AKSHI hap thesin 2 mln USD për regjistrin e vaksinave të COVID-it

351
Sigal

Mijra shqiptar e kaluan covod-19 me paratë e xhepit, në spitalet private apo në shtëpi, ku një pjesë e konsiderueshme humbën jetën pasi nuk kishin mundësi të paguanin shumat maramendëse apo të trajtoheshin jashtë si agallarët e politikës dhe oligarkët. E ndërkohë që për qytetarët nuk rimbursoheshin as ilaçet, qeveria “si kofini ,pas të vjelave”, paguan mbi 2.4 miliard lekë për të regjistruar kush ka bërë vaksina.

Pranë ISHP në vitin 2011 është i instaluar sistemi informativ i vaksinimit, i cili mund të regjistrojë të dhëna të imunizimit te fëmijëve, të menaxhojë rezervat (stokun) e vaksinave dhe ruajtjen e tyre. Por, AKSHI duhet të shpenzojë para për regjistër online.

 Rritja e çmimeve ka rritur edhe “buxhetin e shtetit”. Por duket rritja e buxhetit nuk po shkon drejt uljes së varfërisë, por është kthyer në një minierë për shtetarët, të cilët kanë para në arkat e shtetit. Dhe, si t’i shpenzojnë?! Natyrisht, skema më e mirë është nëpërmjet procedurave teknike, të cilat kuptohen pak ose aspak nga publiku i gjerë.

Madje, as për mallra apo ndërtime, por për shërbime. Dhe, në këtë mënyrë, paratë avullojnë dhe “ka për të gjithë”. Pa dashur të ngremë akuzë, në këto radhë po të ndalemi te një tender i kryer nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila prokuron miliona euro në muaj. Apo më saktë, ka marrë një “çek të bardhë” nga Rama, aq sa hoqi edhe shërbimet në sportele, duke i bërë online. Por, këto shërbime i kanë sjellë të ardhura shtesë Mirlinda Karçanajt, e cila ka hapur ditët e fundit një tender për regjistrin e vaksinave.

Sipas dokumenteve AKSHI ka hapur tenderin e hapur mbi kufirin e lartë monetar, me objekt “përmirësimi i regjistrit elektronik të vaksinimit”. Pra, bëhet fjalë vetëm për një përmirësim të regjistrit që është në Institutin e Shëndetit Publik, teksa fondet janë të Buxhetit të Shtetit.

“Fondi limit i këtij tenderi është 185.661.600 lekë pa TVSH” thuhet në dokumente, që nëse konvertohen apo i shtohet edhe TVSH-ja, shuma shkon në plot 2 milionë USD. Pra, vetëm për të përmirësuar këtë sistem, ku do të shtohen emrat e shqiptarëve që u vaksinuan për Covid 19, shteti shqiptar shpenzon plot 2 milionë dollarë. Një shumë e konsiderueshme, pasi regjistri nuk i vjen në ndihmë kujtdo. Mijëra shqiptare kanë bërë vaksinën kineze, e cila nuk njihet për udhëtime në vendet europiane. Dhe, cilido dokument i dalë nga ISHP-ja nuk mund të përdoret në Evropë!

U shfletuan edhe dokumentet shoqëruese të këtij tenderi, ku thuhet se “MSHMS është institucioni përgjegjës për organizimin e Programit Kombëtar të Imunizimit si dhe koordinon, nëpërmjet këtij programi pranë Institutit të Shëndetit Publik, zbatimin e imunizimit nga institucionet e kujdesit shëndetësor” sipas boldneës.

Ministria miraton kalendarin e vaksinimit, për të gjitha grup-moshat, kundër sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat si dhe listën e sëmundjeve që parandalohen nga vaksinat, të cilat përfshihen në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit.

“Vaksinimi realizohet pranë institucioneve shëndetësore, të cilat janë të detyruara të sigurojnë evidentimin e saktë të personave, që i nënshtrohen vaksinimit, planin e vaksinimit dhe sasitë e nevojshme të vaksinave” thuhet në dokumente.

Më tej sqarohet se çdo institucion, që ofron vaksinim duhet të sigurojë kushtet përkatëse të zinxhirit të ftohtë, ndërsa janë të detyruara të pajisin me librezën e vaksinimit të gjithë personat që i nënshtrohen vaksinimit. Libreza e vaksinimit, kërkohet dhe plotësohet sa herë që aplikohen vaksinat.

Mësohet se pranë ISHP në vitin 2011 është i instaluar sistemi informativ i vaksinimit, i cili mund të regjistrojë të dhëna të imunizimit të fëmijëve, të menaxhojë rezervat (stokun) e vaksinave dhe ruajtjen e tyre. Por, AKSHI thotë se mungon ndërveprimi me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile për të dhënat e shtetasve si dhe të dhënat e fëmijëve si anëtarë të familjes. Sistemi duhet të lidhet edhe me regjistrin e te siguruarve të FSDKSH, me sistemin e recetës elektronike dhe me sistemin e-vizita, për të dhënat e qytetareve të vaksinuar kundër COVID-19.