AKEP shfuqizon analizën e tregut celular, nuk preket ulja e tarifave të shumicës, nga 1 dhjetori

723
Sigal

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur në mbledhjen e radhës që të shfuqizojë një vendim për analizën e tregut celular, të miratuar në fillim të tetorit si dhe tre vendime të tjera që i shpallin kompanitë celulare celulare, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom, si operatorë me fuqi të ndjeshme në treg. AKEP ka vendosur gjithashtu nisjen e procedurës për rikryerjen e analizës për tregjet përkatëse. Konkretisht këto vendime shfuqizojnë analizën e tregjeve dhe masave përkatëse ndaj Vodafone në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Ndërsa për Albtelecom dhe Telekom Albania shfuqizohen masat e parashikuara në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.

Pse u shfuqizuan vendimet

AKEP miratoi nëdatën 01.10.2018 miratoi dokumentin “Analizë e tregut celular: tregu me shumicë i aksesit dhe origjinimit, tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe tregu me pakicë i shërbimeve celulare – Dokument Përfundimtar”. Ky vendim do të shërbente si bazë për marrjen e vendimeve për sipërmarrësit me FNT në tregjet e analizuar dhe masat rregulluese respektive. Masa kryesore e ndërmarrë ishte ulja e tarifës maksimale të terminimit të thirrjeve (lek/min pa TVSH), nga 1.48 lekë që janë aktualisht, ulet në 1.22 lekë në 1 dhjetor 2018 dhe 1.11 lekë në 1 dhjetor 2019 deri në një vendim të dytë të AKEP. Këto tarifa janë të vlefshme për të tre operatorët ekzistues, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom. Ky vendim nuk është anuluar dhe pritet të hyjë në fuqi në 1 dhjetor. Ulja e tarifave të shumicës pritet të ndikojë dhe në tarifat finale që do të paguhen nga konsumatori. Ndërkohë AKEP ka anuluar vendimin “Për miratimin në këshillim publik të dokumentit “Rregullimi i tarifave të sipërmarrësve me Fuqi të Ndjeshme në tregjet me shumicë të aksesit dhe origjinimit i shërbimeve celulare”. Ky vendim parashikonte rregullimin e tarifave me shumicë të aksesit dhe origjinimit në rrjetin Vodafone Albania, përmes një formule të propozuar nga AKEP për të rregulluar çmimet në tregun e shumicës., si dhe ka anulluar masat rregullatore edhe për kontrollin e shitjes me pakicë nën kosto (çmimet dysheme për shitjen me pakicë), nga ana e operatorit Vodafone me fuqi të ndjeshme në treg. Konkretisht, për Vodafone Albania është shfuqizuar vendimi që e përcaktonte atë me Fuqi te Ndjeshme në tregun me shumicë të aksesit dhe origjinimit, tregun meshumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe masat përkatëse rregullatore. Ëshë shfuqizuar gjithashtu vendimi “Për përcaktimin e sipërmarrësit “Albtelecom sh.a” me Fuqi të Ndjeshme në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare si dhe masat përkatëse rregullatore”. Në mënyrë të njëjtë është shfuqizuar vendimi “Për përcaktimin e sipërmarrësit “Telekom Albania sh.a” me Fuqi të Ndjeshme në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare si dhe masat përkatëse rregullatore”. AKEP thotë se i mori këto vendime duke konsideruar sektorin e telekomunikacioneve si një nga sektorët strategjikë të vendit; duke vlerësuar zhvillimet dhe investimet e rëndësishme në këtë sektor; duke u kujdesur maksimalisht për të garantuar një klimë mirëkuptimi dhe mbështetëse për investimet e operatorëve të këtij tregu./monitor