ARMO në rrezik, zjarrfikësit lënë punën

970
Rreth 50 punonjësit e Repartit Zjarrfikës, që varet nga kompania e përpunimit të naftës, ARMO, janë të fundit që kanë ndërprerë punën dy ditë më parë. Arsyeja është sërish paga. Edhe ata kanë që në dhjetor 2018 që nuk paguhen, së bashku me 1100 punonjësit e tjerë të rafinerisë së ARMO-s. Por, grupimi i naftëtarëve të ARMO-s ka dhënë alarmin se shpërbërja e kompanisë po rrezikon një katastrofë. “Reparti zjarrfikës varet nga ARMO dhe e ka në administrim uzina e Ballshit. Atje ka rezervuarë të mbushur me lëndë djegëse, që në çdo moment mund të shpërthejnë dhe zjarrfikës nuk ka”, ka pohuar grupimi i naftëtarëve që ka kontaktuar me shqetësim redaksinë e “Monitor”. Edhe TEC-in e Ballshit e ka ARMO, pohojnë ata dhe punonjësit nuk i kanë marrë rrogat që nga dhjetori. “Përveç energjisë që i jep Kombinatit të Ballshit, TEC-i kryen dhe shpërndarjen e energjisë për gjithë jugun. Imagjinoni një stakim të mundshëm të energjisë”, thonë ata. Edhe punonjësit e pompave të ujit që janë në Poçem paguhen nga ARMO dhe janë pa paga edhe ata. Pompat e ujit shpërndajnë ujë dhe për banorët e Mallakastrës. “Kush përgjigjet në këtë shtet?!”, thonë naftëtarët. “Uji, energjia , Kombinati, janë objekte të rëndësisë së veçantë”. Punonjësit paralajmërojnë që më e keqja mund të ndodhë. “Nuk shkon askush në punë pa paguar, dhe imagjino fare mund t’i hidhet ujit të pijshëm kur s’ka punëtorë?! Jemi të pasigurt. Nuk duam që kur të ndodhë e keqja të fillojnë të merren masat. Jemi në prag katastrofe prej gjithçkaje. Një shpërthim në kombinat do të sjellë viktima. Një stakim i energjisë në TEC , do të jetë problem për gjithë jugun”. Punonjësit e ARMO-s pohojnë se do të rifillojnë protestat të hënën në mëngjes dhe në planet e tyre është një tjetër marshim drejt Tiranës. Rafineria e përpunimit të naftës, ARMO, ndërpreu aktivitetin që në fund të muajit nëntor, pasi kompania IRTC, një off-shore, që e kishte marrë në shfrytëzim në shtator 2016, ndërpreu aktivitetin pasi Bankers Petroleum nuk e furnizoi më me naftë bruto për shkak të mospagesave. Që prej asaj kohe, punonjësit kanë mbetur në mëshirë të fatit dhe takimet me përfaqësues të qeverisë nuk kanë shërbyer për asgjë. “Ne kemi 14 paga të vitit 2015-2016 pa u paguar, dhe nga dhjetori e tani nuk marrim paga”, thonë punonjësit. Uzina e Ballshit nuk po punon që prej fillimit të dhjetorit. Ata kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme nga shteti. “Në parlament ka kaluar statusi i naftëtarit, ku ne që dalim të papune të paguhemi sipas ligjit që vetë shteti e ka bërë, pra me 150 % të pagës minimale për 3 vjet. Të ruhet uzina me shërbim zjarrfikës, të ruhen pompat e ujit në Poçem. Kush përgjigjet për 100 mijë banorë që ka Mallakastra. Çfarë është ky aneksim dhe mohim i jetës tonë që po na bën shteti shqiptar?”, pohon i indinjuar grupimi i naftëtarëve.
Sigal