Buxheti 2016, Cani: Konsolidojmë financat publike dhe ulim borxhin

662
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi të hënën, se përmes projektbuxhetit të vitit 2016 kjo qeveri po bën realitet premtimin e bërë për konsolidimin e financave publike dhe uljen e borxhit publik.
Duke prezantuar projektbuxhetin për vitin 2016, para deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministri Cani tha se falë reformave të ndërmarra në dy vitet e para të qeverisjes kemi arritur të rrisim të ardhurat dhe për herë të parë buxheti i vitit që vjen planifikohet me sufiçit primar prej rreth 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por, sa i takon filozofisë që sjell ky buxhet, sipas opozitës, shihet qartë një braktisje totale e ekonomisë nga qeveria. Ky buxhet sipas tyre, vjen me ulje të investimeve publike dhe rritje simbolike të të ardhurave.
“Ky buxhet lexohet shumë lehtë nga gjithsecili dhe që në pamjen e parë konfirmon rrënimin e disiplinimit fiskal”, tha ish-ministri i Financave në qeverisjen e djathë, deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, ndërsa shtoi se përpjekja e qeverisë për të injektuar optimizëm duket një betejë e humbur. Por ai pranoi se buxheti i vitit që vjen është i vetmi i buxhet i sjellë nga kjo mazhorancë që është me këmbë në tokë, kjo sipas tij, falë FMN-së.
Ky buxhet, thotë Bode, ka taksa të reja në një vlerë që shkojnë në 4 miliard lekë dhe duke zbritur 1.3 miliard lekë nga heqja e taksës për biznesin e vogël, mbeten 2.7 miliard lekë taksa të reja që vendosen në vitin 2016.
Ajo me të cilën ballafaqohemi sot është raprezalje e qeverisë kundër biznesit për kuponin tatimor, vijoi Bode, duke shtuar se informaliteti tek biznesi i vogël është shumë më i vogël se sa tek mallrat e akcizës dhe biznesi i madh. Sipas tij, qeveria planifikon gjobën për kuponin tatimor të barabartë me taksën që paguante për 20 vite së bashku.
Por, deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli tha se buxhetet e 2 viteve të mëparshme ishin në funksion të një situate të rënduar ekonomike. “Buxheti i vitit 2016 është një buxhet që të paktën vendos konsolidimin fiskal”, tha Angjeli, duke kundërshtuar kështu akuzat e opozitës, sipas të cilës, e rrënon atë.
Lidhur me investimet, Angjeli tha se nevoja e harmonizimit të investimeve, të rritjes së cilësisë së shpenzimeve dhe harmonizimit të burimeve të financimit nga buxheti me sistemin bankar dhe investimet e huaja do të jenë kyçi i suksesit të investimeve.
Akuzës së opozitës se për të tretin vit radhazi qeveria nuk planifikon rritje pagash e pensionesh, deputeti i majtë theksoi se është e vërtetë se nuk ka një shpallje të rritjes së pagave dhe pensioneve, ndërkohë që shtetet që u preken nga kriza kanë pasur ulje të pagave. Për pensionet, Angjeli tha se është parashikuar indeksimi i tyre në buxhetin e ministrisë së punës me rreth 1.2 miliard lekë.
Në projektbuxhetin e vitit 2016 të ardhurat planifikohen në masën 417 miliard lekë, shpenzimet në nivelin 452.1 miliard lekë, ndërsa defiçiti buxhetor 34 miliard lekë. Rritja ekonomike për vitin 2016 planifikohet 3.4 %. /ATSH/ 
Sigal