Autoriteti i Konkurrencës: Ja marrëveshjet që dëmtojnë konsumatorin

868
Sigal

Miratohet rregullorja për përjashtimin në bllok të kategorive të marrëveshjeve vertikale

 Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar rregulloren “Për përjashtimin në bllok të kategorive të marrëveshjeve vertikale dhe praktikave të bashkërenduara”. Kjo rregullore përfshin ato kategori marrëveshjesh vertikale që kanë të bëjnë me blerjen ose shitjen e produkteve, ku këto marrëveshje janë të lidhura ndërmjet ndërmarrjeve jokonkurruese, ndërmjet konkurrentëve të caktuar apo ndërmjet disa bashkimeve të caktuara të shitësve të produkteve. Në vlerësimin individual të marrëveshjeve duhet të merren parasysh disa faktorë dhe në veçanti struktura e tregut, e parë nga këndvështrimi i furnizuesit dhe/ose blerësit/shpërndarësit. Disa kategori marrëveshjesh vertikale mund të përmirësojnë eficencën ekonomike brenda zinxhirit të prodhimit, ose shpërndarjes, duke lehtësuar bashkëpunimin midis ndërmarrjeve pjesëmarrëse. Gjithashtu, këto marrëveshje mund të çojnë në një zvogëlim të kostos së transaksionit dhe shpërndarjes, maksimizimin e shitjeve dhe niveleve të investimeve. Në fushën e zbatimit të kësaj rregulloreje nuk përfshihen ato marrëveshje vertikale që përmbajnë kufizime, të cilat ka të ngjarë të kufizojnë konkurrencën dhe t’i sjellin dëme konsumatorëve. Në veçanti, marrëveshjet vertikale që përmbajnë lloje të caktuara të kufizimeve të rënda të konkurrencës duhet të përjashtohen nga përfitimet e përjashtimit në bllok të përcaktuara në këtë Rregullore, pavarësisht pjesës së tregut të ndërmarrjeve.

Marrëveshja vertikale

“Marrëveshje Vertikale” nënkupton një marrëveshje, apo praktikë të bashkërenduar, lidhur ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve, ku secila prej tyre vepron, për qëllimet e marrëveshjes ose praktikës së bashkërenduar, në një nivel të ndryshëm të zinxhirit të prodhimit ose të shpërndarjes, dhe në lidhje me kushtet në të cilat palët mund të blejnë, të shesin ose rishesin.

Detyrim jokonkurrues

“Detyrim jokonkurrues” nënkupton çdo detyrim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që e detyron blerësin të mos prodhojë, blejë, shesë apo rishesë produkte, të cilat konkurrojnë me produktet e kontraktuara, ose çdo detyrim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të blerësit për të blerë nga furnizuesi ose nga një ndërmarrje tjetër e caktuar nga furnizuesi më shumë se 80% të blerjeve totale të produkteve kontraktues të blerësit dhe zëvendësuesve të tyre në tregun përkatës, të llogaritur në bazë të vlerës ose praktikave standarde të industrisë, referuar volumit të blerjeve të tyre në vitin e kaluar kalendarik.

Përjashtimi

Përjashtimi do të zbatohet për marrëveshjet vertikale që janë lidhur ndërmjet një bashkimi ndërmarrjesh dhe anëtarëve të tij, ose ndërmjet këtij bashkimi dhe furnizuesve të tij, vetëm nëse të gjithë këta anëtarë janë shitësit me pakicë të produkteve dhe kur asnjë anëtar individual i bashkimit të ndërmarrjeve, së bashku me ndërmarrjet e lidhura, nuk e tejkalon xhiron vjetore 200 milionë lekë. Këto lloj marrëveshjesh vertikale janë objekt i kësaj Rregulloreje.

Kufiri i pjesës së tregut

Përjashtimi do të zbatohet vetëm atëherë kur pjesa e tregut, e cila zotërohet prej furnizuesit, nuk tejkalon 30% të tregut përkatës, në të cilin ai shet mallrat/shërbimet e kontraktuara dhe njëkohësisht, kur pjesa e tregut e zotëruar nga blerësi, nuk tejkalon 30% të tregut përkatës, në të cilën ai blen mallrat/shërbimet e kontraktuara.

Kufizimet specifike dhe rastet e përjashtimit të tyre

Përjashtimi nuk zbatohet për marrëveshjet vertikale të cilat, drejtpërdrejt, (ose tërthorazi), vetëm, (apo në kombinim me faktorë të tjerë nën ndikimin e palëve), kanë si synim të tyre:

1. Kufizimin e aftësisë së blerësit në përcaktimin e çmimit të tij të shitjes, por pa e hequr mundësinë për furnizuesin që t’i imponojë atij një çmim maksimal shitjeje, ose ti këshillojë një çmim shitjeje, me kushtin që ky i fundit të mos jetë i barabartë me një çmim minimal, ose të fiksuar nën efektin e presionit të ushtruar nga njëra prej palëve;

2. Kufizimin e shitjeve aktive, ose pasive, tek konsumatori përfundimtar, prej pjesëmarrësve të përzgjedhur të rrjetit shpërndarës, të cilët veprojnë në nivelin e shitjes me pakicë;

3. Kufizimin, në kuadër të një marrëveshjeje midis furnizuesit të pjesëve përbërëse të një malli dhe blerësit të tyre që i përdor ato pjesë (detale) për prodhimin e pajisjes përfundimtare, e mundësisë së furnizuesit për shitjen e këtyre përbërësve, (po kështu edhe pjesëve të lidhura me to) tek përdoruesit përfundimtarë, riparuesit, ose të tjerë ushtrues të këtyre shërbimeve, të cilët nuk kanë qenë lejuar prej blerësit për riparimin, ose mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, kufizohet mundësia e ofruesit për t’i shitur këto pjesë përbërëse drejtpërdrejt tek konsumatori përfundimtar, ose te riparuesit, duke sjellë një përqendrim të tregut;

4. Kufizimin e territorit, ose të konsumatorëve, mbi të cilin/ët njëri blerës, palë në marrëveshje, mund të shesë mallrat/shërbimet e kontraktuara, pa shkaktuar një kufizim në vendin e selisë së tij.

Moszbatimi i kësaj Rregulloreje

Kjo Rregullore nuk do të zbatohet për marrëveshjet vertikale, të cilat përmbajnë kufizime të veçanta në lidhje me tregun, kur rrjetet paralele, të cilat përfshijnë kufizime vertikale të ngjashme me rastet e mësipërme, zotërojnë më shumë se 50 % të atij tregu përkatës.

Marrëveshje të tilla, në mbështetje të neneve 5 dhe 49 të Ligjit Nr.9121, datë 28.03.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, duhet të njoftohen pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe të kërkohet prej tij përjashtimi individualisht i tyre.