Babëzia: Në punët publike fituan ofertat më të shtrenjta

230
Sigal

 

Në vitin pandemik që lamë pas, qeveria ka zhvilluar mbi 4500 tendera me një vlerë rreth 150 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Komisioni i Prokurimit Publik evidenton në raportin vjetor 2020 se shumica e prokurimeve publike kanë qenë të përqëndruara në pjesën e dytë të vitit dhe me fokus kryesisht rindërtimin dhe shëndetësinë, për të përballuar pandeminë. Të dhënat e detajuara tregojnë se kundrejt vitit 2019 është prokuruar gati dyfishi i shumës, ndërsa numri i tenderave ka qenë më i ulët. Sipas raportit të Komisionit së Prokurimit Publik, vitin e shkuar u rritën të ashtuquajturit “tenderët në tavolinë”, ku nga të dhënat rezulton se kontratat për punët publike, paradoksalisht u fituan nga operatorët që propozuan ofertat më të shtrenjta.

Gjatë 2020 u kryen 416 procedura me negocim pa shpallje paraprake nga 192 të tilla në vitin 2019. Edhe vlera e fondit të përdorur në këto procedura gjatë vitit 2020 është trefish më i lartë se ai në vitin 2019. Gjatë vitit 2020, janë paraqitur 741 ankesa nga operatorë të ndryshëm. Numrin më të madh të ankesave e zunë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për kontratat për shërbime me 342 të tilla, pasuar nga ankesat për kontratat për punë publike. Përballë një fluksi të tillë, Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar për shqyrtim vetëm gjysmat e këtyre ankesave.