Kuvendit dhe qeverisë i kërkohet të mos ndryshojë çdo vit ligjet, ndërsa taksa e pronës nuk duhet të dekurajojë ndërtimin dhe sektorët e lidhur me të
Dhoma Shqiptare Britanike e Tregtisë dhe Industrisë diskutoi me anëtarët, partnerët dhe bashkëpunëtorët e saj lidhur me ligjin më të rëndësishëm ekonomik te vendit përgjatë një viti, buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale. Këto ligje pritet të shqyrtohen nen për nen të enjten e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë, pasi u miratuan më herët në parim. Duke analizuar situatën aktuale ekonomike, por edhe duke njohur nga afër shqetësimet e biznesit shqiptar dhe atij të huaj, që kërkon mundësi investimi në Shqipëri, Dhoma Britanike u sugjeroi të gjitha partive politike parlamentare dhe deputetëve që të marrin në konsideratë disa sugjerime. Sipas Dhomës, këto sugjerime të rëndësishme synojnë t’i japin ekonomisë shqiptare më shumë frymëmarrje dhe dinamizëm. “Mbështesim vendosjen e taksës 10% për të gjithë komunitetin e biznesit pa asnjë përjashtim. Ne gjykojmë se kjo masë do të ndikojë ndjeshëm në formalizimin e ekonomisë dhe do të ndikojë pozitivisht edhe në psikikën e qytetarëve shqiptare për zhvillimin e vendit”, thuhet në pikën e parë të sugjerimeve. Gjithashtu, Dhoma kërkon mbështetje më të madhe për eksportet shqiptare. “Kjo mund të realizohet duke ofruar lehtësi konkrete për prodhuesit për eksport, në rastet kur ata punësojnë një numër të madh punonjësish”, thuhet në dokument. Aty kërkohet që paketa fiskale të mos ndryshojë shpesh, madje as edhe çdo vit, por edhe në rastet kur është e domosdoshme, ndryshimi duhet të jetë në shifra minimale (0.5% dhe jo 50%). “Taksimi i pronës duhet të përcaktohet në një masë të tillë që të mos e dekurajojë industrinë e ndërtimit, si dhe bizneset e tjera të ndërlidhura me të, siç janë financimi, industria e prodhimit të materialeve të ndërtimit, ajo e arredimit etj. E nënvizojmë këtë shqetësim për të evituar atë që ndodhi në Britaninë e Madhe, pasi qeveria vendosi rritjen e taksave për shtëpinë e dytë”, shprehet Dhoma Britanike. Ajo kërkon që të punohet intensivisht, me qëllim që të fillojë lëshimi i titujve të pronësisë, si dhe me synimin për të eliminuar ndjeshëm korrupsionin endemik, sugjerohet përshpejtimi i procesit të digjitalizimit në komunikimin me zyrat shtetërore, duke reduktuar edhe procedurat për hapje biznesi. Dhoma Britanike e Tregtisë dhe Industrisë kërkoi nga deputetët marrjen në konsideratë të propozimeve për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.