Bizneset kanë borxh në tatime dhe dogana 1.4 miliardë euro deri në fund të 2020, u rrit nga pandemia

257
Sigal

Borxhi i akumuluar i bizneseve ndaj tatimeve dhe doganave arriti në fund të vitit 2020 në vlerën 167.5 miliardë lekë (1.4 mld euro).

Sipas të dhënave që publikoi Kontrolli i Lartë i Shtetit, 73% e këtij detyrimi ose 122.5 miliardë lekë i takon borxhit tatimor dhe pjesa tjetër 45 miliardë lekë (27%) i takon borxhit doganor.

Stoku i detyrimeve të biznesit në tatime u përkeqësua nga pandemia

Bazuar në të dhënat e dërguara nga Drejtoritë Rajonale Tatimore dhe sipas raportimeve mujore nga Drejtoria e Mbledhjes me Forcë të Borxhit në DPT, gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afatin deri në 31 dhjetor 2020 shënoi 122.5 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard euro. Shuma e detyrimeve erdhi në rritje për shkak të ndikimeve negative që dha pandemia Covid-19.

Gjendja e detyrimeve të papaguara në afat në fillim të vitit 2020 ishte 116.9 miliardë lekë dhe në fund të vitit 2020 arriti në vlerën 122.4 miliardë lekë, duke rezultuar në një rritje neto në vlerën 5.4 miliard lekë.

Vlera e detyrimeve të papaguara, pa përfshirë proceset gjyqësore në fund të vitit, vlerësohet në shumën 108.7 miliardë lekë, nga 103.3 miliardë lekë në fillim të vitit.

Diferenca prej 13.7 miliardë lekësh që zë 11% të stokut të detyrimeve të papaguara, është në proces gjyqësor deri në fund të dhjetorit 2020.

Peshën më të madhe në total të stokut të detyrimeve e zë Rajoni Qendror me 73,7% i ndjekur nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj me 10,2%, Rajoni Verior me 9% e më pas Rajoni i Jugut me 7,1 %.

Arkëtimi i detyrimeve tatimore referuar të dhënave të DPT, për vitin 2020 është në vlerën 18 miliardë lekë. Referuar të dhënave, rezulton se “detyrimet e shtuara” janë më pak në vlerë 9,9 miliardë lekë për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019. Rritja më e madhe e këtyre detyrimeve i takon muajit prill 2020, për shkak të situatës pandemike, sipas KLSH.

Rezulton se zëri TVSH zë peshën më të madhe në stokun e detyrimeve të papaguara në afat, 34% ose në vlerë absolute 41.9 miliardë lekë, ndjekur nga Tatim Fitimi me 27% ose në vlerë absolute 33.4 miliardë lekë, zëri “Të Tjera” me 24% ose në vlerë absolute 28.1 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore me 14% ose në vlerë absolute 17 miliardë lekë dhe TAP me 2% ose në vlerë absolute 2,1 miliardë lekë.

Detyrimet tatimore sipas statusit të tatimpaguesit përbëhen nga subjektet aktive me 42% të numrit total të subjekteve debitorë me vlerë 39,7 miliardë lekë, ose 32% të vlerës totale të borxhit, ndërsa subjektet pasive zënë 58% të numrit total të subjekteve debitor me vlerë 82,6 miliardë lekë, ose 68% të vlerës totale të borxhi

2020, borxhi doganor rritje me 7%

Borxhi doganor në fund të vitit 2020 paraqitet në vlerën 45 miliardë lekë dhe krahasuar me fillimin e vitit, ku borxhi doganor ka qene në vlerën 42 miliardë lekë, ka shënuar rritje në vlerën 3 miliardë lekë, ose në masën 7%.

Detyrimi total në vlerën 45.05 miliardë lekë, përbëhet nga detyrim doganor në vlerën 13.24 miliardë lekë, penalitetet në vlerën 26.05 miliardë lekë dhe interesa në vlerën 6.56 miliardë lekë.

KLSH vëren se, Administrata Doganore për vitin 2020 ka arritur të arkëtojë vetëm 786 milionë lekë detyrime (ose 1.7% të totalit).

Gjatë vitit 2020, detyrimi i vitit 2019 është ulur me 153 milionë lekë dhe detyrimi i vitit 2017 gjithashtu është ulur me 3 milionë lekë. Ndërsa detyrimi i viteve të tjera është rritur, duke kulmuar me rritjen e borxhit të vitit 2020 me vlerën 3,043 milion lekë.

Raportin më të ulët të borxhit ndaj të ardhurave të realizuara e kanë Degët Doganore Rinas (0.2%), Pogradec (1.2%), Kapshticë (2.7%) dhe Kakavijë (2.9%).

Ndërsa nivelin më të lartë të borxhit në krahasim me të ardhurat e realizuara e kanë Degët Doganore Tre Urat (1379.8% ose 13 herë më shumë se të ardhurat e realizuara), Fier (618% ose 6 herë më shumë se të ardhurat e realizuara), Berat (354.3% ose 3 herë më shumë se të ardhurat e realizuara), Lezhë (175.8% ose 2 herë më shumë se të ardhurat e realizuara) dhe Korçë (120.3%).