Cani: Rimbursimi i TVSH-së, shtohen një sërë lehtësirash për fermerët

677
Ministria e Financave ka ofruar një tjetër lehtësi lidhur me përfitimin e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjithë fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore dhe blegtorale. Kreu i Financave, Shkëlqim Cani ka ndryshuar urdhrin për rimbursimin e TVSH-së duke shtuar një sërë lehtësirash, ku ndër të tjera është kthimi i tatimit me anë të postës.

URDHRI
Nëpërmjet një ndryshimi në Udhëzimin nr.19, datë 3.11.2014, “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar”, bëhet e ditur se: “Personi i tatueshëm blerës nuk ka të drejtë të kreditojë kompensimin prej 20% të paraqitur në faturën tatimore të lëshuar sipas këtij neni, nëse nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit nëpërmjet likuidimit të vlerës së faturës nga llogaria bankare e tij në llogarinë bankare të fermerit, apo nëse ky likuidim i faturës, nuk është kryer nëpërmjet shërbimit të Postës Shqiptare”.

Ky ndryshim iu vjen në ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me NIPT nga Drejtoritë Rajonale Tatimore dhe të cilëve pajisja me NIPT i ndihmon dhe në formalizimin e transaksioneve, të cilat për qëllime të skemës së kompensimit, faturohen që të plotësohet zinxhiri i TVSH-së. Sikurse është bërë e ditur, sipas ligjit, për transaksione deri në 5 milionë lekë, fermerët nuk kanë asnjë detyrim për të paguar, nuk u jepen as fatura tatimore.

PËRFITUESIT 
Aktualisht janë më shumë se 11 mijë fermerë që paraqitën kërkesë për të përfituar një dokument zyrtar që i identifikon ata si shitës së prodhimeve të tyre përtej konsumit familjar (dhe për të cilën përfitojnë vlerën e 20% të çmimit të shitjes). Ndryshimi në këtë udhëzim i ofron më shumë lehtësi kësaj kategorie të fermerëve për të përfituar nga skema e rimbursimit, duke përfituar në kohë dhe në procedura më të thjeshta nëpërmjet shërbimit të Postës Shqiptare.
Sigal