinë praktike audituese. Struktura e punonjësve ka vijuar të ndryshojë, jo vetëm thjesht në favor të stafit auditues me arsim të lartë, por dhe të stafit me kualifikime profesionale, akademike dhe grada shkencore, si dhe me kualifikim në fusha të dyta ekspertize. Çdo auditues i KLSH u trajnua mesatarisht për 26 ditë gjatë vitit 2014, ose mbi trefishin e 3 viteve 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku. Pra, tashmë kemi një tregues të qëndrueshëm në trajnime.

Në tre vitet e fundit 2012-2014, institucioni ka ndryshuar thellësisht koncept dhe politike në drejtim të zhvillimit të burimeve të veta njerëzore. KLSH është investuar tërësisht dhe pa kthim mbrapa, drejt shtimit dhe rritjes cilësore të kapaciteteve të tij audituese, duke tërhequr në staf personalitete nga profesorët e ekonomikut dhe jurisprudencës, duke nxitur audituesit e rinj te shtojnë dijet shkencore dhe duke i bashkërenduar me audituesit me përvoje, te cilët edhe ata nga ana e tyre testohen dhe motivohen për ngritje ne karriere. Nga një institucion i disa viteve më parë praktikisht pa trajnim të audituesve te vet, është kthyer në SAI më tregues perëndimor trajnimi të stafit. Gjatë vitit të kaluar, KLSH materializoi më shumë kontributin e tij në Programin “3i”, Iniciativa e Implementimit të ISSAI-ve”. Grupi i punës i institucionit, me mbështetjen e SIGMA, ka plotësuar te gjitha detyrimet qe rrjedhin nga kjo marrëveshje me Institutin e Zhvillimit te INTOSAI-t(IDI) dhe EUROSAI-t. Në zbatim të drejtimit të tij strategjik si dhe të drejtimit të tretë strategjik të INTOSAI dhe EUROSAI për shkembimin e njohurive dhe të përvojës me partneret (ku perfshihen SAI-t partnere, shoqëria civile dhe publiku), KLSH ka konsoliduar bashkëpunimin me partneret  e deritanishëm vendas dhe të huaj, si SAI, shoqata profesionale brenda dhe jashtë vendit, organizata te shoqërisë civile dhe mediat, por dhe ka zgjeruar bashkëpunimin, duke lidhur marrëveshje të reja. Si KLSH, bashkëpunimin me shoqatat profesionale dhe shoqërinë civile e kemi ngritur në një nivel të ri, të produkteve të përbashkëta dhe partneritet të plotë. Nëse në dy vitet e para të marrëdhënieve kontraktuale me to, 2012-2013, kemi shkëmbyer informacione, duke thelluar njohjen reciproke, gjatë vitit 2014, kemi realizuar projekte konkrete bashkëpunimi me disa prej OJF-ve dhe organizatave të profesionistëve të fushës në këto drejtime :

  • “Kontrolli i Cilësisë në të ftohtë” nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit;
  • “Realizimi i transparencës dhe komunikimit të KLSH-së me publikun dhe qytetarët” nga Lëvizja Evropiane, Shqipëri;
  •  “Kontrolli i Procesit të Rekrutimit të stafit të KLSH-se”, nga Instituti “G&G Group”;
  • “Analiza e impaktit të shkrimeve të Audituesve të KLSH-se ne shtypin e shkruar “, nga botuesi i Gazetës “Ekonomia”.

Përfaqësuesit kryesore te këtyre organizatave partnere të KLSH do të japin sot vlerësimet e tyre për bashkëpunimin e realizuar. Te gjitha këto projekte i kemi konsideruar si Procese Rishikimipra rishikime mes kolegesh, në parapërgatitje te një “Peer Revieë” me një SAI partner nga Evropa, që e kemi kërkuar gjate vitit 2014 dhe do ta kryejmë gjatë këtij viti. Projektet kanë nxjerrë produkte konkrete, ku janë evidentuar përveç arritjeve, dhe mangësitë e dobësitë e institucionit tonë. Të gjitha rekomandimet e dhëna nga këto organizata do t’i shikojmë gjatë këtij viti me prioritet, me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen.Vitin e kaluar, një arritje në marrëdheniet e institucionit me botën akademike, profesoratin shqiptarë dhe partneret e huaj e shënoi Konferenca e Tretë Shkencore e KLSH, me temëAuditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare, e zhvilluar në Tirane me datat 29-30 tetor 2014. Ajo realizoi avokatinë e plotë të profesionit të financierit publik, kontabilistit dhe audituesit publik suprem, duke përcjellë mesazhin se pa financierë, kontabilistë dhe auditues të përgatitur mirë dhe me integritet të lartë, qeverisja e vendit humbet shumë në llogaridhënie, transparencë, efektivitet dhe efiçienë. Për here te pare në Shqipëri, konferenca hapi një debat të rëndësishëm, atë të analizës së riskut për auditimin publik, detyrë të cilën do ta finalizojmë në konferencën e katërt shkencore të KLSH-së. Sikurse e theksoi Prof. Dr. Skënder Osmani, “Baza e të dhënave është themelore për njehsimin e riskut. Duhet të  përqendrohemi në analizën e riskut në  sektorë të ndryshëm ekonomiko-socialë, si në burimet energjitike, drejtësi,  financë, arsim, minerale,  shëndetësi, rend, mjedis, etj. Duhet të shikojmë mundësinë  për ngritjen e një institucioni që të merret me standardet e burimeve njerëzore,  natyrore,  energjisë, mineraleve, etj, duke përfshirë rezervat, klasifikimin e tyre e deri në analizën e riskut, shfrytëzimin e rezervave, kontratat, etj. Në funksionimin e këtij institucioni duhet  patur parasysh edhe përvoja e vendeve të tjera”.

Prof. Dr. Jorgji Bollano bëri në konference një propozim interesant. Ai kerkoi qe :” Të bëhet një riklasifikim në rritje i kufijve të njësive ekonomike që ligjërisht i nënshtrohen detyrimit për t’u audituar”.

Duke realizuar parimet dhe orientimet e standardeve te INTOSAI-t për realizimin e një transparence të plotë me publikun dhe mediat, si dhe objektivin e tij strategjik për komunikimin, KLSH ka rritur gradualisht, duke arritur në fund të vitit 2014 që të gjashtëfishojë praninë e tij me informacion dhe mesazhe në median e shkruar dhe të katërfishojë prezencën e tij në median audiovizive, krahasuar me vitin 2010. Gjatë 2014-es, shtypi i shkruar ka pasqyruar  raportet dhe njoftimet e KLSH për shtyp 867 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 690 gjithsej përgjatë vitit 2013, ose 26% më shumë. 14 botimet e reja të KLSH-së për vitin 2014, të cilat variojnë nga publikime informuese për raportet vjetore të institucionit dhe marrëdhëniet me Kuvendin, tek botimet shkencore për standardet INTOSAI, për udhëzuesit e auditimeve të ndryshme, etj., i shtohen kolonës së 21 titujve të botimeve të viteve 2012-2013.Gjatë vitit të kaluar, institucioni ka rritur pranin në median e shkruar të vendit, duke bashkëpunuar me gazetat me 134 shkrime, të shkruara nga 51 auditues të KLSH-së, përkundrejt 124 shkrimeve të 42 audituesve te vitit 2013.

Faqja ËEB e KLSH-së ka informacione të përditësuara për planet dhe raportet e Auditimeve, raportin e aktivitetit te KLSH-së, standardet e auditimit, bazën ligjore, raportet e KLSH-së për zbatimin e buxhetit të shtetit, strukturën, botimet, aktivitetet brenda dhe jashtë vendit, etj.

KLSH është shume e hapur edhe ndaj ankesave të qytetarëve, të cilat na adresohen me postë të zakonshme ose elektronike. Këto letër-ankesa të qytetarëve, administrohen me profesionalizëm nga punonjësit e KLSH-së në funksion të tematikës që trajtojnë dhe qytetarët marrin në çdo rast përgjigje për shqetësimin e ngritur, me përjashtim të rasteve kur çështjet e ngritura nuk janë kompetencë e KLSH-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trajtuar gjatë 2014, 394 letra dhe ankesa, për probleme të ndryshme, nga të cilat 170 rezultuan jashtë kompetencave dhe juridiksionit të institucionit. Nga 224 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH, 121prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigja përkatëse, ndërsa 103 janë në procesin e verifikimit.

Konkluzion

Pare ne tërësi, viti 2014 ka përbërë për institucionin e KLSH një vit konsolidimi dhe qëndrueshmërie të reformave të nisura që në vitin 2012. Cilësia e rritur e auditimeve  dhe rekomandimeve tona, shtimi i ndjeshëm i numrit të auditimeve të performancës, kontributi në përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet shtimit te kallëzimeve penale, investimi në një ligj të ri modern dhe në një projekt ambicioz binjakëzimi, të financuar nga Bashkimi Evropian, janë rrugët e duhura për të realizuar plotësisht misionin tonë kushtetues dhe sipas standardeve te INTOSAI-t, atë të rritjes së llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë se institucioneve që auditojmë.   ………jemi të bindur se ky vit 2015 do të jetë viti i zbatimit të ligjit të ri dhe i përsosjes së mënyrës së organizimit dhe drejtimit të institucionit, për të përçuar praktikat më të mira të institucioneve simotra evropiane në këto fusha.