BIZNESI I VOGËL NË TVSH, DOSJA E PLOTË PËR PROCEDURAT

1917
Të gjitha hapat që duhet të hedhin sipërmarrësit, nga mbajtja e raportimi i inventarit, deri te dorëzimi i dokumenteve në tatime

Biznesi i vogël do të nisë nga dita e nesërme të përfshihet në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe për këtë ata duhet të plotësojnë disa procedura. Sipas ekspertëve tatimorë, gjëja e parë që duhet të bëjë biznesi është inventari i gjendjes stok të mallrave deri ditën e sotme (31 mars 2018). Ky inventar do të realizohet për mallrat e blera me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj, pra jo më parë se data 1 prill 2017. Në skemën e TVSH-së do të përfshihen tatimpaguesit e biznesit të vogël me xhiro 2-5 milionë lekë.

Plotësimi i Fletë-Inventarit për mallrat dhe materialet e blera me TVSH
Tatimpaguesit e biznesit të vogël me xhiro mbi 2-5 milionë lekë, të cilët duke nisur nga data 1 Prill 2018, do të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duhet që krahas masave organizative që do të ndërmarrin, do të raportojnë edhe inventarin e gjendjes stok të mallrave deri në datën 31 Mars 2018, të blerë me faturë me TVSH jo më parë se 12 muaj.

Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh:
1 – Të përpilohet lista e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve, sipas formularit bashkëngjitur këtij njoftimi;
2 – Çdo mall i përfshirë në inventar, duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data e deklarimit të inventarit, dhe të jenë të regjistruara në librat e tatimpaguesit. Periudha e faturave të deklaruara në inventar është data 1 Prill 2017 deri më 31 Mars 2018.
3 – Inventari duhet të dorëzohet në drejtorinë rajonale, në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së, brenda datës 30 Prill 2018. Një kopje të këtij inventari tatimpaguesi e ngarkon edhe në e-filing.

Fiskalizimi
Çdo tatimpagues i regjistruar në TVSH për herë të parë duhet:
1 – Të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH-së, me qëllim, lëshimin nga data 1 prill 2018, të kuponit tatimor me TVSH.
2 – Të pajisjet pranë drejtorisë rajonale tatimore ku është i regjistruar me blloqet e faturave tatimore me TVSH, që lëshohen për transaksione me vlera mbi 40,00 lekë ose kur blerësi kërkon vetë një faturë tatimore prej shitësit.
MBAJTJA E DOKUMENTACIONIT PËR QËLLIME TATIMORE
Bazuar në ligjin vitit 2008 “Për procedurat tatimore”, neni 46 e vijues “Dokumentimi dhe mbajtja e të dhënave tatimore për tatimpaguesit, subjekt i TVSH-së ose i Tatim-fitimit”:
1 – Tatimpaguesit, që janë subjekt i TVSH-së ose i Tatim-fitimit, për përllogaritjen e detyrimit tatimor, mbajnë regjistrat, dokumentacionin kontabël, librat dhe informacionin financiar, si dhe lëshojnë faturë tatimore, dëftesë tatimore ose kupon tatimor, në përputhje me ligjet e fushës, si dhe aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tyre.
2 – Tatimpaguesi, subjekt i TVSH-së, regjistron menjëherë të gjitha veprimet financiare dhe përgatit e mban libra e regjistra kontabël, ku regjistrohen:
a) shitjet e përditshme të mallrave ose kryerja e punimeve apo e shërbimeve të tatueshme, përfshirë shumën e secilit veprim dhe shumën e tatimit të ngarkuar;
b) veprimet e përfunduara, por akoma të pafaturuara;
c) veprimet e patatueshme;
ç) pagesat për mallra dhe shërbime, përfshi shumën e secilës blerje apo pagesë, shumën e tatimit të paguar dhe emrin e adresën e furnizuesit.
3 – Çdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me këtë ligj. Për këtë qëllim, tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen.
Dokumentet që duhet të plotësojë tatimpaguesi 
Tatimpagues të biznesit të vogël me qarkullim vjetor nga 2-5 milionë lekë, që do të përfshiheni në skemën e TVSH duhet të dini se, dokumentacioni për qëllime tatimore, që ju duhet të mbani pranë vendit të ushtrimit të aktivitetit tuaj është:

1 – Faturat tatimore të shitjes
2 – Faturat tatimore të blerjes
3 – Librat e shitjes dhe librat e blerjes
4 – Faturat e shoqërimit të mallit, në rastet kur tatimpaguesi transporton mall me destinacion klientët e vetë.

PLOTËSIMI I NJË FATURE TATIMORE
Kur lëshohet fatura tatimore e shitjes?
Fatura tatimore e shitjes lëshohet nga tatimpagues që janë regjistruar me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, për transaksione me vlera mbi 40.000 lekë, ose kur blerësi kërkon vetë një faturë tatimore prej shitësit.
Si plotësohet fatura tatimore e shitjes?
Supozojmë se tatimpaguesi po kryen një transaksion që kalon vlerën 40.000 lekë, në këtë moment tatimpaguesi duhet të plotësojë faturën tatimore të shitjes.

Hapat janë:
– Në fillim plotësohet data e kryerjes së transaksionit
– Nr rendor i faturës
– Emri i shitësit , NIPT-i, Adresa
– Emri i blerësit, NIPT-i, Adresa
– Përshkrimi i llojit të mallit dhe njësia përkatëse
– Sasia e mallit
– Çmimi i mallit
– Vlera pa TVSH e mallit
– TVSH-ja e vlerës së mallit
– Vlera e mallit me TVSH
– Nënshkrimi faturës për tansaksionin e kryer si nga ana e shitësit ashtu dhe nga ana e blerësit
– Në rastet kur malli kryhet me transport, nga një tatimpagues tjetër, në faturë shënohet dhe emri i transportuesit, NIPT-i, adresa, data, targa, ora.
Tatimpaguesi në fund të çdo muaji, nëse ka kryer vetëm transaksione me kasë, pret faturë tatimore të shitjes duke deklaruar vlerën e të gjithë kuponëve tatimorë, ku te emri i blerësit do regjistrojë “Klientë kase” (këtë proces tatimpaguesi mund ta menaxhojë edhe për periudha më të shkurtra se një muaj, p.sh të lëshojë faturë për kuponët fiskalë të lëshuar gjatë një jave).

PLOTËSIMI DHE DEKLARIMI I LIBRAVE TË SHITJEVE DHE BLERJEVE
a) Si plotësohet libri i blerjeve?
Të gjitha blerjet e realizuara për një muaj përmblidhen në librin e blerjeve.

Hapat janë:
– Në fillim plotësohet Nr serial i faturës së blerjes
– Data e faturës së blerjeve
– Emri i subjektit shitës
– Rrethi i shitësit
– NIPT i shitësit
– Totali i blerjeve
– Vlera e tatueshme për blerje nga importi me shkallë 20%
– TVSH për importet e mallrave 20%
– Vlera e tatuesheme për blerje nga furnitorë vëndas me shkallë 20%
– TVSH-ja nga furnitorë vendas 20%
– Vlera e tatueshme për blerje të investimeve nga furnitorë vendas me shkallë 20%
– TVSH-ja për investime nga furnitorë vendas 20%
b) Si plotësohet libri i shitjeve?
Të gjitha transaksionet e shitjeve (me kasë dhe faturë tatimore) të realizuara për çdo muaj përmblidhen në librin e shitjeve.

Hapat janë:
– Në fillim plotësohet Nr.i faturës tatimore të shitjes te kutia përkatëse e librit të shitjeve
– Nr.serial i faturës
– Data e faturës
– Emri i subjektit blerësit
– Rrethi
– NIPT-i i blerësit, kur subjekti është tatimpagues i regjistruar.
– Totali i shitjeve
– Shitje të tatueshme me shkallë 20%
– Tvsh e shitjeve me shkallë 20%
– Shitje të tatueshme me shkallë 6% (struktura akomoduese)
– Tvsh e shitjeve me shkallë 6% (struktura akomoduese)
Afati i dorëzimit të librave të shitjes dhe blerjes gjatë një viti fiskal janë: data 10 Korrik, 10 Tetor, 10 Janar dhe 10 Prill.
Tatimet, sesione trajnimi për biznesin e vogël
Drejtoria e Tatimeve bëri me dije se nga data 26 deri në datë 29 mars u zhvillua sesioni i radhës i trajnimeve të dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore në Tiranë, Sarandë, Gjirokastër dhe Kukës, për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së. Deri tani, numri total i pjesëmarrësve në trajnime llogaritet në rreth 430, të cilët përfaqësojnë rreth 1,210 subjekte. Pjesëmarrësit u njohën me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, me konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore etj.. Gjithashtu në muajin mars janë asistuar në total rreth 1,500 subjekte në Këndet e Asistencës, të ngritura enkas për biznesin e vogël, që në të gjithë vendin numërohen 13 të tilla. Sesionet e trajnimeve janë parashikuar të vazhdojnë deri në fund të muajit qershor dhe janë konceptuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjitha bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike. Në total janë parashikuar 100 sesione. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ftoi të gjitha palët e interesuara që të bëhen pjesë e tyre dhe të njihen me procedurat dhe detyrimet ligjore.
Në të gjithë konkurset e dështuara, edhe kandidatët nga jashtë administratës do të kenë mundësinë të plotësojnë pozicionet në kategorinë e ulët drejtuese. Publikohet edhe lista e vendeve të lira në AZHBR

Sigal