Ahmetaj-Crnadak: Me rëndësi riaktivizimin i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Bosnjë Hercegovinë

682
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj priti në një takim zyrtar Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, z. Igor Crnadak dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Gjatë takimit, palët nënvizuan marrëdhëniet tejet të mira politike mes dy vendeve ndërsa theksuan nevojën për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Duke folur për bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe në prag të Samitit të Vjenës, që do të mbahet më 27 Gusht, Ministri Ahmetaj tha se procesi i Berlinit ka hapur një perspektivë shumë të mirë për Ballkanin Perëndimor, qoftë në aspektin politik, qoftë në atë teknik dhe të konektivitetit.
“Ajo qe është e rëndësishme është që ky proces të materializohet në projekte konkrete të ndërlidhjes dhe ne të mund të garantojmë mbështetjen për realizimin e tyre, sikurse e diskutuam në Tiranë gjatë vizitës së Kancelares Merkel. Autostrada e Kaltër është një nga projektet që ne po avancojmë dhe për të cilin kemi marrë mbështetjen e Gjermanisë dhe të Komisionit Europian. Ne duhet të bashkojmë përpjekjet për të siguruar mbështetjen e këtij projekti që është në interesin tonë të përbashkët si dhe jam i bindur që mënyra më e mirë për ta avancuar procesin, është të prezantohemi në Vjenë me një dokument të përbashkët dhe të strukturuar, të dakordësuar mes vendeve të rajonit, për projektet konkrete që po diskutojmë”, tha Ministri.
Duke folur për procesin e Berlinit, Ministri Ahmetaj u ndal në mënyrë të veçantë dhe inkurajoi palën boshnjake për njohjen e pavarësisë sё Kosovës dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në tё gjithë nismat, projektet dhe aktivitetet rajonale. Në aspektin ekonomik, Ministri Ahmetaj tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira, por ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar. Ministri propozoi riaktivizimin e Sesionit të bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri- Bosnje-Hercegovinë, për të cilin propozoi që të mbahet takimi në vjeshtë, ose në pranverë 2016. Po kështu Ahmetaj ftoi për më shumë bashkëpunim në fushën e turizmit, i cili do të ndërthurte turizmin detar në Shqipëri me turizmin malor në Bosnje-Hercegovinë. Agjensitë respektive të promovimit të turizmit duhet të bashkëpunojmë mes tyre dhe me operatorët turistikë për të shkëmbyer ide, eksperienca, organizuar panaire të përbashkëta turizmi me qëllim promovimi dhe natyrisht për të rritur numrin e turistëve drejt të dy vendeve reciprokisht.
“Sa i takon tregtisë, ne kemi marrë një inisiativë shumë të rëndësishme, për lehtësimin e procedurave dhe eliminimin e barrierave jo-tarifore në tregtinë me Kosovën. Ideja ime është që ta zgjerojmë këtë inisiativë, edhe me vendet e tjera të rajonit, duke qenë në përputhje me parimet e CEFTAS dhe OBT dhe një hap përpara në rrugën tonë të përbashkët të integrimit në BE”- tha Ahmetaj. Po kështu duke e vlerësuar këtë si një moment shumë të mirë për ekonominë shqiptare, Ministri bëri theksoi se ka vend për më shumë investime direkte nga Bosnje-Hercegovina.“Janë 16 kompani nga Bosnje –Hercegovina, apo me kapital të përbashkët, që veprojnë në Shqipëri, tha Ahmetaj. Shumë të tjera mund të afrohen. Ne jemi duke përfunduar procedurëndhe shumë shpejt do të hapim tenderin ndërkombëtar për zonën e lirë ekonomike në Spitallë, e cila besojmë se do të jetë një nga më konkurruese në rajon. Ky do të ishte një rast shumë i mirë edhe për kompanitë nga vendi juaj ndaj unë ju inkurajoj t’i ftoni ato të vijnë në Shqipëri- tha Ministri. 
Edhe Ministri boshnjak u shpreh i bindur që ndryshe nga insiativat e mëparshme rajonale, Procesi i Berlinit do të sjellë rezultate konkrete dhe benefite të prekshme për qytetarët. “Roli që Shqipëria dhe Serbia kanë marrë në kuadër të koordinimit të këtij procesi dhe perspektiva e re në marrëdhëniet mes dy vendeve tuaja është një kusht i rëndësishëm për avancimin e këtij procesi. Ne duhet ët shohim nga e ardhmja dhe të angazhohemi për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve tanë, përmes lehtësimit të lëvizjes, ndërlidhjes, rritjes së bashkëpunimit ekonomik, n]promovimit të turizmit etj. – tha ndër të tjera Ministri Boshnjak. Më 28 gusht, Kryeministrat, Ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Ekonomisë së Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Vjenë në Konferencën e Nivelit të Lartë, e cila pason Konferencën e Berlinit të organizuar një vit më parë nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel,i njohur ndryshe si procesi i Berlinit, fokusi i të cilit është rritja e bashkëpunimit në rajon përmes nxitjes së konektivitetit, në kuadër të integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.
Sigal