Çmimet rriten, furnizimi me ujë bie

472
Sigal

Vitin e kaluar, ujësjellësit kryesorë në vend përfituan rritje të fortë të çmimeve të furnizimit me ujë dhe heqjes së ujërave të zeza. Kjo rritje u shpërblye për konsumatorët me një rënie të lehtë të orarit të furnizimit me ujë.

Shqiptarët u furnizuan me mesatarisht 11.65 orë ujë në ditë gjatë vitit 2018, me një rënie të lehtë nga furnizimi me 12 orë në ditë që ishte në vitin 2017. Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit, institucionit mbikëqyrës të sektorit të ujësjellësve dhe kanalizimeve, i cili vendosi në mwnyrw kontroverse  në vitin 2017 të pranojë kërkesat për rritje tarifash nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe UK Durrës. Raporti vjetor i ERRU është një përmbledhje e të dhënave kryesore të raportuara deri në shtator 2018. Një raport më i detajuar i quajtur Raporti i Performancës, pritet të publikohet më vonë. Raporti nuk jep të dhëna të detajuara për kompanitë e ujësjellësve më vete por të dhënat e përgjithshme tregojnë se mbulimi me furnizim me ujë, treguesi që mat pjesën e familjeve shqiptare që kanë akses në rrjetet e ujësjellësve publikë, pësoi një rënie të lehtë nga 78.3 në 78.2% ndërsa norma e arkëtimit të faturave korrente nga kompanitë pësoi një rritje të papërfillshme nga 78.8% më 2017 në 79% më 2018. Treguesi Uji Pa të Ardhura, i cili mat humbjet në rrjet, pësoi një përmirësim të papërfillshëm nga 65% në 63.4%. Dukshëm si rrjedhojë e rritjes së çmimeve me vendimet e ERRU të vitit 2017, performanca ekonomike e matur si “mbulimi i kostos së operimit dhe mirëmbajtjes” me të ardhura u rrit nga 109% në 124%, duke treguar se shqiptarët paguan më shtrenjtë për të marrë furnizim me ujë, por kjo nuk u konvertua me shërbim më të mirë. Gjergj Erebara