Banka Botërore asistencë sektorit të sigurimeve dhe pensioneve private në Shqipëri

778
Sigal

Banka Botërore do të rrisë asistencën ndaj Shqipërisë për një pjesë të tregjeve financiare (sigurime dhe pensione private). Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) bën të ditur se kjo asistencë vjen në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative).
Kështu Banka Botëore do të ndihmojë AMF-në në reformën për të forcuar mbikëqyrjen dhe rregullimin tregut të të sigurimeve, por dhe për të zhvilluar produktet e sigurimit nga tërmetet. Në fakt kjo e fundit është një “detyrim” i artikuluar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e sheh Shqipërinë si një vend të ekspozuar ndaj rreziqeve që shkaktojnë fatkeqësitë natyrore. Por, sipas ekspertëve të FMN-së përpara realizimit të kësaj mase duhet të përgatitet terreni dhe tregu të bëhet i qëndrueshëm.
Kështu projekti që do të realizohet me ndihmën e Bankës Botërore do të përqendrohet në tre elementë bazë që janë: 
– rishikimi i kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL me theks të veçantë mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL;
– rishikimi i kuadrit të përgjithshëm mbikëqyrës me theks të veçantë ndërtimin e manualeve tematike të inspektimit, si dhe plotësimin e kuadrit rregullator në funksion të ligjit të ri, i cili parashikon mbikëqyrjen me bazë risku;
– dizenjimi dhe zhvillimi i një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Projekti do të zgjasë dy vjet dhe pritet të përfundojë në vitin 2016. Si hap i parë ekspertët e Bankës Botërore Eugene Gurenko dhe Alma Qamo shqyrtuan me stafin e AMF-së dhe palë të tjera të interesuara, si shoqëri sigurimesh dhe institucione shtetërore kushtet për të nxitur reformën e tregut të sigurimeve.
Por, ndihma e institucionit të rëndësishëm ndërkombëtar financiar nuk do të ndalet vetëm te sigurime, por do të përfshijë edhe rregullimin e tregut të pensioneve private për ta bërë më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të efektshëm. Projekti përqendrohet në dy komponentë bazë që janë rregullimi dhe mbikëqyrja, si dhe zgjerimi i tregut, duke kontribuar në ndërtimin e kuadrit të mbikëqyrjes mbi bazë risku dhe të kapaciteteve mbikëqyrëse; rishikimin e bazës ligjore dhe rregullatore për të mbështetur kuadrin e ri mbikëqyrës; apo përcaktimin e një plani strategjik dhe veprimi për të mbështetur zgjerimin e tregut të pensioneve private vullnetare. Ndryshe nga projekti i sigurimeve, ky do të zgjasë 18 muajsh dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2015.