DPT-bizneseve: Bashkëpunoni me Administratën Tatimore në rast kontrolli

578
Sigal

Tatimpaguesit, janë të detyruar të bashkëpunojnë me Administratën Tatimore, në rast kontrolli të ushtruar prej tyre, në çdo mjedis ku ata ushtrojnë aktivitet dhe veprimtarinë e tyre ekonomike. Bashkëpunimi nga ana e tatimpaguesve, konsiston në vënien në dispozicion të Administratës Tatimore të librave, regjistrimet, informacionin dhe dokumentet e nevojshme për të kryer llogaritjen e saktë të detyrimeve të tij tatimore. Por, para kërkimit dhe vënies në dispozicion të informacionit nga ana e tatimpaguesit, personi i autorizuar nga administratë duhet që të paraqesë autorizimin me shkrim për të hyrë (urdhrin ditor të punës) ose lajmërimin për kontroll, i cili duhet të jetë nënshkruar nga drejtori i drejtorisë rajonale. Personi i autorizuar i administratës, përveç informacionit të sipërpërmendur mund të inspektojë dhe kontrollojë operimet e kompjuterëve, arkave regjistruese e pajisjeve të tjera elektronike në mjediset e personit, si dhe mund të marrë kopjet e çdo llogarie, regjistrimi apo informacion tjetër në këto pajisje. Administrata Tatimore ka të drejtë të kërkojë nga tatimpaguesi dhe informacione shtesë, i cili mund të jepet në forma të ndryshme, si nëpërmjet pyetësorëve me shkrim që dërgohen nga ana e administratës te tatimpaguesi për të dhënë dokumente dhe libra e regjistra, për të plotësuar të dhëna të ndryshme për aktivitetin ekonomik, transaksionet tregtare, operacione financiare të kryera nga personi i tatueshëm me persona të tjerë të tretë, etj. Përveç tatimpaguesit, po ashtu edhe përfaqësuesi i tij, ka detyrimin për të dhënë informacione shtesë kundrejt administratës tatimore, me të cilin, kjo e fundit ka të drejtë të kërkojë që të takohet në orarin zyrtar të punës. Në këto raste, personi i tatueshëm, është i detyruar të japë shpjegimet ose informacionet e kërkuara shtesë, me gojë ose me shkrim, brenda 20 ditëve nga data e postimit të kërkesës me shkrim të administratës tatimore ose nga data e nisjes së kësaj kërkese në postën elektronike të personit./monitor