Denion Meidani/ Jo politikë minuese e shkatërruese, por mbështetëse e ndërtuese!

742
Sigal

Një epikrizë e thjeshtë.

 Viti i parë në qeverisje nuk ka qenë aq premtues për propaganduesit dhe avokatët e Rilindjes. Aq më tepër që premtimet elektorale kanë avulluar njëri pas tjetrit dhe në eter po qarkullojnë justifikime të tjera. Vetë shteti ligjor i premtuar po merr tipare diku të dukshme, diku të fshehta të një shteti policor, ndërkohë që dhe rendi e siguria lenë shumë për të dëshiruar. Por, po aq e vështirë po bëhet jeta e qytetarëve me të ardhura të ulëta ose modeste. Çmimi i energjisë elektrike është në rritje dhe e njëjta gjë po ndodh për shumë taksa e tatime. Mjaft nga reformat e nisura kanë një ngjyrosje partiake dhe aspak gjithëpërfshirëse, aq sa Gjykata Kushtetuese po përjeton mjaft siklete. Vetë hallkat e gjyqësorit në të tre nivelet ndodhen në ngërç dhe po gjunjëzohen më tej përpara politikës, dhe nga kjo po përfiton pjesa e korruptuar. Pa e vazhduar më tej këtë listë, mund të shtohet se edhe lufta kundër korrupsionit më shpesh duket si një slogan për konsum, sesa angazhim serioz kundër tij, duke i ngjarë jo ndonjë lufte reale por “luftës së yjeve” si tek filmi fantastik- shkencor me të njëjtin titull. Këtë pak a shumë e pasqyroi dhe raporti i sapo botuar i “Transparency International”për perceptimin e korrupsionit për vitin 2014. Aty, indeksi i perceptimit të korrupsionit CPI jep nivelin e korrupsionit sipas perceptimit publik. Sipas tij bëhet renditja e çdo vendi në raport me 175 vendet ku është realizuar studimi. Për fat të keq, Shqipëria e Kosova mbeten në nivele shqetësuese krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ato kanë të njëjtin nivel korrupsioni 33/100 dhe të njëjtën renditje në vendin e 110-të në 175 vende gjithsej.

 Politika shpesh minuese e përpjekjeve për konsolidim demokratik e institucional.

Në vitet e trazuara 90-të, frymëzimi popullor, sidomos ëndrra e brezit të ri, si kundërvënie ndaj regjimit diktatorial ishte formimi i një qeverisje demokratike me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe, vitet e mëvonshme, ne kemi guxuar të ëndërronim që, si fqinjët tanë perëndimorë, do të demokratizoheshim shpejt pa pritur periudhën e gjatë, që kaluan këto vende. Avokatët e vërtetë të demokracisë, brenda dhe jashtë vendit, si atëherë dhe tani, në konvergjencë midis tyre janë fokusuar tek mirëqeverisja, zbatimi i ligjit dhe formimi i institucioneve liberale, të afta për të mbështetur, zhvilluar e garantuar demokracinë politike dhe zhvillimin ekonomik. Sidomos, në listën e kërkesave kryesore janë rreshtuar dje, siç rreshtohen edhe sot: zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sundimi i ligjit, mbajtja nën kontroll e abuzimit dhe e korrupsionit në qeverisje, një administratë publike efektive larg politizimit, institucione kontrolluese e një gjyqësor i pavarura, apo një media neutrale tërësisht të hapur ndaj informacionit. Por, ndryshe vepron shpesh politika. Prandaj, pavarësisht ndryshimeve të kryera, diku me peshë, diku për zhurmë, mund të thuhet se, në rezultante, në krahasim me pritshmërinë qytetare, ka pasur suksese, por dhe dështimet kanë qenë zhgënjyese për qytetarin. Ende sot, politika e media (në shërbim të saj) po i vazhdojnë njëlloj premtimet por me zbukurime të tjera. Pra, nga viti në vit, politikanët dhe “valltarët” pranë tyre, duke i shtuar premtimet e parealizuara, përpiqen edhe sot të gjejnë dhe të arnojnë pjesë të dëmtuara ose të grisura të veprimtarisë së tyre, të platformave të lëshuara pa llogaritjen më të vogël. Veçse, për fat të keq, në çdo ndërhyrje të re ata e kanë shtuar “zullumin” demokratik (më saktë, jo demokratik). Madje, p.sh., sot të kap frika kur sheh dëshirën e madhe për të përmbysur administratën, për të sulmuar e ndërhyrë në drejtësi në mënyrë “politike”, për të zgjidhur probleme sociale me ndërhyrjen e policit! Shpesh kjo bëhet dhe dëshpëruese!…Megjithatë, bashkë me mjaft të rinj të tjerë të ardhur pas studimeve jashtë shtetit apo të përgatitur në Shqipëri, edhe unë bashkë me ta, duke qenë pjesë të administratës teknike, si dëshirë individuale, si kërkesë profesionale ndaj detyrës dhe si përparësi qytetare kemi pasur ndërthurjen, integrimin e qeverisjes së mirë me vetë zhvillimin, me strategjitë në funksion të tij. Kur sheh apo lexon atë që ndodh sot, të krijohet bindja se klasa politike i ka minuar përpjekje të tilla integruese, vetë synimet rinore për emancipim e demokratizim. Ndërsa, shoqëria civile, në mjaft raste, ose ka heshtur ose e ka nënvlerësuar një proces të tillë transformimi e reformimi institucional që kërkon kohë e energji, mendje e kulturë, mundim e sakrificë.

Një histori për t’u mësuar dhe ndjekur.

 Edhe historia e Shteteve të Bashkuara flet për zhvillime të tilla. Kështu, p.sh., në vitin 1870 të gjithë vendet e punës (administratës) në nivel federal ishin “patronage jobs”, d.m.th. pas rotacionit politik apo me ardhjen në pushtet të një partie të re ndryshonte tërësisht administrata. Shumë shpesh, pushime të tilla në masë e çonin sistemin në konvulsione gati-gati shkatërrimtare. Kjo u korrigjua hap pas hapi në periudhën 1870- 1920; madje gjatë të ashtuquajturës “Erë Progresive” sektori publik amerikan u transformua rrënjësisht, duke ruajtur bërthamën teknike të administratës dhe ndryshuar vetëm pjesën politike të saj. Presioni për ndryshime sociale, aktiviteti reformues brenda aparatit burokratik dhe rritja ekonomike e qëndrueshme gjithëpërfshirëse, të kombinuara midis tyre ndihmuan në progresin dhe demokratizimin e shtetit ligjor amerikan. Por, kjo përvojë historike amerikane, apo ajo e vendeve të tjera perëndimore, normalisht duhet të na kishin ndihmuar për të na shkurtuar kohën e ecjes sonë demokratike-institucionale!…Diçka tjetër që po e pengon përpjekjen tonë për reforma institucionale e demokratizim në këto njëzet e kusur vjet është dhe çështja e luajalitetit politik, varësisë dhe e stabilitetit në aleanca të ndryshme partiake e personale, në kompromise parimore e joparimore. Partitë e ndryshme nga të dy krahët i përdorin zgjedhjet elektorale si mënyrë për të vendosur kush do të qeverisë, por përtej kësaj nuk i respektojnë apo nuk i nënshtrohen rregullave të lojës elektorale apo asaj ekonomike-politike pasuese. Në fakt, sipas fituesit të çmimit Nobel në ekonomi, Douglass North, ato që i mbajnë në këmbë sisteme të tillëtë ngjashëm me tonin janë marrëveshjet pas zgjedhore të fituesve, që mund të jenë edhe nga dy kampe rivale, në ndarjen e pushtetit. Tipike ka qenë aleanca qeverisëse në Gjermani midis dy partive, asaj Social-Demokrate (SPD) dhe Unionit Kristian-Demokrat (CDU), kurse në Kosovë procesi i stërzgjatur në krijimin e aleancës PDK-LDK, mund të shoqërohet me probleme serioze në qeverisje. Ashtu, si në Kosovë, edhe tek ne aleancat fituese kanë shfaqur orekse të paarsyeshme. Dhe kjo ka qenë dhe mbetet një pengesë e madhe në procesin e zhvillimit ekonomik, sidomos të reformave dhe forcimit demokratik të institucioneve. Madje, në raste të veçantë kjo ka rezultuar deri fatale për demokraci të brishta si kjo e jona.

Tri përbërëse të një recete.

 Sipas politologut David Rothkopf një nga recetat, që vlen të merret parasysh në rrugën për demokratizim, është ajo me 3 përbërëse kryesore:

Së pari, mos bëj dëmkur merr pushtetin. Kështu, në librin e tij më të fundit, flitet për rastin e Bangladeshit, që sipas “Transparency International”, është një nga vendet më të korruptuara në botë. Por, pavarësisht kësaj, që nga viti 1990 ekonomia e tij është rritur mesatarisht me 6% në vit, kurse reformat kanë qenë të suksesshme në edukim e shëndetësi deri në 2009. Veçse reformë-marrëveshja mbi institucionet e shoqëruar, me ndërhyrje të pamenduara mirë dhe një fushatë propagandistike kundër korrupsionit (përfshirë dhe arrestimin e disa funksionarëve të lartë dhe të ish-kryeministrin Khaleda Zia) në vend të pritshmërisë destabilizoi institucionet dhe prapësoi disa arritje të mëparshme, pra duke bërë më shumë dëm se mirë.

E dyta, drejtuesit politikë, në kryerjen e reformave, duhet të fokusohen në arritje konkrete dhe të përqendrohen në “ishuj efektiviteti”, por jo të përmbysin tërësisht fushën e lojës. Në të vërtetë, elitat politike e ekonomike, zakonisht, nuk kanë dëshirë të lëshojnë privilegjet e tyre në strukturat ose organizimet ku ato gëzojnë pozicione dominuese dhe fuqi të tejskajshme. Kurse, duhet të ndodhte e kundërta. P.sh., zyrtarët e qeverisë qendrore dhe donatorët, të angazhuar në ngritjen e infrastrukturës lokale, do të kishin më shumë sukses po të përfshinin në një aktivitet të tillë pushtetin lokal, OJQ-të apo komunitetet lokale, në vend që të zbatojnë një përafrim vertikal nga lart-poshtë (top-down), siç vërehet sot në Shqipëri për çdo reformë e vendimmarrje. Përafrimi i kundërt nga poshtë-lart (bottom-up) nevojitet të zbatohet në çdo reformë të shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë. P.sh., në edukim mund të krijoheshin oportunitete shumë më të mira për gjeneratat e ardhshme kur projektuesit e reformës do të ndërvepronin më mirë me prindërit, mësuesit e drejtuesit aktual të shkollave, do të fuqizonin rolin e tyre, në vend që t’i trembnin ata me dhunë verbale apo pushime në masë.

E treta, s’duhet të shtrihen këmbët më shumë se ç’ ke jorganin. Kështu, p.sh., një formë ekzagjerimi është ajo e premtimeve elektorale, kur realizimi i tyre është i pamundur. P.sh., premtimi për hapje të 300,000 vendeve të reja të punës në mandatin e parë të rilindjes ishte krejtësisht i gabuar, sepse që të realizohej ai në kushtet e Shqipërisë kërkoheshin dekada. Për ta mbuluar këtë “gafë” financiare, lufta për pakësimin e punës në të zezë është quajtur dhe rritje vendesh pune! Një tjetër pamje ekzagjerimi është kur me qëllimin për të ndërtuar gjera të mira ndiqen, gabimisht, rrugë më pak demokratike si: përdorimi i policisë dhe i dhunës, shkatërrimi i ndërtimeve në mënyrë arrogante e autoritare, ligjore ose joligjore, etj, deri duke u justifikuar me mundësinë numerike të amendamenteve ligjore në çdo kohë, në Kuvendin e “1milion shuplakave”. Këto lloj ekzagjerimesh e minojnë demokracinë dhe institucionet në vend, madje i pengojnë këto të fundit në procesin e reformimit, duke e tejzgjatur tranzicionin dhe shansin e integrimit në BE…

Nga hiçi rrjedh vetëm hiç.

Në aspektin institucional, ndërtimi me nivel i institucioneve të një vendi është thelbësor për progresin dhe afat-gjatësinë e zhvillimit të tij. Për këtë kërkohen dhe vihen në veprim rregulla, që i shërbejnë stabilitetit e zhvillimit, duke ofruar njëkohësisht struktura që kanalizojnë ndërveprimin kolektiv dhe pjesëmarrjen qytetare. Nga ana e tyre, institucionet bashkë- zhvillohen paralelisht me ekonominë, shoqërinë e politikën. Në këtë kuptim, ato nuk mund të ndërtohen sipas skemash të para-gatuara në zyrat e ndonjë partie apo sipas skicave të ndonjë individi, qoftë ai dhe kryetari i saj. As të qenit arkitekt ose piktor nuk të ndihmon, përkundrazi! Në të vërtetë, çdo forcë politike, pjesë e rotacionit politik ciklik, duhet tësynojë një projekt zhvillim hap pas hapi të institucioneve, nisur nga përvoja e mëparshme, nga korrigjimet e përmirësimet e mëtejshme, por dhe përvoja e huaj. Duke zgjeruar vazhdimisht oportunitetin dhe duke i dhënë hapësirë dhe frymëmarrje sektorit privat krahas atij publik. Kjo bëhet akoma më e domosdoshme kur ritmet ekonomike ngadalësohen apo ekonomia e humbet drejtpeshimin. Nga ana tjetër, preokupimi për një qeverisje të mirë dhe fuqizimi i kontributit sipas kategorizimit apo rëndësisë së institucioneve në stabilitetin demokratik nuk duhet të cenojnë një mori parametrash në kuadër të mekanizmit “checks and balance”, mbi të gjitha për të mos reduktuar hapësirën për kritikë e diskurs kritik, për të miratuar rregulla të lojës elektorale të ndershme dhe, mbi të gjitha, të fus në veprim mekanizma që kufizojnë në mënyrë demokratike forcën apo trysninë koercitive të ekzekutivit. Kjo bëhet akoma më shqetësuese kur lexohen larje hesapesh me kundërshtaret, siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Shqipëri. Sepse bie kështu pesha kufizuese opozitare! P.sh., grupet e interesit, që nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek qeveria e pushteti, mund të kanalizojnë pakënaqësitë e tyre në një opozitë paqësore larg formave të dhunshme e destabilizuese. Dhe kjo është plotësisht e arritshme nëse jeta, liria dhe prona është e paprekshme, e mbrojtur nga ligji ndaj ushtrimit arbitrar të pushtetit shtetëror. Pikërisht, vet-përmbajtja kthehet në një incentivë serioze kur ekziston bindja se  zgjedhjet janë të besueshme, të lira dhe të ndershme, mbi të gjitha për të garantuar një rotacion të mundshëm dhe të pranueshëm. Sidoqoftë, në një perspektivë afat-gjatë institucionet e forta nuk janë të mjaftueshme për të garantuar demokraci të qëndrueshme. Eksperienca ka treguar që demokracia e një vendi është aq e fortë sa dhe pjesëmarrja apo dedikimi i njerëzve të tij në një rend të hapur e demokratik. Një dedikim i tillë vjen vetëm nga një vizion frymëzues që sot fatkeqësisht mungon në Shqipëri përgjatë gjithë spektrit politik. Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë se udhëtimi drejt një shoqërie demokratike dhe një shteti me parametra evropianë nuk mbaron ndonjëherë. Do të ketë gjithmonë njerëz dhe “hapësira kokëforta”, që e bëjnë krahasimin e premtimeve me realitetin tepër zhgënjyes. Gjithashtu, ne shqiptarët, duhet të mësojmë që të evitojmë zgjedhjet apo variantin ku agjenda për qeverisje të mirë ka si rrugë veprimi të ashtuquajturën rilindje me një mohim të plotë të asaj që është arritur, rezultateve demokratike të mëparshme, përvojës së institucioneve dhe burimeve njerëzore të deritanishme. Kjo jo vetëm është kundër procesit historik të transmetimit të eksperiencës njerëzore, por nuk është as realist, aq më tepër prodhon pakënaqësi e dëshpërim. Premtimet ekstreme të parealizueshme të mbështetura në iluzione dhe argumentime pseudo- teknokrate, si p.sh. ajo e 300,000 vendeve të punës disa vite më parë, mund të tingëllojnë të bukura, mund të ekzaltojnë militantë në salla kongresesh e mitingje, por lenë një shije tepër te hidhur tek qytetari jopartiak, dhe aq më keq lenë mbrapa e tokë të djerrë. Ajo që ofron demokracia, në zemër të saj, ndryshe nga alternativat e tjera autoritare, është thjesht një ftesë për qytetarët për të ndërmarrë një udhëtim sfidues dhe fisnik, një mundësi për t’i dhënë formë e drejtim jetës së tyre, në mënyrë të veçantë për të qenë pjesëmarrës në formësimin paqësor të shoqërisë së tyre, mbështetur në vizionin personal mbi lirinë e drejtësinë. Një premtim për të ushqyer këtë ftesë (dhe jo premtimet e llojllojshme dhe të pabuka!) duhet të jenë në zemër të konceptimit demokratik të shtetit, inspirimit ligjor dhe burimit të zhvillimit e progresit të qëndrueshëm të tij.