Alarmi i bizneseve, në 2019-n janë mbyllur 4222 sipërmarrje

484
Sigal

Tatimet: Çdo ditë falimentojnë mesatarisht 33 biznese, vetëm në prill pezulluan aktivitetin 1000 të tillë

Alarmi i bizneseve shqiptare – Në 2019 janë mbyllur 4222 sipërmarrje

Kriza që ka përfshirë bizneset shqiptare ka detyruar shumë prej tyre që të mbyllin aktivitetin financiar, duke kaluar në status pasiv dhe duke shpallur falimentimin. Në raportime të shumta, arsyet kryesore që lidhen me mbylljen e aktiviteteve kanë të bëjnë me taksat e larta, konkurrencën, uljen e fuqisë blerëse, gjobat dhe emigracionin. Një tjetër arsye është dhe detyrimi i lartë financiar që ka qeveria ndaj sipërmarrësve. Siç raportoi dhe gazeta “Telegraf”, borxhi i qeverisë ndaj bizneseve arrin në 1.5 miliardë euro. Shifër kjo që po zhyt thellësisht në krizë, jo vetëm sipërmarrësit, por edhe ekonominë shqiptare. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportoi të dhënat se që prej fillimit të vitit 2019, në total janë mbyllur 4222 biznese, 7% më shumë se viti i mëparshëm. Gjithashtu DPT theksoi se vetëm gjatë muajit prill të këtij viti, ulën qepenat 1000 biznese në të gjithë Shqipërinë. Drejtoria e tatimeve bëri me dije se trendi për vitin 2019-n është i tillë që mesatarisht 33 sipërmarrje bëjnë kërkesë çdo ditë për pezullimin e aktivitetit të tyre. Numri më i lartë i bizneseve të mbyllura u raportua në janar, me 1400 të tilla në të gjithë vendin. Megjithatë në raport me një vit më parë ritmi i rritjes së bizneseve që kalojnë në statusin pasiv është ngadalësuar. Me ndryshimin e procedurës tatimore, bizneset nuk mund të kalojnënë statusin pasiv pa mbyllur të gjitha detyrimet me Tatimet. Shumë tatimpagues për t’iu shmangur detyrimeve tatimore, vendosnin të kalonin subjektin në statusin pasiv. Pezullimi ishte pa asnjë kusht. Duke pezulluar aktivitetin, ato shmangin pagesën në kohë të detyrimit tatimor. Tatimpaguesit janë të detyruar që para se të kalojnë në statusin pasiv të paguajnë detyrimet.

Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:

  • nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
  • nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
  • deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.

Për të shmangur detyrimet tatimore, apo për të mos paguar ndonjë gjobë të marrë, bizneset që kërkonin të bënin shmangie, kalonin në statusin pasiv. Për periudhën që biznesi qëndron në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim. Tashmë, nenit 44 në ligjin për procedurën tatimore, i është shtuar pika 4/1, i cili përcakton se kalimi në regjistrin pasiv do të bëhet vetëm pasi QKB të verifikojë më parë pagimin e detyrimeve tatimore nga ana e tyre. Në regjistrin e subjekteve pasive janë rreth 120 mijë biznese. Vetëm gjatë vitit 2018 kaluan në regjistrin pasiv 15,249 biznes, nga 9,419 që kishin kaluar një vit më parë, rreth 60% më shumë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve.