BB ka dhënë deri më tani 20 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri

537
Sigal

Në total projekti i Bankës Botërore kap shifrat e 80 milionë dollarëve. Ja 4 kontratat e mirëmbajtjes

Pavarësisht se një pjesë e madhe e rrugëve në vendin tonë kanë problematika të theksuara në infrastrukturë dhe standarde, duke u bërë shpeshherë objekt aksidentesh dhe dëmtimesh për automjetet, kjo duket se nuk vjen për shkak të mungesës së fondeve. Në fakt Banka Botërore ka bërë me dije se deri më tani janë investuar në mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri 20 milionë dollarë, teksa pritet që investimi total të arrijë deri në 80 milionë dollarë. Në vlerësimin e saj BB e cilëson projektin me një progres të kënaqshëm në mënyrë të moderuar ndërkohë që nga rishikimi afatmesëm i ecurisë së projektit që u mbajt në muajin prill do të dalin rezultate të rifreskuara për treguesit e hollësishëm që përfshin çdo komponent. “Punimet e mirëmbajtjes dhe ato rehabilituese janë zbatuar gjatë periudhës së ndërtimit në fillim të 2019-ës dhe rezultatet në termat e sigurisë dhe konektivitetit në rrjetin rrugor po konfirmojnë progresin e projektit”-thuhet në dokumentin e Bankës. Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve në bazë të performancës nisi në vitin 2015 me miratimin e një kredie nga Banka Botërore. Projekti supozohej që të parashikonte mirëmbajtjen e 1334 kilometrave rrugë në gjithë vendin për një periudhë 5 vjeçare në bazë të katër kontratave, por ai hasi në vonesa të shumta një pjesë e lidhur me faktin se kompanitë e përzgjedhura për zbatimin e tyre patën kontestime për mënyrën sesi ishte bërë reflektimi i situatës së rrugëve e cila në disa raste kishte mospërputhje me situatën reale. Projekti nisi zbatimin në vitin 2018 dhe sipas datës që mban në dokumentet e BB parashikohet të zgjasë deri në fund të vitit 2021.

Kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve

  1. Zona A përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me një gjatësi në kilometra 336 dhe me një vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
  2. Zona B përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me një vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
  3. Zona C përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Raëafed Al-torok Contracting Establishment.
  4. Zona D përfshin rajonin jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari shpk.