Sigal

Buxheti i arsimit ka një rritje konstante nga viti në vit, rritje kjo që është shumë larg buxheteve që përdorin si vendet e rajonit ashtu edhe ato europiane për dijen.

Për vitin 2019 buxheti i arsimit do të jetë në vlerën e 39.1 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth një miliardë lekë më shumë se viti 2018. Gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit, ashtu si edhe vitet e mëparshme është debatuar në lidhje me buxhetin e sportit. Fondi i vënë në dispozicion për sportin nga kjo ministri është i njëjti me atë të vitit 2018 në vlerën e 500 milionë lekë. Ndërkohë që të 25 federatat sportive por edhe individët do të përfitojnë më pak fonde edhe me mbylljen e lojërave të fatit.

Por ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Lindita Nikolla ka cilësuar si një vendim shumë të mirë mbylljen e lojërave të fatit, ndërkohë që u shpreh se do të shihen mundësi të tjera për të financuar sportin.

Ndërkohë që buxheti për arsimin profesional do të jetë rreth 3.3 miliardë lekë, ku një pjesë e tij parashikohet që të jepet në formën e bursave për  vajzat të cilat studiojnë në degë që historikisht janë njohur si zanate për burrat.

Nga buxheti i Ministrisë së Arsimit rreth 650 milionë lekë parashikohet që të shkojnë për transportin falas të fëmijëve në shkolla.