Avokati i Popullit: Ndërtimi i Unazës së Re i mbushur me paligjshmëri, të drejtat e banorëve janë shkelur rëndë

864
Sigal

Avokati i Popullit ka dërguar një relacion voluminoz Kuvendit të Shqipërisë për ta informuar se ndërtimi i segmentit Lindor të Unazës së Re në zonën e Maternitetit të Ri dhe në zonën e Shkozës është i mbushur me plot paligjshmëri, të cilët kanë cenuar rëndë të drejtat e pronësisë dhe të strehimit për qindra familje që preken nga ndërtimi i rrugës. Avokati i Popullit pasi është informuar rreth çështjes hedh dyshime, se projekti që po zbatohet është i paligjshëm, pasi nuk ka asnjë vendim zyrtar për zbatimin e tij. Gjithashtu Avokati ka zbuluar, se te gjitha hallkat e përfshira në proces, ARRSH, ALUIZNI, IKMT-ja etj kanë vepruar duke shkelur ligjet dhe udhëzimet.

Projekti pa baza ligjore

Projekti “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III (Sistemimi i shtratit të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele, segmenti Materniteti i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës)” në dokumente të ndryshme ka emërtesa të ndryshme. “Për më tepër, pavarësisht se është kërkuar disa herë zyrtarisht nga ana jonë, se cili është vendimi (akti administrativ) për miratimin e këtij projekti, që ka filluar të zbatohet ndërkohë, nuk na bëhet me dije ky vendim. Në rastin më të keq, fshehja e këtij informacioni të nxjerr në konkluzionin se nuk ka një vendim për miratimin e projektit “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III (Sistemimi i shtratit të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele, segmenti Materniteti i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës)”, gjë që sjell pasoja serioze për gjithë ligjshmërinë e procesit në tërësi” thuhet në dokumentin e Avokatit. Nga ana tjetër veprimtaria e ALUIZNI-t, në lidhje me trajtimin e vetëdeklarimeve të subjekteve që kanë ngritur ndërtime informale, në zonën e Shkozës, që preket nga zbatimi i projektit të sipërcituar, ka shkelje ligjore, të cilat konsistojnë ndërtimore, sa i takon vlerësimit të gjendjes juridike të ndërtimit informal të vetëdeklaruar prej tij dhe mospërfshirjes në listën e subjekteve që duhen shpronësuar, për llojin e pasurisë “Truall”. Për disa parcela ndërtimore të ndodhura në këtë zonë është miratuar kalimi i tyre në pronësi të subjekteve posedues, që kanë ngritur në to ndërtime informale, konform parashikimeve të VKM Nr.125, Datë 17.02.2010 “Për miratimin e kalimit në pronësi të disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale”. Edhe pse ky vendim i Këshillit të Ministrave është në fuqi, zbatimi i tij nuk është kryer deri më sot prej ALUIZNI-t, si organ i ngarkuar për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore në favor të subjekteve posedues të ndërtimeve informale. ALUIZNI s’mund të marrë vendim përjashtimi nga procesi i legalizimit, në kundërshtim me VKM e sipërcituar.

IKMT-ja i bën shembjet jo në respekt të ligjeve

Avokati i Popullit ka vërejtur se veprimtaria e IKMT-së, në këtë çështje na shfaqet e fragmentarizuar, jo analizuese dhe jo reaguese, mbi veprimet që i kërkohet që të ndërmarrë, nga ana e institucioneve të tjera shtetërore. “Megjithëse ne kemi tashmë informacion për procedurat e mbajtura dhe aktet e nxjerrë për rreth 43 subjekte kundërvajtës, nga ana e IKMT-së, përsëri kjo gjendje është e paqartë për shkaqe që janë cituar si mangësi në veprimtarinë e ALUIZNI-t. Po kështu, sjellim në vëmendje se është pohuar nga ana e Krye/inspektores së IKMT-së, fakti që do të preken nga zbatimi i projektit “Unaza e Jashtme e Unazës së Tiranës”, Loti III (Sistemimi i shtratit të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele, segmenti Materniteti i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës)”, 169 objekte-ndërtime. Nga këto, 82 objekte janë përjashtuar nga procesi i legalizimit me vendim nga ana e ALUIZNI-t, ndërsa pjesa tjetër mbetet me një status të papërcaktuar (mund të jenë të ligjshme dhe duhen shpronësuar, apo janë të pa vetëdeklaruara)” thuhet në relacion. Paligjshmëri në veprimtarinë e IKMT-së, është konstatuar edhe në dy ankesa individuale të banorëve në zonën e Shkozës, banesat e të cilëve janë prishur për shkak të zbatimit të projektit. Në këto raste, është evidentuar se nuk janë zbatuar procedurat e njoftimit të vendimmarrjes për prishje të objektit, sipas parashikimeve të Ligjit nr.9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, i ndryshuar dhe Kodit të Procedurave Administrative.

 Shpronësimet nuk po jepen

Gjithashtu Procesi i shpronësimit me subjekt përfitues, Autoritetin Rrugor Shqiptar, shfaqet problematik dhe me shkelje të rënda ligjore. Sikurse konstatohet, për pasuritë që preken nga ky projekt, është miratuar VKM nr.557 datë 27.07.2016 “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza Lindore Tiranë (loti III)”. Ndërkohë që është punuar për një “Kërkesë për shpronësim” shtesë, ku janë evidentuar pasuri të tjera që nuk janë përfshirë në VKM e sipërcituar. Edhe nga vet qëndrimi i shprehur prej ARRSH-së, evidentohet se VKM nr.557 datë 27.07.2016, nuk ka gjetur ende zbatim të plotë, pasi nuk janë shpronësuar të gjithë subjektet që janë parashikuar në të. VKM nr.557 datë 27.07.2016, nuk përcakton shprehimisht afatin dhe mënyrën e pagimit, për pronarët që shpronësohen, për pronarët e pasurive që zhvlerësohen, për personat e tretë që kompensohen për të drejtat e tyre për shkak të shpronësimit. Po kështu, ky vendim nuk përcakton shprehimisht, afatin e fillimit dhe të mbarimit të shpronësimit, si dhe afatin e fillimit dhe të përfundimit të punimeve për projektin dhe investimin, ose për realizimin e qëllimit të shpronësimit. Duke qene se sipas ligjit, këto janë elementë thelbësore të VKM-së, atëherë mungesa e tyre sjell po sipas ligjit, pavlefshmërinë e procedurës së shpronësimit. Duke pasur parasysh faktin se ka zvarritje të procedurave të kompensimit të banorëve për efekt të shpronësimit dhe verifikime të tjera shtesë të pasurive që preken nga zbatimi i projektit, kjo procedurë shpronësimi është e pavlefshme në kuptim të mospërmbushjes së kritereve, që përcakton ligji për këtë qëllim.

 

Është shkelur konventa e OKB-së

Numri i objekteve që janë prishur tashmë, ose që do të prishen, flet për një komunitet banorësh të konsiderueshëm në numër, që duhet të zhvendoset nga kjo zonë për shkak të ndërtimit të një vepre publike. Bazuar në rekomandimet e OKB-së dhe interpretimeve të dhëna në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në Komentin e Përgjithshëm nr.7 të këtij Komiteti, Raporteri Special i Kombeve të Bashkuara për Strehimin ka publikuar një numër udhëzimesh të detajuara, të njohura si Parimet dhe “Udhëzimet bazë të Kombeve të Bashkuara” dhe “Udhëzimet për lirimet bazuar mbi Zhvillimet dhe mbi Zhvendosjen”. Këto parime dhe udhëzime bëjnë më të qarta detyrimet e shtetit, në rastet e lirimit me forcë të banesave. Për shkak të mënyrës se si po veprohet nga ana e ARRSH-së dhe për rrjedhojë edhe nga ana e IKMT-së, gjendja paraqitet në kushtet e “dëbimit me forcë”, në shkelje të të gjitha parimeve dhe standardeve ndërkombëtare të trajtimit të rasteve të dëbimit me forcë. Avokati i i Popullit vëren se nuk ka pasur një komunikim real dhe të nevojshëm, si dhe koordinim paraprak ndërmjet ARRSH-së dhe Bashkisë Tiranë, për trajtimin e familjeve, të cilat preken në pronësitë e tyre, pra të banesave, qofshin këto në posedim, apo në pronësi të ligjshme, si pasojë e zbatimit të Projektit, për të trajtuar në kornizë ligjore këtë situatë, pavarësisht përpjekjeve të Bashkisë Tiranë për një zgjidhje të përkohshme të çështjes së strehimit për familjet që ngelen të pastreha. Puna e organeve shtetërore, përkatësisht e ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës në identifikimin e pasurive që preken nga zbatimi i projektit “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III, është e mangët dhe jo efektive, ndaj ministritë e përfshira në këtë proces duhet të marrin masa për të bërë garancitë ligjore efektive, për respektimin e së drejtës së pronës.

 Procesi kaotik

Nga konstatimet e ecurisë së procesit për zbatimin e projektit “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III (Sistemimi i shtratit të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i rrugëve paralele, segmenti Materniteti i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës)”, në konkluzion përmbyllës evidentojmë se kemi të bëjmë me një proces ku; mungon bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimtarisë së organeve dhe institucioneve përkatëse shtetërore, duke e kthyer këtë proces në “kaotik”; vërehen shkelje ligjore që cenojnë të drejta dhe liri të ligjshme të individit; vazhdon gjendja e mosreflektimit ndaj kësaj paligjshmërie, duke përkeqësuar situatën juridike të subjekteve që kanë pronësi në zonën ku po zbatohet projekti sipërcituar, ndërkohë që nuk dihet se kur do të përfundojë ky projekt. Avokati i Popullit rekomandon se është e nevojshme marrja e masave ligjore nga ana e organeve kompetente, ndaj personave që kanë shkelur dhe shkelin ligjin në trajtimin e kësaj problematike dhe që nuk bëjnë efektiv zbatimin e ligjit për procedurat e shpronësimit, për mundësimin e realizimit të projektit, ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza Lindore Tiranë (loti 3)”. E drejta e individëve për t’iu drejtuar Gjykatës, nuk përjashton përgjegjësinë e organeve dhe institucioneve të tjera shtetërore për t’iu garantuar qytetarëve, mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tyre pasurore dhe një trajtim proporcional rast pas rasti. Avokati i Popullit në kuadër të një oponence për miradministrim në veprimtarinë e IKMT-së, shpreh qëndrimin se, projektet madhore janë shumë të rëndësishme për t’u zbatuar dhe për të kontribuar në këtë mënyrë, për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Por është i domosdoshëm respektimi dhe zbatimi rigoroz i kuadrit ligjor në fuqi, i cili ekziston dhe është mjaft i gjerë, si dhe proporcionaliteti lidhur me veprimet që ndërmerren, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Sa i takon kërkesave për shpronësim që ARRSH-ja, i ka drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nga dokumentacioni dërguar bashkëngjitur përgjigjes së sipërcituar na rezultojnë se janë paraqitur, kërkesa me nr.4218/3 datë 31.08.2017, kërkesa me nr.4218/4 datë 21.09.2017, si dhe kërkesa me nr.1464 datë 23.02.2017. Nga lista e vetme paraprake që ARRSH-ja ka dërguar bashkëngjitur kërkesave për shpronësim, si dokumentacion për këtë çështje na rezulton se, kërkohet shpronësim për subjektet përkatëse për 2 (dy) pronësi të llojit “Arë”, për subjektet përkatëse për 13 (trembëdhjetë) pronësi të llojit “Truall”, për subjektet përkatëse për 29 (njëzet e nëntë) pronësi të llojit “Ndërtesë”, si dhe për subjektet përkatëse për 2 (dy) pronësi të llojit “Apartament”. Nëse i referohemi kësaj liste atëherë del e qartë se, vetëm 31 pronësi që mund ti cilësojmë si banesa ku jetojnë familje të këtij komuniteti do të shpronësohen, ndërsa diferenca prej 138 objektesh-ndërtime të tjera (më lart është cituar që krye/inspektorja e IKMT ka deklaruar se, do të preken nga zbatimi i projektit 169 objekte-ndërtime), do të prishen./monitor