Alarmi, Shqipëria rrezikon të humbasë 2 miliardë euro

792
Zbulohet dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë. Prishja nga qeveria e kontratave me kompanitë e huaja mund ta çojë dëmshpërblimin në shifra marramendëse 
Shqipëria rrezikon të humbasë 2 miliardë euro nga gjyqet në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Një dokument konfidencial, që Ministria e Drejtësisë i dërgon kryeministrit Edi Rama, zbulon fakte tronditëse mbi rreziqet financiare që po i kanosen vendit nga paditë e kompanive të huaja kundër qeverisë. Dokumenti, i cili mban datën 10 prill të këtij viti, zbulon se aktualisht në Arbitrazhin Ndërkombëtar po zhvillohen katër procese kundër Shqipërisë. “Vlera totale e dëmshpërblimit që kërkohet nga palët, vetëm për këto katër procese shkon mbi 2 miliardë euro”, thuhet në shkresën konfidenciale që Ministria e Drejtësisë i dërgon Kryeministrit. Këto padi, sipas “syri.net”, janë rrjedhojë e prishjes së njëanshme të kontratave nga qeveria shqiptare me kompanitë e huaja, edhe pse disa prej tyre kanë qenë të miratuara nga Parlamenti, çka u jep paditësve pozita shumë të forta në gjyq.

Situatë alarmante
Edhe pse në shkresë nuk zbulohen emrat e kompanive, që kanë paditur Shqipërinë, burime nga Ministria e Drejtësisë, thonë se një prej çështjeve është ajo e biznesmenit italian, Francesco Beccheti, i cili ka paditur qeverinë shqiptare për hidrocentralin e Kalivaçit, por edhe disa çështje të tjera. Me tone alarmuese Ministria e Drejtësisë kërkon nga Kryeministri që të marrë masa urgjente për të parandaluar një krizë, e cila do të kishte pasoja të rënda për financat e shtetit. “Sipas komunikimeve me Avokaten e Përgjithshme të Shtetit ka shumë çështje të tjera në ministritë e linjës, kur kontratat janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga pala shtetërore”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas të dhënave konfidenciale nga Avokatura e Shtetit, vetëm vitin e kaluar Shqipëria u dënua me 70 milionë euro në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. “Një situatë e tillë është shumë shqetësuese dhe me pasoja tepër të rënda, të paparashikuara për financat e shtetit dhe pasurinë publike, e cila kërkon një analizë të thellë për çdo institucion shtetëror”, sugjeron Ministria e Drejtësisë.

Rekomandimet
Për shkak të situatës tepër të rënduar dhe pasojave katastrofike që i kanosen ekonomisë kombëtare nga humbja e këtyre gjyqeve, Ministria e Drejtësisë i kërkon qeverisë marrjen e një sërë masave. “Kjo situatë kërkon analizë të thellë dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sidomos në rastin e humbjes së proceseve të arbitrazhit, pasi mund të përbëjnë elementë të veprave penale dhe personat përgjegjës duhet të vihen para përgjegjësisë”, propozon Ministria e Drejtësisë. Po kështu ajo i rekomandon kryeministrit që të mos lejojë asnjë kontratë të zgjidhet në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar më parë me Avokaten e Shtetit. Për ato kontrata për të cilat ka filluar zgjidhja, Ministria rekomandon pezullimin e menjëhershme dhe hartimin e një plani specifik të koordinuar, ndërsa koncesionet e reja që lidhen të trajtohen me kujdes të shtuar. “Sa më sipër është urgjente marrja e masave dhe adresimi i situatës për angazhimin me përgjegjshmëri jo vetëm të Avokaturës së Shtetit dhe ministrive të linjës për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar”, përfundon dokumenti konfidencial.
Letra
Një situatë e tillë shumë shqetësuese dhe me pasoja tepër të rënda, të paparashikuara për financat e shtetit dhe pasurinë publike, që kërkon një analizë të thellë për secilin institucion shtetëror më vete.

1 – Kjo situatë kërkon një analizë për nxjerrje përgjegjësie, pasi dëme të tilla financiare, sidomos në rastin e humbjeve të proceseve të arbitrazhit, mund të përbëjnë elementë të një vepre penale dhe personat përgjegjës do të duhet të vihen para përgjegjësisë për veprimet apo mosveprimet e tyre, të cilat kanë sjellë dëme të rënda ndaj interesave financiare të shtetit.
2 – Në kushtet kur disa prej mosmarrëveshjeve lidhen me kontrata që janë ratifikuar me ligj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, do të duhet vëmendje e shtuar në vijim, jo vetëm gjatë negociimit, por gjatë miratimit të tyre përfundimtar.
3 – Asnjë proces zgjidhjeje kontrate ku shteti është palë, qoftë në mënyrë të njëanshme, nuk duhet kurrsesi të lejohet pa konsulencën dhe miratimin paraprak të Avokaturës së Shtetit. Çdo lloj zgjidhjeje e njëanshme, e pa konsultuar thellësisht, gjithmonë mbart rrezikun potencial të përballjes në konflikte gjyqësore, e për pasojë, sjelljes së efekteve të rënda për shtetin. Përballja në procese arbitrazhi ndërkombëtar jo gjithmonë është e lehtë apo e mundshme për t’u fituar, kur pasoja që vjen, penalizimi financiar i shtetit, është shumë i rëndë. 
4 – Nga ana tjetër, për të gjitha kontratat për të cilat ka filluar procesi i zgjidhjes, ky proces duhet të ndalet menjëherë dhe çdo veprim në vijim në lidhje me to, duhet të bëhet sipas një plani të qartë, specifik dhe të mirë koordinuar.
5 – Marrjen e masave urgjente, jo vetëm për verifikimin e situatës, analizimin e faktorëve që kanë çuar në këtë pikë, por edhe për marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar çdo dëm të mundshëm ndaj interesave pasurore të vendit. 
6 – Çdo ministri apo institucion tjetër publik, duhet me prioritet të hartojë raporte te detajuara mbi të gjitha kontratat/konfliktet, në të cilat është përfshirë dhe që mbartin riskun për të përfunduar në arbitrazh, apo për të cilat tashmë ka nisur një konflikt gjyqësor.
7 – Çdo ministri apo institucion tjetër publik duhet të hartojë në bashkëpunim të ngushtë me Avokaturën e Shtetit, për këto raste, plane të menjëhershme e të detajuara për zgjidhjen e situatës, pa shkaktuar dëm ndaj interesave financiare të vendit, duke krijuar një strategji të fortë mbrojtjeje. 
Sigal