Covid-19/ Bizneset ulin qepenat, dyqanet dalin në shitje

482
Sigal

Flasin Prof.Arben Malaj, Adrian Civici dhe Shpëtim Agolli: Ja ku gaboi Rama me menaxhimin e parave në pandemi. Babëzia e qeverisë, kostot e rënda të PPP-ve dhe mungesa e efektivitetit të  paketave nxitëse,  rritën papunësinë dhe pabarazin sociale. Ja reagimi i sipërmarrësve

PPP me kosto të rënda, paketat nxitëse të qeverisë pa efekt për të dhënë ndihmë konkrete

Qeveri e babëzitur! Vendi po vuan papunësinë dhe pabarazi sociale

Ekspertët: Ku gaboi Rama me menaxhimin e parave në pandemi

Për të përballuar pasojat e pandemisë globale Covid-19, qeveria shqiptare duket se u mjaftua vetëm me paketat ndihmëse që ofroi në fillim të zyrtarizimit të saj, ndërsa tani po vijon të mendojë për projektet madhore prej miliona eurosh, që nuk do ti ndihmojnë direkt, të goditurit nga kjo situatë. Ndihmat e dhëna nga qeveria përfshijnë fondin prej 100 milionë eurosh për pagat e luftës, prej të cilit kanë përfituar 200 mijë persona. Po ashtu, për bizneset e mëdha, kanë qenë të disponueshme edhe dy fonde garancie, i pari për pagat, rreth 11 miliardë lekë në total dhe fondi i dytë prej 15 miliardë lekësh për likuiditete. Sipas ministrisë së financave prej këtyre fondeve janë përdorur rreth 38%, ku përdorimi më i ulët ka qenë nga paketa e dytë me rreth 20%. Ekspertët thonë se këto ndihma nuk kanë sjellë efektin që pritej prej tyre, pasi në vend është rritur papunësia, pabarazia sociale dhe tani vendi po vuan krizën e konsumit.

 Prof.Arben Malaj, ekspert ekonomie tha se “Në rishikimin e buxhetit që bëri qeveria, janë rreth 50 miliardë lekë që do t’i mungojnë buxhetit të shtetit, të cilat duhet të kompensohen me zëra të tjerë, por që është e pamundur. E dyta, shkurtimi i shpenzimeve, vret më shumë shtresat e varfëra  dhe të papunët. E treta, që besoj, do të ndodhë më shumë, është rritja e deficitit dhe borxhit publik, pra ne në 2020, do të prodhojmë një borxh në rritje që do të mbetet një barrë e rëndë  edhe për gjeneratat e tjera, jo vetëm për taksapaguesit e tanishëm. Kështu që në vend që të bëjmë aritmetikë me ekonominë, duhet të bëjmë politika të mirëfillta sociale, sesi ekonomia duhet  të dalë nga kriza, dhe sesi ne i kthehemi normalitetit që në thelbin e tij duhet të jetë kthimi i punës, kthimi i të ardhurave reale dhe kthimi i pritshmërive pozitive për të ardhmen.”

Më e rëndë kriza ishte për bizneset e vegjël, të cilët ose janë mbyllur duke hedhur në treg më tepër të papunë, ose janë në krizë për likuiditet. Në një ekonomi si kjo e jona, ku numrin më të lartë të sipërmarrjeve e kanë tregtia dhe shërbimet, mbyllja e tyre, ka çorientuar mënyrën si ishte ndërtuar struktura jonë ekonomike.

Shpëtim Agolli, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të vogël e konsideron shumë të ulët mbështetjen e qeverisë për të vegjëlit. “Qeveria për të përkrahur të gjithë biznesin ka dhënë vetëm 85 milionë euro dhe po ta llogarisësh me pagën minimale prej 26 mijë lekësh, t’i pjesëtosh me 3 muaj, del që vetëm 149 mijë punonjës janë stimuluar me këtë pagë. Ne pretendojmë që të papunë kanë mbetur 250 mijë apo 300 mijë njerëz. Ne shpesh herë kemi thënë që kjo ishte më tepër si asistencë sociale, ndërkohë që kishim kërkuar të tjera ndihma dhe përkrahje nga qeveria që biznesi sot të mos ndodhej në vështirësi. Shumë biznese prej mungesës së likuiditetit po ulin qepenat, plus edhe qarkullimi ka rënë, po punojnë me 30% të xhiros.”

Në pamje të parë, më e lehtë kriza duhet të ishte për bizneset e mëdha, pasi iu ofrua edhe kredi me garanci sovrane, por në fakt shfrytëzimi i saj ka qenë mjaft i ulët.

Prof.Adrian Civici, ekspert ekonomie thotë se “një pjesë e madhe e bizneseve nuk e konsiderojnë këtë lloj ndihme për biznesin si një formë efikase, sepse kanë ndodhur disa fenomene pse nuk mund të shfrytëzohet në ato përmasa dhe në atë vëllim që u dha kjo kredi.

Së pari, ekzistonte një kusht që të gjitha ato biznese që deri në muajin shkurt të vitit 2020 kishin pasur qoftë edhe probleme minimale me sistemin e kredisë së mëparshme, duke mos qenë korrekt dhe të rregullt në pagesa, nuk mund të përfitonin nga kjo kredi. Së dyti, bizneset mendojnë që megjithëse norma e interesit që u servir se ishte relativisht e ulët, në fakt nuk ishte dhe aq favorizuese dhe tërheqëse sepse nuk duhet të harrojmë që 65% e bizneseve shqiptare ishin tashmë në një sistem kredie në sistemin tonë bankar, pra nuk është se kishin ndonjë nevojë urgjente që t’i drejtoheshin këtij sistemi pasi ishin pjesë e tij. Së treti, po të kemi parasysh sidomos kredinë e dytë sovrane, bizneset në kushtet e bllokimit, të karantinës, por edhe bllokimit të aktivitetit ekonomik të shumë prej tyre, përveç nevojave të mbijetesës imediate për fondin e pagave, ishin pak të prirur për të marrë një kredi të re e cila nënkuptonte një përdorim të plotë të kapacitetit të prodhimit, një zgjerim të kapacitetit, ose një përfshirje normale në aktivitetin ekonomik të vendit dhe në tregje, sigurisht duke respektuar kontratat dhe detyrimet.

Në të njëjtën linjë është edhe prof. Malaj. “Nuk kishte ndonjë etje të madhe për të marrë kredi sepse në një ekonomi që nuk është e sigurt sesi do të rritet, kjo kredi mbetet një borxh. Pavarësisht se qeveria thotë se është garanci sovrane 100%, në fund të fundit duhet të jetë biznesi që duhet të përgjigjet për cilësinë e kredimarrjes, duhet të jetë ministri i financave përgjegjës ligjor për përzgjedhjen e kompanive që kanë më shumë nevojë apo përzgjedhjen e kompanive që kanë më shumë mbështetje elektorale me qeverinë. Kështu që për mua, pjesa e dizenjimit është më e lehtë, por pjesa e implementimit në vende me institucione të dobëta ku qeveria shqiptare vlerësohet për korrupsionin e përhapur dhe riskun e kapjes së shtetit, është e vështirë të jesh optimist që pavarësisht nga madhësia e paketave të kemi rezultatet që presim në ekonomi.”

Ekspertët, por edhe ata që po vuajnë më rëndë pasojat e pandemisë, shprehen të pakënaqur nga paketat ndihmëse të deritanishme prej qeverisë. Por cilat do të mund të ishin disa alternativa për të dhënë ndihmë konkrete?

Prof. Civici propozon se “më e rëndësishme dhe më direkte do të ishte, ashtu siç kanë vepruar edhe vende të tjera, që të gjendeshin forma të kalimit të likuiditetit direkt tek bizneset qoftë për të mbajtur status quo-në deri kur të fillojë procesi normal i prodhimit, ose për të përmbushur kërkesat më minimaliste dhe më të domosdoshme të dhënies së pagave dhe të një aktiviteti minimal pa rrezikuar që ato të mbyllen, të falimentojnë ose të ndërpresin për një kohë të gjatë prodhimin e tyre”

Sipas ish- ministrit të financave,  Prof.Arben Malaj taksapaguesit po paguajnë, jo për ato që kanë nevojë urgjente, por për gjobat në adresë të qeverisë. “Janë qindra milionë euro që do të vijnë si detyrim mbi taksapaguesit shqiptar. Më lejoni të them vetëm një shifër, gjoba 110 milionë euro e rastit “Becchetti”. Detyrimi për gjobën, me kursin aktual të euros është më e lartë se i gjithë buxheti i bujqësisë. Pra, me një gjobë, rrënohen 45% e popullsisë që jeton në zonat rurale. Sa shtretër mund të shtoheshin për të luftuar më mirë pandeminë, sa infrastrukturë në arsim, në shëndetësi, por edhe në logjistikën e informatikës pengohen për t’u kryer në kohën e duhur sepse gjithnjë e më tepër ne po paguajmë gjobat e qeverisë Rama, e cila identifikohet me 4 tipare kryesore, e pa arsimuar për shkak të reformave të dështuara, e papërgjegjshme për shkak të humbjeve të mëdha në gjyqe, arrogante sepse ka drejtuar jo duke u bazuar tek ligji, por tek pushteti absolut, dhe e fundit me PPP-të dhe me kostot e rënda mund të konsiderohet  pa hezitim një qeveri e babëzitur”.

Vitrina e krizës nga COVID-19

 Bizneset ulin qepenin ose dalin në shitje

Shitësit: Përfundimisht do e mbyll, dhe me shumë mundësi do lëvizim përsëri jashtë

Shumë sipërmarrje të vogla nuk kanë mundur t’i mbijetojnë krizës ekonomike që solli pandemia e  COVID-19; disa kanë mbyllur aktivitetin dhe disa të tjerë e kanë nxjerrë biznesin për shitje.Në rrugët kryesore të Tiranës, ku më parë vitrinat e dyqaneve ishin të mbushura me mallra të reja, tani shihen shpesh të afishuar lajmërime për dhënie me qira të hapësirës komerciale, apo njoftime për biznese që janë vënë në shitje. Sipas sipërmarrësve, shkaqet kryesore të mbylljes së aktivitetit  mbeten aktet normative kufizuese që synojnë parandalimin të COVID-19, si edhe rënia e fuqisë blerëse për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. “Menduam se do na ecte, por deri tani brenda 2 muajve kam humbur 3 milionw lekë,” -ankohet Marigleni, pronari i një butiku në bulevardin “Bajram Curri”, i kthyer disa muaj më parë prej emigracionit në Shqipëri. “Kam 20 vjet që jetoj jashtë dhe tani për shkak se kam krijuar familje këtu me bashkëshorten, thashë ta provojmë njëherë,” -tha ai, ndërsa shtoi se “përfundimisht do e mbyll, dhe me shumë mundësi do shkoj përsëri jashtë.” Marigleni i kthyer në atdhe pas situatës kaotike që solli COVID-19, mendoi të hapte aktivitetin e tij vetëm pak ditë pasi u lehtësuan masat kufizuese të pandemisë në qershor, por pritshmëria e tij për një rimëkëmbje të shpejtë të fuqisë blerëse nuk u përmbushën. Biznesi i Maringlenit nuk është i vetmi që po has në vështirësi. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në periudhën mars – korrik të vitit aktual 2944 biznese kaluan në statusin e subjekteve pasive. Alket Karari, pronar i pub “Canon” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, i tha  se kufizimet e shumta që vijnë si pasojë e pandemisë e kanë bërë këtë lloj biznesi aspak tërheqës. “Pub-in e mbylla 2 javë përpara shpërthimit intensiv të pandemisë, por duke qenë njëkohësisht edhe pronar i ambientit, m’u desh më pas ta lëshoja me qira, por për shkak të situatës, askush nuk e mori as me qira,” -tha Karari. Ai shtoi se akti i fundit normativ mbi kufizimin e muzikës pas orës 20:00, i kufizoi ndjeshëm mundësitë për ta dhënë ambientin me qira. “Në muajt e lehtësimit të situatës më erdhën disa mundësi të tjera për qiradhënie, përsëri për ambient bar/klub nate, por edhe këto mundësi u anuluan për shkak të kufizimit që vuri qeveria për orarin e muzikës,” -shtoi Alketi. Pronari i butikut “King & Queen” i kthyer nga emigrimi e hapi biznesin fill pas lehtësimit të masave kufizuese të COVID-19, por vendosi ta mbyllë atë përsëri për shkak të humbjeve. Marigleni u ankua se biznesi ishte ‘katastrofë.” Si shumë emigrantë të tjerë, ai u kthye në atdhe me shpresën se duke investuar në një biznes do të i mundësojë dhe qëndrimin pranë familjes. Ndryshe nga shumë sipërmarrës të tjerë – të cilët në muajin qershor vendosën t’i kalonin bizneset e tyre në statusin pasiv, Marigleni guxoi të hapte një sipërmarrje të re.“Përpara se ta hapja unë këtë dyqan e kishte djali i dajës, një biznes të ngjashëm me rroba të shtrenjta. Ai e mbylli për shkak të situatës dhe ja mora unë me rroba më të lira,” -tha ai. “Gjithsesi, njerëzit nuk kanë të harxhojnë, edhe ato 5 lekë që kanë i kursejnë, sepse nuk e dinë se çdo të ndodhë nesër,” -shtoi ai. Pothuajse të njëjtin fat pati edhe pronari i picerisë “Punto Zero” në zonën e Tiranës së Re, tashmë e mbyllur prej pothuaj dy muajsh.

“Kisha një muaj që e kisha hapur picerinë, kur u ndërmorën masat për mbylljen e bizneseve në muajin mars,” -kujton Klodi Vila, i cili u kthye në Shqipëri prej mërgimit pak kohë përpara pandemisë. Ai  tha se masat kufizuese që qeveria po ndërmerrte çdo ditë kundër COVID-19, ndikuan ‘shumë’ në vendimin e tij për ta mbyllur aktivitetin e porsahapur. “Nuk kam pasur siguri për masat e mëtejshme që do të ndërmerrte qeveria,” -thotë Vila, ndërsa shpjegon vendimin për ta mbyllur picerinë. “Duke parë dhe mënyrën sesi çdo gjë vendosej nga kryeministri – që ndryshonte masat disa herë brenda ditës, prandaj vendosa të kthehem jashtë shtetit ku jetoj dhe mbase në një moment të dytë, do të rihap përsëri aktivitetin në Shqipëri,” -shtoi ai. “Design walking Shoes”, një dyqan pranë rrugës “Muhamet Gjollesha”, i cili është hapur 5 vite më parë, tani është nxjerrë në shitje. Shitësja  tha se gjatë muajve të fundit xhiroja ditore e subjektit kishte rënë ndjeshëm. “Gjatë më shumë se 5 viteve që kemi hapur dyqanin,  gjithmonë kishim diku deri në  200 mijë lekë të vjetra xhiro në ditë; tani xhiroja mezi shkon deri në 50 mijë lekë të vjetra,” shpjegoi ajo. “Nuk i dilet dot, pasi është për t’u paguar si qiraja ashtu edhe punonjësit; nuk fitojmë më asgjë, po dalim me humbje,” -shtoi ajo, duke shpjeguar vendimin e pronarëve për ta shitur. Megjithatë, gjetja e një blerësi për dyqanin nuk duket një punë e lehtë.“Kemi nxjerrë lajmërimin për shitjen e biznesit prej 3 muajsh, që prej daljes nga karantina, por nuk po e blen njeri, për shkak se nuk kanë para, ” -shpjegoi gruaja që qëndronte pas banakut, e cila nënvizoi se tashmë kishte filluar të shikonte për një punë të re. Ajo shpjegoi se gjatë muajve të fundit kanë marrë shumë pak furnizim nga jashtë, pasi nuk duan të rrezikojnë, përderisa janë drejt mbylljes, por me gjithë çmimet e ulëta klientët numërohen me gishtat e njërës dorë. “Edhe pse janë të gjitha produktet me ulje, edhe ata 5-6 klientë që vijnë,  thonë që edhe me 10 mijë lekë të vjetra u duket shtrenjtë”, -tha ajo.“Kam filluar të shikoj për punë, pasi nëse biznesi nuk shitet dhe pronarja merr vendimin ta mbyllë përfundimisht, unë do të mbetem e pa punë, por akoma nuk kam gjetur asgjë”, -përfundoi shitësja, duke vënë në pah pasigurinë për të ardhmen e afërt.BIRN