Biznesi paraqet propozimet për ndryshimet fiskale

726
Sigal

 Komuniteti i biznesit paraqiti të premten propozimet për ndryshimet në paketën e re fiskale si dhe disa sugjerime për përmirësimin e klimës së biznesit, ndërsa kërkoi që të merren parasysh nga qeveria. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, në një konferencë për shtyp, i paraqiti propozimet për paketën fiskale dhe sugjerimet për klimën e biznesit, ndërsa tha se nuk është njohur me draftet e hartuara nga ministria e Financave. Ministria e Financave, nga ana e saj, ka hartuar dy drafte dhe po i konsulton fillimisht me ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar që ndodhen nga data 3 dhjetor në Tiranë. Më pas, sipas burimeve nga MF-ja, drafti i dalë nga konsultimet e përbashkëta MF-FMN do t’i prezantohet komunitetit të biznesit. Propozimet për ndryshimet fiskale që komuniteti i biznesit kërkon të merren në konsideratë nga qeveria:

1. Marrja e masave për shlyerjen e borxhit ndaj biznesit, duke e parashikuar atë në buxhetin për vitin 2014.

2. Ruajtja e nivelit të tatim fitimit në masën 10 për qind dhe për të gjithë sistemin e taksës së sheshtë.

3. Rimbursimi i TVSH-së, akcizave si dhe të gjithë taksave të tjera që buxheti i shtetit mund t’i ketë sipërmarrjes private gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj brenda afatit 3 mujor. Kjo të realizohet duke bërë ndërhyrjet e nevojshme ligjore.

4. TVSH-ja, jo më e lartë se 10 për qind për produktet bujqësore, blegtorale vendase si dhe shërbimet turistike.

5. Heqja e TVSH-së për të gjithë makineritë dhe pajisjet që i nënshtrohen skemës së rimbursimit të TVSH-së dhe që i shërbejnë aktivitetit të sipërmarrjes private.

6. Heqja e TVSH-së për transportin publik (qytetas dhe ndërqytetas).

7. Heqja e akcizës për naftën për transportin publik.

8. Mundësimi i një fondi për stimulimin e sipërmarrjes femërore dhe innovative për studentët e sapodiplomuar.

Sugjerimet për përmirësimin e klimës së biznesit

1. Hartimi dhe përgatitja e menaxhimit territorial, duke përcaktuar qartë sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit për investim dhe zhvillim.

2. Partneritet i qëndrueshëm publik privat. Ngritja dhe funksionimi i institucionit të dialogut dhe konsultimit. Konsultim paraprak, eficient dhe me fuqi vendimmarrje në sektorin privat.

3. Përjashtimi nga tatim fitimi për tre vitet e para për sipërmarrjet e reja.

4. Përjashtimi nga dividenti për tre vitet e para për sipërmarrjet e reja.

5. Qëndrueshmëri e legjislacionit fiskal duke garantuar parimin e sigurisë juridike për sipërmarrjen private. Çdo akt normativ apo urdhër që cenon aktivitetin e sipërmarrjes private duhet të konsultohet paraprakisht jo më pak se gjashtë muaj me grupet e interesit.

6. Garantimi i infrastrukturës rrugore, energjetike, ujësjellës kanalizime për të gjithë investimet fillestare.

7. Aplikimi i sistemit (vlerësim performance) për sistemin tatimor doganor me indicie nga sipërmarrja private si dhe matja e performancës të inspektorëve të kontrollit fiskal me rezultatet e procedurave gjyqësore të fituara apo të humbura.

8. Strukturimi i sistemit tatimor në tërësinë e tij.

9. Politika të përcaktuara qartë dhe efikase lidhur me sistemin e punësimit në përgjithësi dhe të të rinjve në veçanti.

10. Mundësimi për eksport i të gjithë produkteve ushqimore drejt vendeve të BE-së brenda një periudhë 12 mujore.

11 Të merren masat për zbatimin e ligjit urbanistik lidhur me ndërtimet pa leje brenda vitit 2014.

12. Të merren masa të rrepta nga qeveria shqiptare lidhur me mbrojtjen e mjedisit duke respektuar standardet e Bashkimit Europian në investimet e kryera.

13. Të merren masa nga qeveria shqiptare që brenda vitit 2014 të miratohen të gjitha planet rregulluese të bashkive dhe komunave në të gjithë territorin e Shqipërisë.

14. Heqja e sistemit të referencave ndaj sipërmarrjes private për import -eksport me të gjithë vendet e BE-së.

15. Heqja e sistemit të referencave ndaj sipërmarrjes private në sistemin fiskal.

16. Aplikimi i TVSH-së në të gjithë qarkullimin tregtar duke hequr kufirin e ndarjes së bizneseve.