Autoritetet e mjedisit përplasen me gjykatën në përpjekje për të ndaluar guroret në Tomor

620
Sigal

Erjola Azizolli

Zgjerimi i sipërfaqes së zonës së mbrojtur në Tomor duhej të ndalonte guroret, por vendimet e Gjykatës në Vlorë u kanë dhënë të drejtë kompanive që shfrytëzojnë malin

Mes pirgjeve me gurë të nxjerrë nga sipërfaqja e malit, disa makina të tonazhit të rëndë qëndrojnë të pa lëvizura që prej disa ditësh në fshatin Mëlovë dhe vendin e quajtur ‘Gryka e Dëvrisë”, në malin e Tomorit.  Në zonë vihet re prani e shtuar e policisë dhe e rojeve mjedisore të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ndërkohë që punonjësit e nxjerrjes së gurit kanë ndërprerë punën. Masat e shtuara sipas Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, janë në “kuadër të një plani veprimi për të ndaluar aktivitetet e paligjshme të nxjerrjes së gurit gëlqeror apo pllakator në territorin e Parkut Kombëtar të Tomorit”.

Në përpjekje për të ndaluar nxjerrjen e gurit, policia procedoi penalisht në fund të nëntorit 5 administratorë e drejtues të kompanive që shfrytëzonin malin dhe u bllokoi atyre disa makineri. Ata akuzohen  për “fshehje e të ardhurave”, “shkatërrim i pronës” dhe “punësim i paligjshëm”. Por paditë e policisë mund të mos kenë efekt përtej bllokimit të përkohshëm të aktivitetit- siç ka ndodhur disa herë që prej fundit të vitit 2017, kur Ministria e Mjedisit vendosi pezullimin e një duzine guroresh. Vendimet atëherë u ankimuan nga kompanitë në Gjykatën Administrative në Vlorë, e cila vendosi rifillim të punës për një pjesë të tyre. Një prej të proceduarve nga policia në nëntor, Çaush Qato i tha BIRN se vendimi i bllokimit dhe procedimi ishte i paligjshëm dhe se ai kishte leje mjedisore dhe një vendim të Gjykatës Administrative po ashtu që i jepte të drejtë të vijonte punën. “Unë jam në pritje që të më thërrasin në Prokurori dhe më pas do të veproj për këtë çështje”, shtoi ai. Ndërkohë, zyrtarë lokalë i thanë BIRN se zgjerimi i zonës së mbrojtur në Malin e Tomorit prej qeverisë nuk e ka ndryshuar situatën, ndërsa kompanitë pretendojnë se nuk u është dhënë një vend i ri shfrytëzimi.

Përpjekje të pasuksesshme

Përpjekjet e qeverisë për të bllokuar nxjerrjen e gurëve nga shpatet e malit të Tomorit prej kompanish të licencuara ndër vite kanë pasur efekt të përkohshëm, ndërsa vendimet e pezullimit të marra në fund të vitit 2017 janë rrëzuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Vlorë. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi akuzoi në korrik të këtij viti gjykatën se nuk kishte marrë në konsideratë shkeljet e kryera prej kompanive të cilave u ishte pezulluar licensa, përfshi edhe shfrytëzimin jashtë koordinatave të lejuara apo mos rehabilitimin e sipërfaqeve të dëmtuara. Një javë më vonë qeveria vendosi të zgjeronte sipërfaqen e parkut kombëtar në malin e Tomorrit me rreth 1300 hektarë të tjerë (në total 26106 hektarë), duke përfshirë brenda zonës së mbrojtur edhe një pjesë të guroreve. Sipas një specialisti të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, ARM, situata në park ishte një “masakër mjedisore që duhej të ndalej” dhe se vendimi i zgjerimit të zonës së mbrojtur synonte këtë. Por BIRN mësoi nga zyrtarë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit  në Berat (ARM) dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP), se me zgjerimin e zonës së mbrojtur kompanitë që duhej të zhvendosnin aktivitetin, nuk e kanë bërë atë. Një specialist i ISHMP, i cili kërkoi të mos identifikohej pasi po fliste pa leje nga titullari, i tha BIRN se “vendimi për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Tomorrit është i qartë, pasi ka përcaktuar zonat e mbrojtura, por i lë dorë të lirë pronarëve të subjekteve që të kërkojnë të punojnë në zona të tjera jashtë parkut”.  Megjithatë, ai tha se se insitucionet duhet të vendosin se çfarë do të bëhet me kompanitë që kanë licensa.

Ndërhyrja e policisë

Zyrtarë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Berat, duke kërkuar të mos identifikohen thanë se ndërhyrja e policisë dhe ADZM-së erdhi pikërisht sepse kompanitë nuk ndryshuan vendin e shfrytëzimit. Sipas zyrtarëve të ARM janë vendimet e dhëna nga Gjykata Administrative për rikthimin e subjekteve në punë që e kthyen problemin në pikën e mëparshme, pasi “me vendimet e gjykatës në dorë subjektet jo vetëm që rinisën punën, por sot nuk ndalen dhe përpara kontrolleve që po bëhen në Malin e Tomorrit”. Drejtori i Policisë së Qarkut Berat, Artion Duka tha se ndërhyrja e seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar e cila u bë në bashkëpunim me rojet mjedisore të Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), çoi në një sërë sekuestrosh.  “Janë ushtruar disa kontrolle në pika të ndryshme brenda zonës së mbrojtur, nga kontrollet ka rezultuar ushtrimi i aktivitetit mineral”, tha Duka. Ai tha se policia kishte sekuestruar makineri, mjete dhe vegla pune që shërbenin për nxjerrjen e gurëve  dhe se “u nisën proçedimet për pesë drejtues subjektesh, ndërkohë që janë gati dhe tre proçedime të tjera”. Policia e Beratit thotë se do të vazhdojë të marrë masa, por nga ana e tyre drejtues të kompanive thonë se pas zgjerimit të territotit të parkut duhej që institucionet përgjegjëse tu sigurojnë vend ku të punojnë jashtë parkut, duke vënë në dukje se kanë leje mjedisore dhe se Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e ministrisë. Një prej tyre, Caush Qato thotë se hetimet ndaj tyre janë të paligjshme pasi gjykata u ka dhënë të drejtë për të vazhduar aktivitetin dhe se zgjerimi i sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Tomorrit, nuk do të thotë se ata duhet të ndërpresin punën, por të spostohen diku tjetër,  gjë e cila sipas tyre nuk ka ndodhur.  Qato gjatë një kontakti me telefon tha se do ta çojë procedimin penal në gjykatë si të padrejtë, pasi mjetet i janë bllokuar pa shkak dhe se ushtron aktivitetin në mënyrë të rregullt. “Prej vitesh kam leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për ushtrimin e aktivitetit dhe gjykata Administrative më dha të drejtë për të vazhduar punën, ndaj e konsideroj jo të ligjshëm bllokimin e mjeteve,” tha ai.