Agjencia e Prokurimeve Publike/ Ndryshojnë proçedurat e hapura dhe të thjeshtëzuara për tenderat në institucione. Ja dokumentacioni i ri

354
Sigal

 

Pas vendimit të qeverisë që hyri në fuqi në datën 9 qershor lidhur me dokumentet standarde të tenderëve për mallra, shërbime, punë, Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi institucionet se tashmë ndryshimet janë reflektuar edhe në setin e gatshëm për procedurat e hapura të thjeshtuara.

Në një njoftim të fundit për shtyp APP kërkoi që autoritetet kontraktore të jenë të vëmendshme pasi në pjesën e shtojcave kanë ndryshuar ato që lidhen me listën e çmimeve të artikujve dhe njoftimit të kontratës së nënshkruar.

“Agjencia e Prokurimit Publik (APP) me njoftimin nr. 2416/4, datë 09.06.2021 ju ka bere me dije se, me Vendimin Nr. 3, date 9.6.2021 “Për miratimin e dokumenteve standarde të tenderit për mallra, punë, shërbime për procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur e Thjeshtuar”, ka miratuar Dokumentat Standarde të Tenderit (DST), për mallra/ punë dhe shërbime për procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur e Thjeshtuar”.

Në vijim të njoftimit të mësipërm, APP u bën me dije autoriteteteve kontraktore se, ka bërë korrigjim gabimesh në dy Shtojca të setit Procedura e Hapur e Thjeshtuar Mallra, konkretisht Shtojcën nr. 2 “Lista e Çmimeve të Artikujve” dhe Shtojcën nr. 21 “Njoftimi i Kontratës së Nënshkruar” dhe po e ripublikon këtë set” thuhet në njoftimin e APP.

Njoftimi vjen në vazhdën e disa paralajmërimeve më të hershme të bëra nga agjencia duke kërkuar që institucionet të respektojnë rregullat e reja të prokurimit që vijnë si efekt i vendimit të qeverisë si dhe ligjit të ri të prokurimit.

Ky fundit u publikua vetëm pak kohë më parë në Fletoren Zyrtare duke bërë të qartë se hyrja në fuqi ishte në fund të marsit. Ky ligj i miratuar nga mazhoranca parashikon një sërë risish sa i takon prokurimeve publike.

Lidhur me procedurat ligji ngarkon autoritetet që përpara shpalljes së një tenderi të bëjnë kërkim tregu me operatorët apo ekspertë të fushës. Në çdo rast duhet të garantohet mosshtrembërim i konkurrencës si dhe shmangia e konfliktit të interesit. Në nenin 36 nënvizohen elementët që duhet të përfshijnë specifikimet teknike për procedurat. Këto të fundit herë pas here janë bërë arsye për konflikte mes autoriteteve dhe bizneseve pasi cilësohen si qëllimisht përjashtues në disa raste duke vendosur elementë që orientojnë plotësimin e kushteve vetëm nga një operator.

Specifikimet sipas ligjit të ri duhet të jenë të qarta dhe në të mundësojnë trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët dhe ofertuesit dhe të mos shërbejnë si pengesa për konkurrencën e hapur në prokurimin publik. Ndryshime paraqiten edhe sa i takon llojit të procedurave, apo kontratave sektoriale dhe përjashtimeve.