Bankat refuzojnë më shumë kërkesa për kredi në 6-mujorin e dytë 2019

428
Sigal

Bankat tregtare në vend kanë refuzuar 14 për qind të totalit të kërkesave për kredi në gjashtëmujorin ë dytë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë raportoi se norma e refuzimit ka vijuar prirjen rritëse të konstatuar që pas 6-mujorit të dytë 2017, por me ritëm më të ngadalësuar. Por rritja e normës së refuzimit gjatë periudhës, duket se ka vijuar të mbetet në drejtim të segmentit të “individëve”, ndërkohë që për “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” dhe “ndërmarrjet e tjera”, kjo normë është ulur ndjeshëm.

Duke e analizuar normën e refuzimit të bankave të ndara sipas origjinës së kapitalit në banka vendase dhe të huaja, rezulton se gjatë viteve të fundit, kjo normë për bankat vendase ka qenë vazhdimisht më e ulët krahasuar me bankat e huaja.

Për periudhën në analizë, duket se prirja për kreditim e bankave vendase dhe atyre të huaja ka vijuar të ecë në drejtime të kundërta.

Kështu, norma totale e refuzimit të aplikimeve për kredi nga bankat e huaja ka vijuar të rritet duke rezultuar në nivelin 19.2% (nga 18.7% e rezultuar një 6-mujor më parë), ndërsa për bankat vendase kjo normë ka rënë në 5.6% (nga 7% në 6-mujorin e kaluar).

Sipas segmenteve të klientelës, bankat e huaja kanë mbetur më refuzuese ndaj aplikimeve për kredi të “individëve”, dhe më pranuese ndaj segmentit të ndërmarrjeve (‘NMV”’ dhe “ndërmarrjeve të tjera”). Nga ana tjetër, norma e refuzimit të bankave vendase ka rënë gjatë periudhës kundrejt segmentit të “individëve” dhe “ndërmarrjeve të tjera”, dhe është rritur disi kundrejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Numri total i aplikimeve për kredi është rritur me rreth 36% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, të ardhura tërësisht nga segmenti i “individëve” (rritje gjashtëmujore me rreth 41%). Ndërkohë, segmenti i “ndërmarrjeve” në total nuk ka pasur ndryshim (pjesa e “NVM-ve” ka shënuar rënie me rretrh 3%, ndërsa “ndërmarrjet e tjera” kanë shënuar rritje me 4%).

Në terma vjetorë, numri total i aplikimeve të marra në shqyrtim ka shënuar rritje me 39%, të ardhura kryesisht nga segmenti i “individëve” (në rritje me 43%) dhe më pak nga segmenti i “ndërmarrjeve” (në rritje totale me rreth 5%)./monitor