Bankat rrisin fitimet e tyre në kurriz të qytetarëve shqiptarë

723
Sigal

Open Data Albania/ Normat e Interesit në Ekonominë Shqiptare 2009-2014

Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri kanë rritur fitimet e tyre në kurriz të qytetarëve që u besojnë kursimet e tyre. Interesat e larta për kreditimin e rënduan akoma dhe më shumë ekonominë shqiptare, ndërkohë që interesat e depozitave sa vijnë edhe ulen. Të gjitha këto problematika që kanë kapluar sistemin tonë bankar janë bërë pjesë e një studimi të Open Data Albania, e cila ka analizuar të dhënat

mbi normat e interesit në Shqipëri bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2009, deri në shkurt të vitit 2014.

Norma e kredisë është një tregues i normës mesatare të kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë për afate 1-vjeçare. Ndërkohë norma e depozitave është një tregues i normës mesatare të depozitave të vendosura në bankat e nivelit të dytë për të njëjtin afat.

Diferenca midis normës mesatare të kredive dhe depozitave përbën “spread-in” e normave të interesit. Norma reale e interesit është diferenca midis normës nominale të interesit te bonove te thesarit dhe inflacionit 1-vjeçar. Primi i riskut në huadhënie është diferenca midis normës së kredisë 1-vjeçare dhe normës së bonove të thesarit me afat maturimi të njëjtë.

 Normat e interesit

Në 2009, norma mesatare e kredisë 1-vjeçare në LEKË ishte 15.71%, dhe në fund të shkurtit 2014 ishte 12.93%, pra një ulje prej 2.8%. Në të njëjtën kohë norma e depozitës 1-vjeçare në 2009 në LEKË ishte 6.75%, ndërsa në fund të shkurtit 2014 ishte 2.46%, pra një ulje prej 4.3%.  Për rrjedhojë “spread-i” kredi-depozita (që përbën edhe faktorin kryesor të fitimit bruto të bankave) është rritur gjatë periudhës, nga 8.96% në 10.47% në monedhën lekë.

Norma reale e interesit

Norma reale e interesit llogaritet si diferenca midis normës së interesit me të cilën merr borxh qeveria (norma e bonove të thesarit), kundrejt normës së inflacionit. Ajo ka ndjekur të njëjtin trend sikurse norma e bonove të thesarit 1-vjeçare, duke qenë se inflacioni ka qenë lehtësisht i luhatshëm, por nën kontroll. Në 2009 norma reale e interesit ishte 5.41%, ndërsa në fund të shkurtit 2014 ishte 1.86%. Pra për një investitor që blen bono thesari 1-vjeçare, kthimi real është ulur me rreth 3.6%, ndërkohë që për qeverinë ndodh e kundërta, kosto reale e huamarrjes është ulur me po të njëjtën shumë.

 Primi i riskut të huadhënies

Primi i riskut të huadhënies tregon normën shtesë të kthimit që kërkohet nga kredidhënësi (bankat) për të dhënë kredi, kundrejt alternativës tjetër, që është investimi në bono thesari qeveritare (pa risk). Si rrjedhojë mund të përdoret si një indikator i mirë i riskut në një ekonomi (p.sh i riskut të mosshlyerjes së kredive). Ajo llogaritet si diferenca midis normës së kredisë 1-vjeçare dhe normës së bonove të thesarit me afat maturimi të njëjtë. Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, primi i riskut të huadhënies është rritur në vitet e fundit, duke arritur në 9.14% në shkurt të 2014, krahasuar me 6.57% në vitin 2009. Pra bankat në vitet e fundit kanë pasur më shumë vështirësi në mbledhjen e kredive të dhëna, e për pasojë, norma e kthimit që kanë kërkuar për të dhënë kredi, kundrejt alternativës të investimit në bono thesari qeveritare është rritur. Kjo tregon për një risk më të lartë në ekonomi, risk i rritur në vitet e fundit.