…Nevojitet një njësi e përbashkët matjeje
Me qëllim që të arrihet në një përfundim sa i takon vlerësimit të projektit, të gjitha aspektet e projektit, pozitive dhe negative, duhen shprehur në terma të njësisë së përbashkët; psh duhet të ketë një “kufij fundor”. Njësia e përbashkët më e volitshme në këtë rast është paraja. Kjo nënkupton që të gjitha përfitimet dhe kostot e projektit, duhet të maten në terma të vlerës ekuivalente të parasë. Një program mund të ofrojë përfitime, të cilat mund të mos jenë të shprehura në mënyrë direkte, në para, por se ekziston një shumë parash që përfituesi i shërbimit do ta konsideronte njëlloj sikundër përfitimi i projektit. Për shembull, një projekt mund të ofrojë për pensionistët, një vizitë mujore falas te mjekët. Vlera e përfitimit që ka përfituesi – pensionisti në rastin tonë, është minimum i parave që ky person do të merrte në vend të kujdesit mjekësor. Kjo do të ishte më pak se vlera e tregut të shërbimit mjekësor të ofruar. Supozohet se, përfitimet më pak të dukshëm (si psh mbrojtja e hapësirave të lira ose vendet historike), kanë një vlerë ekuivalente të fundme parash për publikun. Këto kosto dhe përfitime nuk duhen shprehur vetëm në ekuivalentin në vlerë monetare, por edhe në terma të kufizimeve kohore (pra brenda një kohe të caktuar). E kjo jo thjesht për shkak të diferencës në vlerë në kohë të ndryshme , për shkak të inflacionit. Një lek sot, nuk ka të njëjtën vlerë më një lek pas 5 vitesh. Kjo pasi paraja sot mund të investohet dhe të fitojë interes për 5 vitet e ardhshëm. Kështu nëse norma e interesit do të shënohet me r, atëherë një lek i investuar për 1 vite do të shtohet e do të bëhet (1+r)-t. (çfarë quhet ndryshe “vlera në kohë e parasë”). Kur vlera monetare e përfitimeve në një kohe të dhënë në të ardhmen shumëzohet me vlerën e skontuar, rezultati është vlera aktuale e skontuar e atij përfitimi, nga projekti në fjalë. E njëjta gjë aplikohet edhe për kostot. Përfitimi neto nga projekti është thjesht vlera e skontuar e përfitimeve minus vlerën e skontuar të kostove.
Vlerësimet CBA duhet të paraqesin vlerësimet e konsumatorëve
Vlerësimet e kostove dhe përfitimeve duhet të reflektojnë preferencat e shfaqura në zgjedhjet të cilat tashmë janë bërë. Për shembull, përmirësimet në transport përgjithësisht përfshijnë kursimin e kohës. Pyetja shtrohet: Si të masim vlerën e parasë të asaj kohe të kursyer? Vlera monetare nuk duhet të tregojë thjesht vlerën që planifikuesit e projektit të transportit publik (psh) do të mendojnë se ka koha, as vlerën e kohës për njerëzit që do ta përdorin këtë transport. Vlera e kohës shfaqet nëpërmjet zgjedhjeve që bën publiku i gjerë, të cilat përfshijnë llogaritje humbje-fitimesh mes kohës dhe parasë. Nëse publiku i gjerë ka mundësi të zgjedh mes parkimit afër institucionit ku punon për 100 lekë, ose të parkojë më larg (pa pagesë) por të ecë 5 minuta në këmbë dhe ata zgjedhin të paguajnë para dhe të kursejnë kohë, atëherë nëpërmjet zgjedhjes së tyre at kanë shfaqur se koha për ta është më e vlefshme se 20 lekë/minutë. Nëse ata do të kishin qenë indiferentë karshi dy zgjedhjeve, atëherë ata do të tregonin se vlera që ka koha e tyre është ekzaktësisht 20 lekë/minutë. Pjesa më sfiduese e analizës CBA është gjetja e zgjedhjeve të shkuar, të cilat tregojnë nga çfarë është hequr dorë si edhe ekuivalencat mes preferencave. Për shembull, vlerësimi i përfitimeve nga ajri më i pastër duhet bërë nisur nga përllogaritja se sa më pak para do të paguajnë njerëzit për të blerë një shtëpi në një zonë të ndotur, e cila për nga karakteristikat do të ishte identike me një shtëpi në një zonë të pastër. Përgjithësisht vlera që ajri i pastër ka për njerëzit sikundër tregohet nëpërmjet zgjedhjeve të vështira të tregut, duket të jetë më pak sesa vlerësimi retorik i tyre për ajër të pastër.
Përfitimet maten nga zgjedhjet e tregut
Kur konsumatorët blejnë me çmime tregu, tregojnë që të mirat që blejnë janë të paktën njëlloj të dobishme për ta sikundër paratë që shpenzojnë për t’i blerë. Konsumatorët do të rrisin konsumin deri në masën që përfitimi nga një njësi shtesë do të jetë i njëjtë me koston marxhinale për po atë njësi. Në këtë kontekst, konsulatori që blen një produkt, barazon përfitimin marxhinal me çmimin e tregut. Por disa matje të përfitimeve kërkojnë edhe vlerësim të jetës njerëzore. Shpesh është e nevojshme që CBA të vlerësojë përfitimet e të kursyerit të jetës njerëzore. Sa lekë vlen jeta e njeriut? Ka raste ku njerëzit vullnetarisht pranojnë të marrin përsipër më shumë risk për një pagesë më të lartë, si psh në fushën e minierave, ose kur për të kursyer kohë, rrisin shpejtësinë e lëvizjes në autostradë. Këto zgjedhje përdoren për të vlerësuar koston që njerëzit marrin përsipër për riskun e shtuar. Kjo përllogaritje është ekuivalente me vendosjen e një vlere ekonomike mbi numrin e pritshëm të jetëve të kursyera. Në fund, analiza e një projekti përfshin krahasimin e varianteve “me projekt” dhe “pa projekt”. Analiza e kosto-përfitimeve ofron një set procedurash sistematike dhe të formalizuara, me qëllim vlerësimin për të financuar ose jo një politikë ose program publik.
*Audituese e Lartë, Kontrolli i Lartë i Shtetit