Banka e Shqipërisë hedh gurin e fundit

1120
Sigal

Monitor.al/ Banka e Shqipërisë zbrazi arsenalin e politikës monetare, duke konsumuar pothuajse të gjitha mundësitë për uljen e mëtejshme të kostos së parasë. Sa po e ndihmon lehtësimi i interesave qarkullimin e lekut dhe inflacionin. Ndërhyrja e Bankës në forcimin e euros

Teksa monedha kombëtare, leku, ka prekur majat në tregjet e këmbimit valutor sidomos ndaj euros, “çmimi” i tij, i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet mekanizmit të interesit bazë, ka prekur fundin. Autoriteti Monetar e uli normën bazë në 1% më herët javën e kaluar nga 1.25% që ishte më parë, duke e çuar në një rekord të ri historik çmimin zyrtar të parasë. Me këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka konsumuar të gjithë arsenalin e politikës monetare, pasi çdo ulje tjetër poshtë këtij niveli do të ishte e paefektshme, sipas ekspertëve të saj. Por “guri” i fundit i Bankës synon të vrasë dy zogj. Së pari, të “ushtrojë” presion psikologjik mbi treg për të ulur vlerën e këmbimit ndaj euros dhe së dyti, për të ndikuar në rritjen e inflacionit drejt objektivit 3%. Më pas pritet të ketë rënie në normat e interesave të depozitave dhe kredive në banka në monedhën vendase. i gjithë ky proces synon të lehtësojë qarkullimin e lekut. Duke qarkulluar më shumë lek, vlera e tij vjen me rënie dhe po ashtu, çmimet e mallrave. Veprimi i dytë ishte deklarata e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor, me synim ndalimin e forcimit të euros, që sipas bankës kishte dalë përtej parashikimeve. Monedha e përbashkët arriti në datën 5 qershor në nivelin më të ulët në 10 vite, duke u këmbyer me 124.17 lekë, duke humbur gati 10 lekë në krahasim me fillimin e vitit. Tregjet reaguan me shpejtësi pas kësaj deklarate dhe euro i ngjit brenda tre ditësh në 127.6 lekë.

Norma bazë, BSH hyn në territor të paeksploruar

Me nivelin ri të normës bazë të interesit, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është duke eksploruar në terren të panjohur, pasi përqindja nuk ka qenë asnjëherë në histori kaq e ulët, që kur ky instrument nisi të aplikohej në fillim të vitit 2000. Banka e Shqipërisë filloi lehtësimin e politikës monetare në shtator 2011, dhe që atëherë ka ulur vazhdimisht normën bazë, duke e zbritur në 1.25% në maj 2016, për të pasur më pas një pauzë 2 vjeçare deri në uljen e fundit. Përmes kësaj lëvizjeje, institucioni monetar qendror synonte të ndikonte në uljen e kostos së parasë, duke i bërë kreditë më të lira dhe njerëzit më të interesuar të shpenzonin dhe të mos mbanin paratë në banka (për shkak të normave të ulëta të kthimit), veprime që do të nxisnin qarkullimin e parasë në ekonomi. Por, vitet e fundit, pavarësisht uljes agresive të kostos së parasë, qarkullimi i parasë në treg në vend që të rritej ka ardhur në ulje. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, oferta monetare që simbolizon paranë në qarkullim nga viti 2010 ka ardhur në ulje, duke shënuar rënien më të madhe historike në 4 -mujorin e parë 2018 me rreth 36 miliardë lekë më pak se njëjta periudhë e një viti më parë. Njohësit e politikës monetare shpjegojnë se paraja në qarkullim ka rënë për shkak të politikës fiskale të shtrënguar të qeverisë që është treguar e kursyer në rritjen e rrogave dhe pensioneve në investimet publike. Edhe rritja e taksave ka ndikuar negativisht, pasi ka frenuar investimet e bizneseve. Një shkak tjetër konsiderohet mungesa e kredisë. Bankat prej vitesh po përballen me kërkesë të dobët për hua, sidomos nga bizneset, por edhe vetë ato janë më të kujdesshme në huadhënie, për shkak të nivelit të kredive të larta me probleme që ka pasur sistemi, që arriti deri në 25% tre vite më parë.. Në vetvete, norma bazë e interesit përdoret nga Banka e Shqipërisë si një mjet jo i drejtpërdrejtë për të kontrolluar paranë në qarkullim me synim për të mbajtur çmimet në kontroll sipas objektivit të synuar 3%. Por studimet e brendshme të Bankës së Shqipërisë në vite kanë treguar se ndikimi i kursit të këmbimit tek çmimet është më i madh se ndikimi që ka mekanizmi i normës së interesit. Në dekadën e kaluar, 25% e ndryshimit në kursin e këmbimit lek-euro është transferuar në çmimet e tregut. Por ky ndikim ka nisur të zbutet disi pas vitit 2011, sidomos vitin e fundit. Monedha vendase është forcuar gati me 10 lekë nga fillimi i vitit deri në mesin e javës së kaluar, teksa inflacioni në vend ka qenë në rritje graduale këta 5 muaj duke shkuar në 2.1% në maj, nga 1.7% që ishte në janar.

Emergjenca

Tregu valutor humbi ekuilibrin së fundi, duke shfaqur vlera ekstreme te cilat Banka nuk ka mundur t’i parashikojë. Pas nënçmimit të shpejtë të lekut javën e kaluar, Guvernatori Genti Sejko njoftoi se, Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë në treg për të frenuar mbiçmimin e lekut me dy mjete. Së pari, nëpërmjet operacioneve monetare në treg, duke blerë valutë dhe duke ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje në 1% për të ndihmuar qarkullimin e lekut. Këto dy masa e kanë ndikuar tregun menjëherë. Monedha e përbashkët ka shënuar rritje të fortë që pas deklaratës publike të guvernatorit. Vetëm në tre ditët e fundit, euro është mbiçmuar me 3.41 lekë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit maj. Arsyeja kryesore e këtij forcimi të shpejtë lidhet me ndërhyrjen në treg të Bankës së Shqipërisë, guvernatori i së cilës deklaroi disa ditë më parë se institucioni monetar qendror do të blinte valutë në treg për të frenuar mbiçmimin e lekut që kishte dalë përtej parashikimeve. Përtej ndërhyrjes, efekti psikologjik këtë herë ka vepruar në të kundërt, duke përshpejtuar mbiçmimin e euros, ndryshe nga pak ditë më parë, kur pritshmëritë për një rënie të euros po zhvlerësonin më shumë monedhën e përbashkët. Nga ana tjetër, inflacioni ka vijuar të rritet në maj, edhe pse kursi i këmbimit do t’i bënte çmimet e importeve më të lira e për rrjedhojë, edhe çmimet e mallrave në tregje më të lira. inflacioni në muajin maj arriti në 2.1%, duke ju afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë, 3%. Ky ishte niveli më i lartë i ndryshimit mujor që nga qershori 2017. Sipas INSTAT, çmimet u rritën në të gjitha grupet kryesore të produkteve të konsumit, por ritmin më të lartë e patën ushqimet dhe uji. Çmimet kanë nisur të rriten para se Banka e Shqipërisë të veprojë për të rritur më tej çmimet, duke stimuluar paranë në qarkullim nëpërmjet uljes së normës së interesit.

Interesat nuk rriten para fundit të 2019-s

Banka e Shqipërisë do të mbajë një nivel të ulët interesash deri në fund të vitit 2019. Për të zbutur efektet negative të kursit të këmbimit në inflacion, Banka e Shqipërisë ka shtyrë projektet për ndryshimin e kursit të politikës monetare. Projeksionet tregojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Krahasuar me vlerësimet e mëparshme, përmbushja e objektivit të inflacionit do të kërkojë një politikë monetare më akomoduese në afatin e mesëm. Në bazë të informacionit aktual të disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.