Brace:E rëndë, inspektori i BSH refuzoi të dalë para Kuvendit

733
Sigal

TIRANE – Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi refuzoi kërkesën e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për një seancë dëgjimore në lidhje me përgjegjësitë administrative përballë skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit. bNë kushtet kur Inspektori propozohet, emërohet dhe shkarkohet vetëm nga Kuvendi, për kreun e Komisionit të Ekonomisë Erjon Brace, ky refuzim është i paprecedentë. “Unë i kam dërguar Inspektorit të Përgjithshëm, një kërkesë për tu paraqitur para Kuvendit, për përmbushjen e detyrës, problematikat e zbuluara si dhe mjaftueshmërinë e kontrollit të brendshëm në këtë institucion Ne i jemi përmbajtur detyrave të përcaktuara në ligj. Gjysmë ore para mbledhjes me shkresë zyrtare ka refuzuar ftesën e kuvendit. BSH është banka e shtetit, nuk është private, nuk është një sulltanat që gjithkush zgjedh të refuzojë të përgjigjet kur do ai”, u shpreh deputeti socialist Erjon Braçe para anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë.  Brace ndërkohë parashtroi edhe arsyet që inspektorja Golemi i paraqiti me shkrim Kuvendit për mungesën e saj në këtë seancë. “Inspektori i përgjithshëm u përgjigj se nuk përfaqëson Bankën e Shqipërisë”, -tha Brace, “dhe  për këtë arsye nuk paraqitet në seancën dëgjimore. Por tha se është i gatshëm t’i përgjigjet me shkrim çdo pyetje të deputetëve dhe ky është absurdi. Zonja në fjalë e njeh ligjin? Ky është problemi që ne kemi me të. Ky është një akt i rëndë i paprecedentë i pandodhur në 23 vite, cënon atributet kushtetuese të Parlamentit në raport me Bankën e Shqipërisë”, -shtoi kreu i Komisionit të Ekonomisë. Brace u kujdes të sqarojë në nisje të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë se kjo seancë dëgjimore, dhe të tjerat e parashikuara për tu mbajtur me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, nuk do të ndikojnë hetimin e Prokurorisë.”Ne kërkojmë përgjegjësinë administrative të secilës hallkë për drejtimin e Bankës së Shqipërisë”, tha kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Vjedhja e thesarit, Keshilli Mbikeqyres para Kuvendit
Komisioni i Ekonomisë ka zgjedhur të nis seancat dëgjimore, lidhur me skandalin e Bankës, pikërisht me ato që kanë mbuluar funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm, pasi sipas kryetarit të komisionit Erion Braçe, raportet e tyre vjetore kanë nxjerrë në pah problematika mjaft të rënda sipas tij, lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Bankës. Këto raporte, i janë mohuar parlamentit prej shumë vitesh ka thënë Braçe. Seancat e parë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, nis m eInspektorin e përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, ndërsa nesër ish-Inspektorin e Përgjithshëm të Bankës se Shqipërisë, te hëne, të marte, të mërkure, 6 anëtaret  e Këshillit Mbikëqyrës të  Bankës se Shqipërisë.  Javën e ardhshme, në Komision do të thirret për herë të dytë edhe guvernatori Ardian Fullani. Brace ka patur kritika të hapura ndaj Fullani, për shkak se ai, sipas tij, nuk i është përgjigjur plotësisht kërkesës së Komisionit për informacione nga Banka. Por që nga kjo javë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës do të duhet të paraqiten edhe në prokurori. Të premten, prokurorët e çështjes kanë thirrur anëtaren Ermelinda Meksi, e cila gati tre javë më parë kërkoi në Këshillin Mbikëqyrës shkarkimin e guvernatorit Fullani. Një kërkesë e cila u hodh poshtë në unanimitet nga Këshilli.  Po të premten do të pyetet edhe Inspektorja e Përgjithshme Golemi. Ndërsa javën e ardhshme anëtarët e tjerë. Ende prokurorët nuk kanë fiksuar një datë për të marrë në pyetje guvernatorin Fullani. Deri më tani janë 17 persona të konsideruar përgjegjës për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Hetimi ka nxjerrë në pah mos funksionimin e një sërë hallkash dhe strukturash të Bankës. Guvernatori Fullani dhe Këshilli Mbikëqyrës ka këmbëngulur në variantin se rregulloret dhe procedurat e Bankës kanë qenë në përputhje me standardet më të larta. Por arrestimet e fundjavës së shkuar nxorën në dritë edhe një fakt tjetër. Dy nga 7 anëtarët e Komisionit të inventarizimit në Bankën e Shqipërisë, të cilët kanë bërë verifikimet e arkës në vitin 2012 dhe 2013, kanë qenë elektricisti dhe hidrauliku i Bankës. Mbetet i paqartë se cili ka qenë kriteri i përzgjedhjes së tyre dhe se çfarë i lidh këto dy profesione me një operacion të pastër financiar, siç është bërja e një inventari, aq më tepër i inventarit të arkës së Bankës Qendrore.