BB: Kreditë e këqija, ulja e kreditimit për bizneset dhe rritja e borxhit publik plogështuan ekonominë

780
Sigal

Raporti i Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore

Ekonomia e Europës Juglindore (EJG6 ) filloi të rimëkëmbej nga recesioni i 2012-ës duke u rritur mesatarisht me 2.2 për qind në vitin 2013, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore (RRrE EJLS) të Bankës Botërore. Lidhur me situatën në të ardhmen, raporti shprehet se rajoni parashikohet të rritet me 1.9 për qind në vitin 2014 dhe me 2.6 për qind në vitin 2015 falë rritjes së kërkesës së jashtme, por ky parashikim zbehet nga rreziqe domethënëse që lidhen me përmbytjet e fundit në rajon.

Përmbytjet e rënda, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, për shkak të reshjeve të papara më parë në mes të majit, kanë shkaktuar krizë humanitare, me dhjetëra persona të vdekur dhe me miliona të tjerë të shpërngulur, ose ka ndërprerë furnizimin me ujë ose energji elektrike. Po ashtu, janë shkatërruar shtëpi, janë dëmtuar të mbjella dhe gjëja e gjallë dhe është ndërprerë transporti. Përmbytjet pa dyshim do të kenë ndikim negativ mbi rritjen e vitit 2014, megjithëse është ende shumë shpejt për ta matur ndikimin e plotë. Vlerësimet e dëmit, të nevojave humanitare dhe të ndërhyrjeve për rindërtim janë në proces e sipër, ndërkohë që është ofruar ndihma e parë.

Në vitin 2013, secili nga të gjashtë shtetet e Europës Juglindore shënoi ritme pozitive rritjeje. Rritje në nivelin 3 për qind ose më shumë u shënua në Kosovë, Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në Malin e Zi. Viti i mbarë bujqësor dhe rritja e industrisë kanë mbështetur aktivitetin ekonomik të rajonit në të gjitha shtetet.

“Në vitin 2013, Europa Juglindore filloi të rimëkëmbej nga recesioni,” shprehet Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore. “Rritja ekonomike u bë e mundur falë kërkesës në rritje për eksportet e rajonit nga shtetet me të ardhura të larta, veçanërisht nga shtetet e Bashkimit Europian (BE). Përmbytjet shkatërruese në mes të majit janë një fatkeqësi humanitare për disa vende të Europës Juglindore dhe do të kenë ndikime në rimëkëmbjen ekonomike për disa vite në vijim, të cilat pritet të vlerësohen më tej”.

Sipas raportit, eksportet janë rritur me afro 17 për qind në vitin 2013, të kryesuara nga një rritje e shpejtë në eksportet serbe. Rritja kryesore në vitin 2013 ka ardhur nga eksportimi i makinerive dhe i pajisjeve të transportit, kryesisht nga Serbia dhe nga Maqedonia. Ndërkohë mineralet e djegshme të eksportuara nga Shqipëria dhe Mali i Zi ishin shumë domethënëse për këto dy vende, ndërsa metalet bazë zunë rreth çerekun e eksporteve nga Kosova në vitin 2013.

Në kontrast, kërkesa e brendshme e rajonit u tkurr në vitin 2013. Duke komentuar këtë tregues, Goldstein shprehet: “Ne do të donim t’i nxisnim vendet e Balkanit Perëndimor për të kaluar nga rritja e nxitur nga kërkesa e brendshme drejt një rritjeje që vjen nga rritja e eksporteve, e cila çon drejt një integrimi më të madh me tregun europian dhe ato botërore. Paralelisht me rimëkëmbjen, ka ardhur koha që vëmendja të përqendrohet në krijimin e një klime investimesh nxitëse të rritjes së mbështetur në eksporte dhe konektivitetit”.

Kërkesa e brendshme është vënë më shumë nën trysni nga ulja e remitancave në rajon në vitit 2013, duke reflektuar një rimëkëmbje ekonomike ende të plogësht dhe mbizotërim të papunësisë së lartë në shtetet e BE-së. Me pak vende të reja pune të hapura, ulje të remitancave dhe kreditim të kufizuar në ekonomi, të ardhurat e familjeve dhe fitimet e kompanive nuk ishin në gjendje të nxisnin konsumin e brendshëm ose investimet në rajon.

“Në tërësi, ndërsa rimëkëmbja ka sjellë rritje, shtetet në rajon kanë akses të kufizuar në përkthimin e rimëkëmbjes ekonomike në vende të reja pune”, tha Gallina A Vincelette, Ekonomiste Kryesore dhe një ndër autoret e RRrE-së EJL-në.  “Papunësia ka qenë shumë e lartë në rajon, me nivel mesatar prej mbi 24 për qind në vitin 2013. Nivelet e vazhdueshme të larta të papunësisë dhe papunësia kronike kanë mbizotëruar ndërmjet grupeve të cenueshme, të tillë si të rinjtë, gratë, dhe personat me aftësi të ulëta.”

Sipas raportit, sfidat janë ende të pranishme dhe kërkojnë veprime në sektorët financiarë dhe fiskalë. Zbutja e huave të këqija të larta dhe në rritje, rifillimi i rritjes së kreditimit për bizneset huamarrëse, vendosmëria për përpjekje konsoliduese për të ruajtur bilancin fiskal dhe ulja e borxhit publik do të çonin në përshpejtimin e aktivitetit ekonomik. Për të mbështetur rritjen në rajon, vendet duhet të forcojnë më tej themelet e brendshme makro-ekonomike që ndihmojnë prodhimin dhe rrisin rezistencën ndaj trazirave të jashtme .

Për më tepër, rimëkëmbja ekonomike e kohëve të fundit përbën një mundësi për të rinisur reformat strukturore të nevojitura prej shumë kohe. Përparësitë për rritje dhe për hapjen e vendeve të reja të punës përfshijnë stabilizim makro-ekonomik dhe fiskal, përmirësim të konkurrueshmërisë dhe të konektivitetit, rritje të aftësive dhe të produktivitetit të punës, dhe forcim të qeverisjes dhe të antikorrupsionit.

 

Zv/Presidentja e BB për Europën dhe Azinë Qendrore vizitë zyrtare në Shqipëri

 Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck (Tak) do të bëjë një vizitë zyrtare në Shqipëri nga datat 28-31 maj 2014. Qëllimi i vizitës së saj është të diskutojë me autoritetet shqiptare prioritet e zhvillimit të vendit si dhe fushat e bashkëpunimit dhe asistencës së Bankës Botërore në vitet e ardhshme. Gjatë vizitës së saj tri ditore, zonja Tuck do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Financave, anëtarë të kabinetit, liderin e opozitës, partnerë të zhvillimit dhe përfaqësues të sektorit financiar dhe sektorit privat. Ajo do të marrë pjesë edhe në një ceremoni të nënshkrimit të projekteve si dhe do të vizitojë disa projekte të mbështetura nga Banka Botërore.

Kush është znj. Laura Tuck

Znj. Laura Tuck u emërua si zv/Presidente për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (ECA) në 24 shtator 2013, pasi kishte shërbyer për tre muaj si zv./presidente në detyrë për këtë rajon. Përpara këtij pozicioni, Tuck ka shërbyer për gjashtë muaj si Drejtore për Strategjinë dhe Projektet për Europën dhe Azinë Qendrore dhe ka pasur të njëjtin pozicion gjatë periudhës shtator 2011 deri në shkurt 2012 në Rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore (MNA). Znj. Tuck ka qenë Drejtore për Zhvillimin e Qëndrueshëm për gjashtë vite nga 2006 – 2011, ku ajo ishte përgjegjëse për mjedisin dhe burimet natyrore, bujqësinë dhe zhvillimin rural, energjinë, transportin, ujësjellës kanalizimet, menaxhimin e rreziqeve natyrore, zhvillimin urban dhe zhvillimin social.

Gjatë periudhës 2002-2006, Znj. Tuck ishte Drejtore për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, në të cilin kish shërbyer më parë si Menaxhere e Sektorit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural dhe si Ekonomiste e Lartë në Zyrën e Kryeekonomistit të Rajonit. Znj. Tuck filloi punë në Bankën Botërore në 1987 në programin e Profesionistëve të Rinj dhe punoi si ekonomiste në Rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore (MNA) përpara se të kalonte në 1994 në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (ECA). Më herët, znj. Tuck ka punuar për shumë kompani konsulence në fushën e politikave të bujqësisë, politikave të ushqimit dhe vlerësimit të nevojave për ushqim. Ajo ka punuar edhe në Fakultetin e Universitetit Princeton, si pjesë e një projekti kërkimor të universitetit. Znj. Tuck ka punuar dhe jetuar në Afrikë gjatë 1980 dhe 1987. Znj. Tuck ka gradën MPA nga Universiteti i Princeton për Ekonomiks dhe Politika Publike dhe një diplomë BA nga Universiteti i Kalifornisë në Davis për Ekonomiks. Është e martuar dhe ka dy fëmijë të rritur.